Era që goditi dje Shkupin ishte në kategorinë e uraganit, dhjetëra pacientë u pranuan në spitale me lëndime dhe fraktura

Njëzet e dy persona të lënduar nga stuhia që goditi dje kryeqytetin kërkuan ndihmë në Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohri” në Shkup, njoftoi drejtori i spitalit, Nebojsha Nastov. Dy prej tyre, siç tha ai, janë pranuar për trajtim spitalor, ndërsa të tjerët kanë pësuar lëndime më të lehta, transmeton Portalb.mk.

“Një pacient është operuar gjatë natës për shkak të një frakture në dorë. Ka edhe një pacient tjetër, shtetas i huaj dhe turist, i cili u lëndua nga rrëzimi i një peme në pjesën e legenit, por nuk kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale”, tha Nastov.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se 11 pacientë janë pranuar në Klinikën Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Mjekim Intensiv dhe Qendrën Urgjente (TOARILUC). Tre prej tyre kanë lëndime më të rënda, ndërsa tetë të tjerë lëndime më të lehta.

Klekovski shtoi se po bëhen vlerësimet e dëmeve në institucionet shëndetësore, veçanërisht në Spitalin Klinik të Shtipit dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, ku janë dëmtuar pjesë të konstruksionit të kulmeve.

“Kemi edhe pemë të rrëzuara në Qendrën Klinike ‘Nënë Tereza’, por pa persona të lënduar. Edhe në Spitalin Psikiatrik në Bardovc nuk ka të lënduar. Atje pati edhe ndërprerje disaorëshe të energjisë elektrike, e cila tashmë është rikthyer. Dëme të konsiderueshme ka edhe në konstruksionin e kulmit të Spitalit Klinik në Shtip. Falë ndërhyrjes së shpejtë të kryetarit të komunës Ivan Jordanov dhe drejtorit të spitalit, dëmet janë sanuar dhe po bëhet vlerësimi i tyre. Dëme ka edhe në kulmin e Spitalit të Përgjithshëm ‘8 Shtatori’. Të dy spitalet janë të siguruara, ndaj kompanitë e sigurimeve tashmë po bëjnë vlerësimin e dëmeve dhe menjëherë më pas do të ndërhyhet për të siguruar funksionimin normal të tyre”, tha Klekovski.

Drejtori i spitalit, Sinisha Stojanoski, në një deklaratë me shkrim për “360 Gradë”, konfirmoi se janë dëmtuar kulmi dhe konstruksioni i tij, por tha se pritet inspektimi nga shërbimet kompetente, pasi ende nuk dihet përmasa e plotë e dëmeve materiale të shkaktuara nga stuhia.

Ndërkohë, sipas Stojanoskit, spitali vazhdon të funksionojë pa ndërprerje dhe me kapacitet të plotë.

Ndërkohë, era e fortë që goditi kryeqytetin arriti në një moment shpejtësinë prej 130 kilometrash në orë, çka sipas klasifikimit të fuqisë së erës konsiderohet erë me fuqi uragani. Këtë e bëri të ditur sot Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), duke iu referuar të dhënave të regjistruara nga stacioni automatik meteorologjik në Shkup.

“Në Luginën e Shkupit, në stacionin automatik meteorologjik në Shkup, në orën 16:10 është regjistruar një erë me fuqi uragani me shpejtësi maksimale prej 130 kilometrash në orë, me drejtim veri-veriperëndim”, njoftoi DPHM.

Erë me të njëjtën shpejtësi prej 130 kilometrash në orë është regjistruar edhe në stacionin automatik meteorologjik në Novo Sellë të Strumicës, në orën 17:50, me drejtim veriperëndim. Ndërkaq, era më e fortë është regjistruar dje pasdite në orën 17:00 në Shtip, ku stacioni automatik meteorologjik regjistroi një erë me fuqi uragani me shpejtësi maksimale prej 134 kilometrash në orë, me drejtim perëndim-veriperëndim.

“Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, bazuar në të dhënat nga rrjeti kombëtar i stacioneve automatike meteorologjike, më 21 korrik 2026 regjistroi vlera jashtëzakonisht të larta të goditjeve të erës, të përafërta me vlerat historike rekord. Kjo konfirmon se në disa lokacione në vend janë regjistruar goditje ere me fuqi uragani, që përbëjnë një fenomen të rrallë dhe shkatërrues meteorologjik”, thuhet në njoftimin e DPHM-së.

Sipas klasifikimit të fuqisë së erës, sqarojnë nga DPHM, erë me fuqi uragani konsiderohet era që tejkalon 118 kilometra në orë, pra një erë jashtëzakonisht e fortë që në këtë territor ndodh shumë rrallë dhe shkakton dëme të konsiderueshme në përmasa të gjera.

Stuhia shkatërruese që goditi dje pasdite Shkupin, por edhe qytete të tjera të vendit, shkaktoi dëme të mëdha materiale. Janë raportuar dëmtime të automjeteve, çative të objekteve banesore dhe publike, si dhe një numër i madh pemësh të rrëzuara dhe semaforësh të dëmtuar. Nga stuhia ka pasur edhe qytetarë të lënduar.

Kujtojmë se pas stuhisë me erëra të forta dhe reshje shiu që dje përfshiu territorin e Maqedonisë së Veriut, në numrin unik për thirrje emergjente 112 janë pranuar mbi 9.000 thirrje nga qytetarët, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), deri në orën 22:00 në Shkup janë regjistruar 117 automjete të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë të dëmtuar, pesë zjarre dhe 10 persona të lënduar.

MotiShkupiStuhi