Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës do ta shqyrtojë vendimin për vendosjen e një regjimi të ri për përdorimin e zonës „Hug & Fly“ në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, me të cilin qëndrimi falas deri në 10 minuta kufizohet në një hyrje me të njëjtin automjet brenda një periudhe prej 24 orësh, transmeton Portalb.mk.
Analiza që do ta kryejë Komisioni për vendimmarrje lidhur me kundërvajtjen duhet të përcaktojë nëse regjimi i vendosur, duke marrë parasysh kushtet në të cilat operojnë transportuesit e ndryshëm taksi dhe ekzistencën e një operatori të posaçëm të autorizuar të taksive në aeroport, mund të ndikojë në kushtet e konkurrencës dhe qasjen në infrastrukturën e aeroportit.
„Komisioni do të shqyrtojë arsyeshmërinë dhe proporcionalitetin e kushteve të vendosura, ndikimin e tyre faktik mbi transportuesit taksi dhe nëse ekzistojnë kushte të barabarta dhe jodiskriminuese për qasje për të gjithë pjesëmarrësit në treg“, bëjnë të ditur nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Nga atje thonë se Komisioni në këtë fazë nuk paragjykon ekzistencën e shkeljes së rregullave të konkurrencës, ndërsa pas mbledhjes dhe analizimit të të gjitha informacioneve relevante, Komisioni do të marrë një konkluzion për veprimet e mëtejshme.
Prej sot kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për përdorimin e zonës “Hug & Fly” para terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, njofton TAV Maqedoni. Ndryshe nga siç ishte më parë, tani, drejtuesit e automjeteve do të mund të ndalojnë falas deri në 10 minuta për të lënë ose marrë pasagjerë vetëm një herë brenda një periudhe prej 24 orësh për çdo automjet.
Qasja do të kontrollohet përmes një sistemi për njohjen automatike të targave, i cili do të regjistrojë hyrjen e automjeteve. Nga TAV Maqedoni sqarojnë se rregulli i ri po vendoset me qëllim sigurimin e qarkullimit të pandërprerë të automjeteve dhe një qasje më të sigurt dhe më të lehtë në terminal, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të shtuar të udhëtarëve.
Për ata që kanë nevojë për qëndrim më të gjatë, në dispozicion mbetet parkingu i madh para terminalit. Ai ka 1.200 vende parkimi për automjete dhe gjashtë vende për autobusë dhe është i hapur në çdo kohë.
Shoqata e Taksistëve ditë më parë kundërshtoi regjimin duke nënvizuar se kufizimi dëmton transportuesit e licencuar, mund të rrisë çmimet për udhëtarët, vështirëson transportin e personave me aftësi të kufizuara dhe krijon kushte të pabarabarta konkurruese. Ata kërkojnë nga TAV Maqedonia të arsyetojë vendimin dhe propozojnë disa hyrje të shkurtra falas gjatë ditës, ndërsa kërkojnë që të shqyrtohet edhe çështja e mbrojtjes së të dhënave personale dhe konkurrencës në aeroport.