Epidemia në Gostivar: U arrestua drejtoresha e ujësjellësit, drejtori teknik dhe përgjegjësi ndërsa Prokuroria nuk zbulon detaje

Menjëherë pasi u pezullua nga detyra, Policia ka arrestuar drejtoreshën e NP “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani. Bashkë me të janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtor të saj, drejtori teknik, Leon Nuredini dhe përgjegjësi i ujësjellësit, Vadedin Dervishi. Pas pak pritet që të njëjtit të dalin para prokurorisë dhe gjykatësi i procedurës paraprake të ju cakton masat e kujdesit, transmeton Portalb.mk.

Lajmin e konfirmoi edhe MPB nga ku thanë se se nëpunës policorë të Stacionit Policor në Gostivar, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Gostivar, kanë privuar nga liria tre persona në lidhje me dyshimet për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit të Gostivarit.

“Janë privuar nga liria A.A. nga fshati Zdunjë – ushtrues detyre drejtor në NP “Komunalec” Gostivar, V.D. nga fshati Forinë – shef i sektorit “Ujësjellës dhe kanalizime”, dhe L.N. nga fshati Vrutok – drejtor teknik i NP“Komunalec” Gostivar. Institucionet kompetente vazhdojnë të ndërmarrin veprime për sigurimin e provave në procedurën parahatimore”, thonë nga MPB.

Prokuroria Publike vazhdon të mos ndajë detaje lidhur me hetimet, nga aty thonë se vazhdojnë të ndërmarrin veprime hetimore për grumbullimin e provave.

“Të gjitha provat e grumbulluara deri në këtë moment, si dhe provat që pritet të dorëzohen në vijim, analizohen për të përcaktuar gjendjen faktike nga e cila do të rezultojë kualifikimi juridik i veprës penale të mundshme të kryer dhe identifikimi i autorëve. Procedura ende është në fazën e parahetimit, e cila është konfidenciale. Menjëherë pas përcaktimit të të gjitha rrethanave dhe marrjes së vendimit përkatës nga Prokuroria Publike, publiku do të njoftohet”, thanë nga Prokuroria.

Kryeministri Hristijan Mickoski paraprakisht kërkoi që kreu i Gostivarit dhe gjithë zinxhiri përgjegjës të mbajnë përgjegjësi morale për helmimin e qytetarëve të Gostivarit. Sipas tij, Instituti i Shëndetit Publik e ka bërë punën e vet, ndërsa tani në hap është Prokuroria Publike e cila duhet të dalë me kualifikimin e veprës penale. Për shkak se ujësjellësi në Gostivar është projekt i financuar nga jashtë dhe me mbështetjen e Qeverisë, Mickoski tha se përgjegjësi do të ketë edhe për mbikëqyrësin e punimeve i cili ka nënshkruar raportin kur ka mbaruar projekti.

“Nga i pari deri tek i fundit duhet të mbajnë përgjegjësi morale, pavarësisht asaj që nga ana tjetër Prokuroria do të merret me përgjegjësinë e nivelit tjetër. Por unë pres që nga kryetari i komunës e gjithë të tjerët me rend të mbajnë përgjegjësi morale si fillim. Sigurisht që ka mbikëqyrës që ka nënshkruar raportin. Sipas ligjit për ndërtim, patjetër të keni mbikëqyrës dhe kompani që i kontrollon punimet dhe të gjithë një për një do të shqyrtohen”, deklaroi Mickoski.

Nga ana tjetër, kreu i Gostivarit Valbon Limani pezulloi nga detyra drejtoreshën e NP “Komunalec”, Artana Asani. Sipas tij, ky vendim është marrë që ajo dhe askush tjetër të mos mund të ndikon në hetimin transparent të institucioneve. Limani tha se nuk ndjen përgjegjësi morale për zhvillimet e fundit me ujin për pije në Gostivar, ndërsa deklaroi gjithashtu se në disa fshatra dhe vendbanime ka qytetarë që shfrytëzojnë ujë për pijë nga burime tjera dhe që nuk kanë të bëjnë me sistemin kryesor të ujësjellësit.

“Aktualisht e kemi biseduar dhe e kemi pezulluar deri në daljen e rezultateve dhe deri në përfundimin e hetimeve. Nga Prokuroria ende nuk ka asnjë informatë. Nga disa informata që kam sot mund të ketë rezultate nga të gjitha mostrat që janë marrë atë ditë. Sa i përket asaj pse e gjithë kjo ndodhë sepse siç tha edhe kryeministri, disa qytetarë shfrytëzojnë linja të ujësjellësit që nuk kanë të bëjnë me linjën kryesore të qytetit. Edhe aty kemi raste të shpeshtuara të infektimit me këtë virozë. Por t’i presim të gjitha rezultate dhe të mos parashikojmë gjëra para kohe. Unë nuk ndjej përgjegjësi morale pasi ndërmarrja publike është person juridik që mban llogari për këtë. Qytetarët e din se po të ishte situata ndryshe, dorëheqja e parë do të vinte nga unë”, deklaroi Limani.

Ndryshe, Gostivari po përballet me një epidemi të problemeve gastrointestinale, pasi numri i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim vazhdon të jetë i lartë. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, çdo ditë paraqiten rreth 250 deri në 300 pacientë të rinj, ndërsa për shkak të rritjes së rasteve Qendra për Shëndet Publik në Tetovë shpalli epidemi në territorin e Komunës së Gostivarit. Institucionet shëndetësore po kryejnë analiza laboratorike dhe hetime epidemiologjike për të përcaktuar shkaktarin, ndërsa qytetarëve u është rekomanduar të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit deri në daljen e rezultateve përfundimtare.

ArrestimGostivariHristijan Mickoski HristianKomuna e GostivaritValbon Limani