Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” nga Shkupi, mbrëmë rrëmbeu çmimin e parë në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “Hani i Elezit 2025”. Gjithashtu Xheneta Zeneli valltare dhe koreograve nga ky ansambël e fitoi çmimi “Valltarja më e mirë”. Artistët e këtij grupi shkëlqyen me vallëzimin e tyre plot energji dhe elegancë. Ata dhuruan spektakël që ndërthur traditën me fuqinë rinore dhe shpirtin e gjallë të trashëgimisë kulturore, shkruan Portalb.mk.
Xheneta Zeneli koreografe dhe valltare në AKV “Emin Duraku”, gjithashtu valltare në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në R.M.V, për Portalb.mku shpreh e emocionuar me vlrësimin e jurisë.
“Për të fituar një çmim të tillë duhet një përkushtim, shumë punë dhe shumë mund. Ne asnjëherë nuk ndalemi duke punuar, duke ruajtur vlerat tona kombëtare. Momentalisht jam shumë e emocionuar dhe nuk mundem që ti përzgjedh fjalët e duhura për tu shprehur, por jemi tejet të kënaqur me vlerësimin e jurisë. Puna që u pa sonte në festival është dorë e kryetarit të AKV “Emin Duraku”, Fadil Zenelit, ku prek ai padyshim çmimi i parë do rrëmbehet me patjetër. Ne u dekoruam me çmimin e parë, besoj që u pa puna dhe u vlerësua me meritë çmimi i parë”, tha Zeneli.
Mbrëmë në natën e tretë u paraqitën këto shoqëri kulturore artistike:
- SHKA “Malësori” – Gjonaj.
- SHKA “Tingujt e Vendlindjes” – Kaçanik.
- SHKA “Dibra e Madhe” – Dibër.
- Grupi i Valltareve “Alba Folk” – Tiranë.
- SHKA “Jeta e Re” – Kumanovë.
- AKV “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë.
- AKV “Emin Duraku” – Shkup.
Për tre netë me radhë, ky festival ju ofroi qytetarëve një program të pasur kulturor me asnamble nga gjitha trojet shqiptare, duke prezantuar denjësisht kulturën shqiptare.
Pas garimit të 20 ansambleve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, mbrëmë u kurorëzuan 17 fituesit e 17 çmimeve të kategorive të ndryshme folklorike të vlerësuara nga juria profesionale, e kryesuar nga Sami Pira-publicist, kompozitor dhe gazetar,Besarta Reçica-etnologe si dhe Dilaver Kryeziu-etnokoreolog, njëherësh edhe regjisor dhe udhëheqës artistik i Festivalit.
Pas vlerësimit të jurisë, u ndanë këto çmime:
- Vendi i parë: AKV “Emin Duraku” – Shkup.
- Vendi i dytë: SHKA “Bresana” – Dragash.
- Vendi i Tretë: SHKA “Jahi Hasani” – Çegran, Gostivar.
- Çmimi i Kabinetit të Kryetarit: SHKA “Malësori”- Gjonaj.
- Çmimi Ansambli më autokton: SHKA “Katarina Josipi” – Zym, Has.
- Çmimi “Kostumet më të mira” – SHKA “Jahi Hasani”- Çegran, Gostivar.
- Çmimi Orkestra më e mirë: SHKA “Kastriotët” – Ferizaj.
- Çmimi Grupi polifonik më i mirë: SHKA “Dibra e Madhe” – Dibër.
- Çmimi Instrumentisti më i mirë: Altin Gashi nga SHKA “Ilirida” – Shtime.
- Çmimi Grupi i këngëtarëve më të mirë: AKV “Hajvalia” – Prishtinë.
- Çmimi Këngëtari më i mirë: Mersud Bajrami nga SHKA “Jeta e Re” – Sllupçan, Kumanovë.
- Çmimi Këngëtarja më e mirë: Nazmije Demolli nga SHKA “Zëri i Kamenicës” – Kamenicë.
- Çmimi Koreografia më e mirë: SHKA “Shqiponjat” – Saraj.
- Çmimi Valltarët më të mirë: SHKA “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë.
- Çmimi Dueti i këngëtarëve më të mirë: Lirikë Sylejmani dhe Ramë Isufi nga SHKA “Karadaku” – Gjilan.
- Çmimi Valltari më i mirë: Albulent Spahiu nga SHKA “Zëri i Kamenicës” – Kamenicë.
- Çmimi Valltarja më e mirë: Xheneta Zeneli nga SHKA “Emin Duraku” – Shkup.
Festivalin e begatuan edhe mysafirët special si: Selajdin Miftari, Fatime Kalimashi dhe Baba Tarabuka, ku dhuruan për publikun një natë të paharruar.