Eko Svest: RMV duhet të miratojë ligjet dhe aktet që mungojnë dhe të ofrojë ndihmë reale për qytetarët që të bëhen prodhues të energjisë

Interesi për vendosjen e sistemeve solare në amvisëri është i madh, por shpenzimet e larta fillestare, procedurat e ndërlikuara administrative dhe mungesa e informimit mbeten pengesat kryesore për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve. Mundësia që qytetarët të bëhen prosumerë, ose konsumatorë aktivë, të cilët do të mund edhe të prodhojnë, të ruajnë dhe të shesin energji është reale pas miratimit të ligjit të ri për energjetikë, por mungojnë ligjet për burimet e rinovueshme të energjisë dhe shumë akte nënligjore që këto ligje t’i bëjnë funksionale, transmeton Portalb.mk.

Këto tema ishin në fokus të konferencës rajonale “Energjia qytetare: rregullativa, praktika dhe përvoja nga rajoni”, që dje u mbajt në Shkup në organizim të Eko-svest nga Shkupi dhe Qendrës për përmirësimin e mjedisit nga Serbia. Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve, organizata qytetare, komuna dhe ekspertë nga Maqedonia dhe Serbia.

“Sipas analizës për subvencionet e disponueshme dhe mbështetjen e qytetarëve për t’u bërë konsumatorë aktivë në Maqedoni dhe në Serbi, tregon se ka interes të madh sidomos me ligjin e ri të vitit 2025 kur u hap mundësia edhe për komunitete energjetike qytetare. Energjia qytetare tashmë është realitet, e jo fantazi, por duhet të thjeshtohen procedurat, të ketë më shumë mbështetje nga institucionet, më shumë financa, por edhe mbështetje me miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore që mungojnë”, thotë Elena Nikolovska, koordinatore programore për energji dhe klimë në Eko-svest.

Ajo theksoi se Maqedonia nuk ka regjistër të prosumerëve, për dallim nga Serbia, për shkak të së cilës nuk dihet numri i familjeve që tashmë kanë vendosur të investojnë në centrale fotovoltaike dhe të prodhojnë energji. Nikolovska thotë se vendi duhet të bëjë regjistër sepse në atë mënyrë do të mund të krijohen politikat për mbështetje të rritjes së pjesëmarrjes së prosumerëve dhe komuniteteve energjetike, pasi kjo do të çojë drejt një sistemi energjetik më të drejtë dhe më demokratik, decentralizim të prodhimit dhe do të kontribuojë në dekarbonizimin e shtetit.

Në kuadër të konferencës u prezantuan edhe gjetje kyçe nga hulumtimi për profilet, motivimet dhe barrierat e konsumatorëve ekzistues dhe potencialë-prodhues (prosumerë) në Maqedoni. Sipas analizës 70 përqind e energjisë së konsumuar është nga familjet dhe bizneset e vogla, për shkak të së cilës është e rëndësishme që këtyre kategorive t’u jepet mundësi reale të prodhojnë sa më shumë energji elektrike.

“Transformimi energjetik nuk do të jetë i suksesshëm nëse qytetarët mbeten vetëm vëzhgues. Ai do të jetë i suksesshëm vetëm nëse qytetarët bëhen pjesëmarrës aktivë, partnerë dhe bartës të ndryshimit”, tha Ana Çoloviq Leshoska nga Eko-svest.

Pjesëmarrësit paralajmëruan se çështja e kapacitetit të rrjetit nuk është vetëm teknike, por edhe politike, pra çështje për atë se sa hapësirë shteti dëshiron të sigurojë për energjinë qytetare.

“Tranzicioni energjetik nuk do të jetë i drejtë nëse vetëm zëvendësojmë një teknologji me një tjetër, ndërsa fuqia, fitimi dhe kontrolli mbeten në duart e një numri të vogël aktorësh. Prandaj, energjia qytetare përfaqëson shumë më tepër se panele solare dhe fatura të energjisë elektrike”, deklaroi Ivana Jovçiq nga Qendra për përmirësimin e mjedisit nga Serbia.

Fokusi i diskutimit ishte në energjinë qytetare dhe prosumerizmin që përfaqësojnë pjesë kyçe të tranzicionit të drejtë energjetik, por për zhvillimin e tyre më të shpejtë nevojiten rregulla më të qarta, koordinim më i mirë institucional dhe përfshirje më e madhe e qytetarëve. Pjesëmarrësit theksuan se Ligji i ri për energjetikë i Maqedonisë nga viti 2025 hap mundësi të rëndësishme për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në sistemin energjetik, por ende mungojnë aktet nënligjore dhe harmonizimi me ligje të tjera, veçanërisht në fushën e financave, banimit dhe ndërtimit. Gjithashtu është veçanërisht e rëndësishme interpretimi dhe zbatimi i qartë dhe i padiskutueshëm i dispozitave të këtij ligji nga të gjitha palët e përfshira.

Si shembuj të rëndësishëm u përmendën përvojat nga Serbia dhe Rumania, ku zhvillimi i prosumerizmit kërkon mbështetje afatgjatë institucionale dhe kornizë stabile rregullatore. Pjesëmarrësit përfunduan se pa pjesëmarrje aktive të qytetarëve, transformimi energjetik nuk do të jetë i mundur, ndërsa komunitetet energjetike dhe konsumatorët aktivë duhet të bëhen element qendror i zhvillimit të ardhshëm të sistemit energjetik në vend dhe rajon.

Kujtojmë se nga 1 korriku i vitit 2022, qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët vendosin në kulmet e tyre panele diellore për prodhimin e energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë do t’ua mbulojë shpenzimet deri në 30 përqind, por jo më shumë se një mijë euro.

EkologjiEnergjia elektrike - rryma