Ejani në Teatrin Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj të zbulojmë ku fshihet “Krokodili”

Pasi mbrëmë shumica kanë shijuar premierën e shfaqjes “Krokodili” nga Tom Basdeni, sonte para se të shikoni rishfaqjen ky shkrim ju jep të kuptoni pak më shumë mbi tekstin dhe procesin e punës.

Tashmë e kemi të njohur se fabulat janë thellësisht politike. Ashtu siç janë shumica e librave të famshëm për fëmijë. Kur përmendet emri i Dostojevskit, aspak nuk të lidhet që ai mund të jetë autori i një parodie, satire alegorike, pasi konsiderohet si një ndër autorët serioz që nuk ka qejf të bëj shaka ose humor.

Edhe pse Dostojevski nuk e përfundoi kurrë “Krokodilin”, ai megjithatë qëndron si një nga paditë më të fuqishme kundër çnjerëzimit të njerëzimit ndaj njerëzimit.
Sinopsisi i “Krokodilit” të Dostojevskit ka në qendër një njeri burokrat i cili niset në vizitë me mikun dhe gruan e tij në një ekspoze të një krokodili nga një sipërmarrës gjerman. Ndodh e papritura, Ivani – burokrati gëlltitet nga krokodili dhe mbijeton e predikon brenda gojës së tij. Ky tekst, mund të thuhet se është shakaja e vetme letrare e Dostojevskit, nëse tekstit nuk i futemi në një analizë më të thellë dhe në vend të qeshim të qajmë.

Do thoni ju ç’ne Dostojevski këtu?
Pasi teksti i Basdenit është i bazuar në një rrëfim të tij.

Sinopsisi i shfaqjes në sqarimin e teatrit thotë:
“Drama “Krokodili” nga Tom Basdeni është bazuar në tregimin e shkurtër të Fjodor Dostojevskit. Është një vepër satirike në të cilën me shumë mjeshtëri shndërrohen në parodi temat si, ato politike, shoqërore apo ekonomike. Në këtë dramë kemi personazhin kryesor Ivanin, një aktor i ri, i cili pavarësisht të gjitha ngritjeve dhe rënieve nëpër të cilat kalon, nuk heq dorë nga ëndrra e tij, nga besimi që e ndjek se një ditë do t’i arrijë majat e suksesit në profesion dhe përmes skenës teatrore do ta ndryshojë botën. “

Shfaqja vjen nën interpretimin regjisorial të regjisorit që tashmë është i njohur për ne Agon Myftarit.

Në role: Eldin Shiroki, Flakron Aliu, Melika Kastrati, Mumin Abdullahi. Mjeshtër Dritash: Elmedin Brahimi dhe Amet Çajani
Kostumet: Sara Shiroki. Maska: Kiril Vasilev
Kompozitor: Albin Sopa. Përkthimi: Qerim Ondozi. Punëtor Skene: Qamuran Shapka dhe Jetmir Ademi. Piktor: Dardan Ahmeti

Për Portalbin drejtoresha Dijana Toska thotë se ky është projekti i dytë për këtë vit.

“Të përkujtojmë se që nga hapja e këtij teatri, pra për dy vite deri më tani janë realizuar gjithsej gjashtë premiera, tre për fëmijë dhe tre për të rinj.” Ajo më tej shton: ” Për këtë vit na mbetet edhe një projekt të cilin duhet ta realizojmë në muajin shtator, mirëpo, patjetër do t’i risjellim reprizat e shfaqjeve që i kemi në repertor pasi interesimi i fëmijëve për të parë shfaqjet është jashtëzakonisht i madh. Kemi ftesa edhe për të marrë pjesë në festivale të ndryshme po edhe të shkojmë në qytetet tjera për të dhënë shfaqjet edhe andej”, shprehet për Portalb, Dijana Toska.

Shfaqja “Krokodili’ e Basdenit u dha mbrëmë para një publiku të ri në moshë dhe jo vetëm. Aktorët e këtij teatri janë në fillimin e karrierës dhe duken me elan dhe energji për këtë profesion.

Duke pasur parasysh se regjisori i kësaj shfaqjeje ka një sens të jashtëzakonshëm për humor aktorët e kanë përjetuar procesin si të veçantë, ndërsa drejtoresha Dijana Toska shprehet “Secila shfaqje është e veçantë në mënyrën e vet ashtu edhe kjo. Ajo që këtë shfaqje për të rinj e dallon nga të tjerat është se në këtë projekt ka shumë elemente komike, momente satirike dhe mbi të gjitha bashkëpunimi me tërë ekipin dhe në veçanti me regjisorin ka shkuar në mënyrë të përkryer falë përkushtimit të madh të stafit tonë.”

Rishfaqja do jetë sonte (e shtunë) në orën 20.00. Ejani ta zbulojmë bashkë ku fshihet “Krokodili”!

Kulturë lajmeQendra Teatrore për Fëmijë ShkupTeatër shfaqje teatrore
Comments (0)
Add Comment