E-shoqëri: Ballkani Perëndimor cak i dezinformatave dhe ndikimeve të huaja, institucionet duhet të punojnë më tepër në këtë drejtim

Dezinformatat dhe ndikimet e huaja qarkullojnë në forma të ndryshme në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kësisoj krijojnë lëmshe dhe ngërçe të dëmshme në këto shoqëri. Ndikimi rus dhe kinez, tensionet ndëretnike, siguria digjitale dhe dezinformata nga më të ndryshmet, janë vetëm disa nga narrativet që shpërndahen në këto vende. Institucionet nuk bëjnë mjaftueshëm në luftimin e këtyre problemeve, ndërsa shoqëria civile mbetet në front të luftës, transmeton Portalb.mk.

Kjo mes tjerash u theksua në panelin mbi temën “Lufta me dezinformatat – sfida politike dhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare “E-shoqëri.mk” të Fondacionit Metamorfozis sot në Shkup.

Goran Rizaov – koordinator i programeve në Fondacionin Metamorfozis dhe kryeredaktor i Agjencisë së Lajmeve Meta.mk foli për një raport analitik që e kanë bërë lidhur me atë se çfarë është bërë në Maqedoninë e Veriut në luftimin e dezinformatave nga institucionet.

“Për fat të keq mund të them se nuk është bërë asgjë në dhjetë vitet e fundit”, tha Rizaov.

Ai tha se në vend ka disa ligje apo strategji që mund indirekt që mund të lidhen në formë të ndryshme në këtë “luftë” megjithatë, sipas tij në front qëndrojnë organizatat qytetare.

“Lirisht mund të thuhet se organizatat qytetare janë ata që i luftojnë më shumë dezinformatat” tha Rizaov duke përmendur si shembull Fondacionin Metamorfozis të cilët luftojnë dezinformatat përmes mediave dhe aktiviteteve të tyre.

Rizaov theksoi edhe se lidhur me narrativet më të shpeshta që shpërndahen janë ata me karakter etnik, të cilat tentojnë të krijojnë destabilizime.

Konferenca E-shoqëri.mk (2024)/Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nikolla Petroviç – drejtor ekzekutiv i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë ISAC, organizatë think-tank nga Serbia duke folur për situatën në Serbi theksoi se qarkullojnë dezinformata të mëdha, dhe se të njëjtat bashkë me ndikimet e huaja janë të pranishme si në Ballkan ashtu edhe në Serbi.

Petroviç theksoi ndër të tjera edhe praninë e Sputnikut rus në Serbi. Ai tha se dezinformatat kanë ndikim direkt në Serbi

“Çështja më dhe më e madhe është se Serbia u bë tejet ksenofobike”, tha Petroviç i cili ndër të tjera shtoi se narrativet e tilla manipuluese ndaj popullit janë të shpërndara gjithandej.

Svetlana Siljanovska – konsulente për komunikime strategjike me ekspertizë në përballjen me dezinformatat theksoi se është tejet e rëndësishme që në këtë mes të kuptohen dy palët, kush i krijon dezinformatat dhe pse si dhe ndaj kujt drejtohen të njëjtat.

Siljanovska theksoi se në Maqedoninë e Veriut ka organizatat të cilat luftojnë dezinformatat, megjithatë narrativet e dëmshme shihen çdo ditë, me theks të veçantë edhe ndaj demokracisë.

Konferenca E-shoqëri.mk (2024)/Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Problematikat e tilla janë tema mjaft sfiduese dhe intersektoriale, por që gjithnjë duhet të bëhet dallimi midis keqinformimit dhe dezinformimit i cili bëhet me keqdashje. Kështu thotë Giovanna Fleck – redaktore dhe menaxhere e projektit në Global Voices. Ajo ndër të tjera theksoi ndikimin e dezinformatave në siç tha “ne e dimë se sa e brishtë është demokracia”.

Pjesëmarrësit në konferencë ndanë pikëpamjet dhe situatën me dezinformatat në vendet si Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova.

Në ndërkohë gjatë gjithë ditës së konferencës ka pasur edhe ekspozitë të instalimeve të artit: Post e vërteta, promovim të videove të shkurtra të “Hive Mind” si dhe ekspozitë e botimeve të përzgjedhura nga Metamorfozis.

Edicioni i 20-të i Konferencës Ndërkombëtare “E-Shoqëri.mk nën organizimin e Fondacionit për Shoqëri dhe Internet “Metamorfozis”, këtë vit përkon me 20 vjetorin e “Metamorfozis” ndërsa mbahet sot dhe nesër (5-6 nëntor). Tema e sivjetshme është “Transformimi digjital për një jetë më të mirë”.

E-society.mk; Esociety.mk; Eshoqëri.mk; E-shoqëri.mkFondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)