Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për mbrojtjen e mjedisit nga i gjithë Ballkani Perëndimor, të mbledhur në Mal të Zi në një takim rajonal për dekarbonizimin e sektorit energjetik në Ballkan, u bënë thirrje të fuqishme qeverive të rajonit që t’i ndalin menjëherë planet për zgjerimin e mëtejshëm të përdorimit të gazit dhe t’i ridrejtojnë urgjentisht burimet drejt tranzicionit të drejtë dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë, transmeton Portalb.mk.
Ndërsa rajoni përballet me mbylljen e pashmangshme të termocentraleve të vjetra me qymyr dhe me presione financiare në rritje që lidhen me vendosjen e çmimeve të karbonit, përfshirë Sistemin e Tregtimit të Emetimeve të BE-së (EU ETS) dhe Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM), organizatat e shoqërisë civile paralajmërojnë se kalimi te gazi fosil përbën një rrugë pa krye nga pikëpamja ekonomike dhe mjedisore.
Analiza e CEE Bankwatch Network dhe Beyond Fossil Fuels tregon se ndërtimi i kapaciteteve të planifikuara do ta rriste importin vjetor të gazit në rajon për 10,5 miliardë metra kub, që është më shumë se trefishi i konsumit të përgjithshëm të gazit fosil në rajon në vitin 2023. Kjo rrezikon ta zhysë rajonin në një varësi prej dekadash nga importet e shtrenjta dhe projektet që mund të bëhen financiarisht të paqëndrueshme para se të shlyhen investimet në to.
Veçanërisht shqetësues është fakti se këto plane gjigante po imponohen nga jashtë përmes një ofensive të re diplomatike të SHBA-së, të njohur si “Korniza e Trampit për tubacionet e paqes”, që synon ta shndërrojë Evropën Qendrore dhe Lindore në konsumatore afatgjatë të gazit fosil të lëngshëm amerikan (LNG), në kundërshtim të drejtpërdrejtë me agjendën e dekarbonizimit të Bashkimit Evropian.
Vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut njoftoi fillimin e ndërtimit të interkonektorit të gazit me Greqinë, ndonëse procesi i shpronësimit ende nuk ka përfunduar dhe disa çështje juridike mbeten të pazgjidhura. Gjithashtu, është planifikuar ndërtimi i të paktën dy termocentraleve të tjera me gaz, duke tejkaluar ndjeshëm kufizimet e parashikuara në Planin aktual Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, përkatësisht në Strategjinë Energjetike.
Në vitin 2025 u nënshkrua një memorandum me kompaninë “Kazancı Holding” për ndërtimin e kapaciteteve të gazit dhe rrjeteve të shpërndarjes, por hollësitë e kësaj marrëveshjeje nuk janë bërë të ditura. Organizatat paralajmërojnë se këto marrëveshje po përdoren si mbulesë politike për të anashkaluar ligjet vendore, konsultimet publike dhe dokumentet strategjike.
Kjo dinamikë e rrezikshme po shfaqet në të gjithë rajonin, ndërsa shpërfillet fakti se BE-ja po largohet me shpejtësi nga gazi. Komisioni Evropian ka deklaruar qartë se nuk do të financojë projekte të reja të gazit në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Banka Evropiane e Investimeve (BEI) e ka përjashtuar shprehimisht financimin e projekteve të reja të gazit.
Kompanitë e ngrohjes qendrore në Serbi, për shkak të varësisë së madhe nga importet, tashmë po përballen me presione të shtuara financiare, ndërsa kalimi i sektorit industrial te gazi do ta dëmtonte drejtpërdrejt konkurrueshmërinë e ekonomisë vendore. I gjithë rajoni po futet me vetëdije në një proces në të cilin miliarda euro nga paratë publike mund të investohen në infrastrukturë që së shpejti mund të duhet të mbyllet.
Organizatat e mbledhura në takimin rajonal theksuan se Ballkani Perëndimor nuk duhet të shndërrohet në një terren eksperimental për teknologjitë ndotëse dhe në një treg për gazin natyror të lëngshëm amerikan, nga i cili vendet e zhvilluara po largohen gradualisht. Aktualisht, rajoni ka disa gigavat kapacitete të mundshme nga projektet e energjisë diellore dhe të erës, të cilat ose janë pezulluar, ose ndodhen në fazën e planifikimit.
Në vend që të investohen para në 2.700 kilometra tubacione të reja rajonale dhe në projekte gjigante të gazit me korporata të huaja, fondet publike dhe mbështetja nga institucionet financiare ndërkombëtare duhet të orientohen urgjentisht drejt efikasitetit energjetik, modernizimit të rrjeteve të shpërndarjes, instalimit të pompave të nxehtësisë dhe ruajtjes së energjisë.
Tranzicioni duhet të jetë i shpejtë dhe i drejtë, ndërsa qeveritë në të gjithë Ballkanin Perëndimor duhet të ndalojnë humbjen e kohës së çmuar duke nënshkruar projekte të dëmshme dhe më në fund të fillojnë të mbrojnë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve të tyre.