“Mbajeni linjën të lirë për ata që kanë më së shumti nevojë” është mesazhi i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), e cila u bëri thirrje qytetarëve që numrin e emergjencës 112 ta përdorin me përgjegjësi dhe vetëm në situata kur, siç thonë, ekziston rrezik i drejtpërdrejtë dhe nevojitet ndërhyrje urgjente, transmeton Portalb.mk.
“Në periudhën e kaluar kemi regjistruar një numër të madh thirrjesh që kanë të bëjnë me probleme të përditshme, mosmarrëveshje ndërpersonale, kërkesa për informacione, çështje administrative dhe situata të tjera në të cilat nuk ekziston rrezik i drejtpërdrejtë dhe nuk nevojitet reagim urgjent i shërbimeve kompetente”, njoftojnë nga QMK-ja.
Sipas QMK-së, çdo thirrje jo urgjente ua merr kohën operatorëve dhe zë kapacitetin e linjave telefonike.
“Në të njëjtin moment, ndihmën mund ta jetë duke e pritur një person, jeta ose shëndeti i të cilit është në rrezik, një viktimë e dhunës, një person i përfshirë në një aksident të rëndë trafiku ose një qytetar që përballet me ndonjë rrezik tjetër real”, theksojnë nga QMK-ja.
Aty rikujtojnë se në numrin 112 duhet të raportohen rastet kur ekziston rrezik i drejtpërdrejtë për jetën, shëndetin, sigurinë, pronën ose mjedisin jetësor dhe kur nevojitet ndërhyrja e policisë, Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, shërbimeve zjarrfikëse ose institucioneve të tjera kompetente.
“Nëse situata nuk kërkon reagim urgjent, drejtojuni institucionit ose shërbimit përgjegjës për problemin konkret përmes kanaleve të tij të rregullta të kontaktit. 112 nuk është numër informativ! 112 nuk është numër për problemet e përditshme! 112 është numër për raste urgjente”, thuhet në apelin e QMK-së.