Drejtori i Muzeut të Krushevës ka dhënë dorëheqje të parevokueshme pas polemikave për xhirimin e një pjese të videoklipit të reperit kosovar Don Xhoni në monumentin „Makedonium“ në Krushevë. Drejtori ka kërkuar falje për atë që e ka cilësuar si “lëshim të paqëllimshëm”, ndërsa përgjegjësinë për rastin e ka marrë mbi vete, transmeton Portalb.mk.
Rasti shkaktoi reagime edhe në nivel qeveritar. Para dorëheqjes, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se do të kërkojë shkarkimin e drejtorit të Muzeut Historik të Krushevës, si dhe të anëtarëve të Bordit Drejtues të këtij institucioni. Sipas tij, bëhet fjalë për një çështje që kërkon përgjegjësi institucionale për mënyrën se si është lejuar përdorimi i monumentit për xhirimin e videoklipit.
Në qendër të rastit është përdorimi i hapësirave të “Makedoniumit” për xhirimin e këngës „Sexy Mama“. Sipas informacioneve të publikuara, hapësirat e monumentit janë dhënë me qira për 500 euro. “Makedoniumi”, njihet edhe si Monumenti i Ilindenit, ndërsa konsiderohet edhe si një nga monumentet më të rëndësishme përkujtimore në vend.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, tha se rasti është i ndjeshëm dhe se do të shqyrtohen aspektet ligjore të vendimit për dhënien e hapësirës në përdorim. Ai theksoi se institucionet kulturore mund t’i japin hapësirat e tyre me qira, por duhet të shqyrtohet edhe për çfarë qëllimi dhe për çfarë përmbajtjeje përdoren ato.
Pas reagimeve, drejtori i Muzeut Historik të Krushevës njoftoi se po largohet nga detyra. Në deklaratën e tij, ai kërkoi falje për rastin dhe e përshkroi vendimin për lejimin e xhirimit si një gabim të paqëllimshëm.
Ndërkohë, autoritetet pritet të shqyrtojnë edhe përgjegjësinë e Bordit Drejtues të institucionit, pasi kryeministri Mickoski paralajmëroi se do të kërkojë shkarkimin edhe të anëtarëve të tij.