Këtë fundjavë fillon llogaritja dimërore e kohës

Të dielën, më 25 tetor, në orën 03:00 përfundon llogaritja verore dhe fillon llogaritja dimërore e kohës. Akrepat e orës do të zhvendosen një orë prapa, përkatësisht ora 03:00 do të llogaritet si ora 02:00, transmeton Portalb.mk.

Me këtë ndryshim, ditët do të shkurtohen pasdite, pra do të errësohet më herët, por edhe do të zbardhë më herët.

Llogaritja dimërore e kohës fillon çdo fundjavë të fundit të tetorit dhe zgjat deri në fundjavën e fundit të marsit të vitit të ardhshëm, kur rikthehet llogaritja verore e kohës.

Gjatë viteve të fundit ka pasur iniciativa për t’i dhënë fund praktikës së ndryshimit të orës, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.

Përveç në vend, llogaritja dimërore e kohës zbatohet edhe në shumë vende evropiane, me përjashtim të Islandës, Rusisë dhe Bjellorusisë.

Në mars të vitit 2019, Parlamenti Evropian votoi për heqjen e ndryshimit sezonal të orës nga viti 2021, por Këshilli i BE-së ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Ndryshimi sezonal i orës zbatohet edhe në disa vende të Amerikës Veriore dhe Qendrore, si dhe në disa shtete të tjera të botës.

Ora nuk ndryshohet në Japoni, Kinë, Korenë e Jugut dhe në vendet e kontinentit afrikan.

Llogaritje e kohës dimërore - verore