Dokumentari “Njerëz të mirë” për tragjedinë e Koçanit i Milço Mançevskit me premierë botërore në Sarajevë

Filmi dokumentar me metrazh të gjatë “Njerëz të mirë” i regjisorit Milço Mançevski do ta ketë premierën e tij botërore më 16 gusht në Festivalin e Filmit në Sarajevë, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një nga festivalet më prestigjioze të filmit në Evropën Juglindore, ndërsa “Njerëz të mirë” do të garojë në përzgjedhjen zyrtare për çmime.

“Njerëz të mirë” trajton tragjedinë në Koçan dhe Mançevski e ka realizuar si një homazh për viktimat dhe heronjtë e zjarrit.

“Për fëmijët, për nipërit e mbesat”, thotë Mançevski.

Ai dhe ekipi i vogël që realizoi dokumentarin, theksojnë nga ekipi i tij, e krijuan filmin pa mbështetjen e shtetit, në një periudhë kur, sipas tyre, regjisori “ishte vendosur në listën e zezë të Agjencisë së Filmit”.

“Mendimi im i parë ishte për viktimat, të mbijetuarit dhe heronjtë, për faktin se askush prej nesh nuk mund ta ndiejë plotësisht madhësinë e kësaj dhimbjeje. Doja t’i dëgjonim ata që u prekën më shumë dhe t’u jepja zë njerëzve të mirë. Filluam xhirimet menjëherë, vetëm një muaj pas tragjedisë. Kjo ishte më e pakta që mund të bënim si shenjë e respektit dhe solidaritetit të madh. Ky film është i tyre. Ne ishim aty vetëm për t’i mbështetur dhe për të përcjellë fjalët, mendimet, përvojat dhe emocionet e tyre”, tha Mançevski në deklaratën e përcjellë nga ekipi i tij.

Natën mes 15 dhe 16 marsit 2025, në diskotekën “Puls” në Koçan, e cila funksiononte pa lejet përkatëse, shpërtheu një zjarr nga mjetet piroteknike të përdorura gjatë performancës së grupit muzikor DNK.

Nga zjarri në objektin, i cili nuk i plotësonte kushtet për destinimin për të cilin përdorej, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.

FilmaKoçaniKulturë lajme