Me donacionin e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, Drejtoria e doganave ka vënë zyrtarisht në përdorim kamera trupore në punën e zyrtarëve doganorë në tre vendkalime kufitare, Tabanoc, Bllacë dhe Qafë Thanë, me përdorimin e të cilave pritet të forcohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Gjatë kryerjes së detyrave të tyre, zyrtarët doganorë do të kenë të drejtë të regjistrojnë të gjithë procedurën, ndërsa incizimet më vonë mund të përdoren si dëshmi në procedurat kundërvajtëse dhe penale. Sistemi i kamerave trupore u promovua sot në një ngjarje zyrtare nga drejtori Boban Nikollovski dhe ushtruesja e punëve të Ambasadës së SHBA-së në vend, Nikoll Varns, transmeton Portalb.mk.
“Me 30 kamerat trupore të siguruara, së bashku me të gjithë sistemin dhe infrastrukturën, kemi marrë një sistem i cili duhet të mundësojë mbrojtje më të madhe të zyrtarëve doganorë, parandalim dhe luftë efikase kundër korrupsionit, si dhe transparencë dhe besim më të madh në sistem. Drejtoria e doganave duhet të jetë një institucion modern, profesional dhe një institucion në të cilin qytetarët kanë besim, por edhe një institucion në të cilin çdo zyrtar doganor i ndershëm dhe profesional e di se puna e tij është e mbrojtur dhe e vlerësuar”, theksoi drejtori Nikollovski.
Ushtruesja e punëve të Ambasadës së SHBA-së, Nikoll Varns, tha se institucionet e fuqishme janë themeli i një shoqërie të sigurt dhe të begatë, ndërsa dorëzimi i pajisjeve të sotme është shprehje e përkushtimit të Qeverisë së SHBA-së për të ndërtuar marrëdhënie efikase që njëkohësisht avancojnë interesat e SHBA-së dhe interesat e aleatëve të saj.
“Politika e SHBA-së për ndihmën e huaj është e qartë: ajo duhet të japë rezultate, të promovojë vetëqëndrueshmërinë dhe të sigurojë që burimet amerikane të përdoren në mënyrë efikase dhe strategjike. Përmes këtij donacioni synojmë forcimin e institucioneve demokratike, luftimin e korrupsionit dhe mbështetjen e rritjes ekonomike. Kamerat mobile do ta ndihmojnë Administratën Doganore të përmirësojë transparencën, të parandalojë aktivitetet e paligjshme dhe të ndërtojë besimin e publikut, që janë objektiva kyçe në luftën e përbashkët kundër trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar. E dimë se zyrtarët doganorë janë linja e parë e mbrojtjes kur bëhet fjalë për substanca të paligjshme, mallra të ndaluara dhe veprime kriminale që kalojnë kufijtë. Duke i pajisur zyrtarët doganorë me teknologji moderne, u mundësojmë atyre t’i kryejnë detyrat e tyre me integritet dhe efikasitet më të madh. Kjo, nga ana tjetër, i mundëson Maqedonisë së Veriut të përmbushë detyrimet e saj si një partner i qëndrueshëm në sigurinë rajonale dhe globale”, theksoi Varns.
.