Zyrtarët doganorë kanë parandaluar një tentativë për kontrabandë të 12,5 tonë frutash dhe perimesh në pikën kufitare “Bogorodicë”, transmeton Portalb.mk.
Nga Drejtoria e Doganave njoftuan se mallrat e gjetura kanë një vlerë totale prej 1,4 milion denarë. Frutat dhe perimet u zbuluan gjatë kontrollit të mallrave në procedurë tranziti, ku u konstatua se ato nuk ishin deklaruar në dokumentet doganore.
“Në total u gjetën 750 kilogram ananas, mbi 3 ton avokado, 2,5 ton speca djegës, 600 kilogram brokoli, 2,3 ton luleshtrydhe, 3,3 ton kivi dhe 40 kilogram kërpudha”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Mallrat e padeklaruara u sekuestruan.
Kundër personit të dyshuar që tentoi të kontrabandojë mallrat është ngritur padi penale për kryerjen e veprës penale të kontrabandës.