28 shtatori është Dita Ndërkombëtare e të Drejtës për Informim. 22 vjet më parë, më 28 shtator 2002, përfaqësues të organizatave joqeveritare nga e gjithë bota, përfshirë nga Maqedonia, lobistë dhe mbrojtës të idesë së lirisë në informim, në një takim në Sofje, Bullgari, formuan Rrjetin e Mbrojtësve të Lirisë në Informim. Në këtë takim, të pranishmit ranë dakord që të bashkëpunojnë në promovimin e të drejtës për qasje në informacione dhe menaxhim transparent. Sot kjo ditë njihet nga UNESCO dhe OKB si Dita Ndërkombëtare e Qasjes Universale në Informacione (International Day of Universal Access to Information), nën moton “Kam të drejtën të di”, transmeton Portalb.mk.
Sipas Fondacionit Metamorfozis, i cili publikoi matjet e Indeksit të Hapjes për vitin 2025, luftimi i korrupsionit bëhet vetëm përmes rritjes së transparencës së institucioneve.
Situata në Maqedoninë e Veriut
Raporti gjashtëmujor i Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik për periudhën janar-qershor 2025, evidenton një problem serioz dhe të vazhdueshëm me heshtjen administrative në institucionet publike të Maqedonisë së Veriut. Nga gjithsej 333 ankesa të pranuara, 234 ose 70.27% kishin të bëjnë me mosveprim të institucioneve ndaj kërkesave për informim brenda afatit ligjor. Institucionet me numrin më të lartë të ankesave për heshtje janë Ministria e Financave, Komuna e Dollnenit dhe Qyteti i Shkupit, transmeton Portalb.mk.
- LEXO: Skandal: 70% e ankesave për informim publik ‘zhduken’ nëpër zyrat shtetërore në Maqedoninë e Veriut
Raporti thekson se kjo praktikë nuk është rezultat i dështimeve të izoluara, por pasojë e një kulture të mbyllur institucionale, mungesës së mekanizmave të brendshëm për trajtimin e kërkesave, mungesës së transparencës proaktive dhe një niveli të ulët të llogaridhënies. Heshtja e institucioneve vlerësohet si një formë sistematike e shkeljes së të drejtës për informim dhe një tregues i mosrespektimit të sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë publike.
“Duke pasur parasysh shkallën e lartë të ankesave të paraqitura për shkak të heshtjes administrative, Agjencia ka krijuar një praktikë sistematike të përgatitjes së raporteve analitike kushtuar heshtjes administrative. Këto raporte shërbejnë si një instrument për monitorimin, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe propozimin e reformave në këtë praktikë negative. Roli i tyre në identifikimin e dobësive institucionale dhe nxitjen e llogaridhënies është thelbësor për qeverisjen e mirë dhe zhvillimin demokratik”, thuhet në raport.
Analiza e numrit dhe karakterit të ankesave për shkak të heshtjes së administratës (1 janar – 30 qershor 2025)
Në periudhën e analizuar, në Agjenci u paraqitën gjithsej 333 ankesa, nga të cilat madje 234 ose 70.27%, kanë të bëjnë me heshtjen e administratës, përkatësisht mosveprimin ndaj kërkesave për qasje në informacione publike brenda afatit të përcaktuar ligjor. Këto të dhëna përfaqësojnë një vazhdim të trendit shqetësues të vërejtur në vitet e mëparshme dhe tregojnë nevojën për ndërhyrje sistemike.
Institucionet me numrin më të lartë të ankesave për shkak të heshtjes:
Në periudhën nga 01.01.2025 deri më 30.06.2025, më shumë ankesa u paraqitën kundër institucioneve të mëposhtme:
- Kundër Ministrisë së Financave – nga gjithsej 51 ankesa, 48 ankesa janë për shkak të heshtjes së administratës,
- Kundër Komunës së Dollnenit – 16 dhe të gjitha për shkak të heshtjes,
- Kundër Qytetit të Shkupit – nga gjithsej 13, 9 ankesa janë paraqitur për shkak të heshtjes,
- Kundër Komunës së Karposhit – nga gjithsej 12, 9 ankesa janë paraqitur për shkak të heshtjes,
- Kundër Ministrisë së Shëndetësisë – nga gjithsej 10 ankesa, 9 janë për shkak të heshtjes,
- Kundër Komunës së Ohrit – nga gjithsej 7, 6 ankesa janë paraqitur për shkak të heshtjes,
- Kundër Komunës së Çairit – 6 dhe të gjitha për shkak të heshtjes së administratës,
“Të dhënat e mësipërme tregojnë se heshtja e administratës nuk kufizohet vetëm në institucione individuale, por është e përhapur në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe në sektorë të ndryshëm, veçanërisht midis organeve të qeverisjes qendrore dhe vendore”, thonë nga Agjencia.
Komuna e RMV-së mbeten jotransparente, rajoni i Pollogut më i mbylluri
Sipas Indeksit të Hapjes për vitin 2025, pavarësisht rritjes së lehtë në vitin 2025, komunat e RMV-së ende të mbyllura ndaj qytetarëve me vetëm 40% transparencë. Demir Kapia, Sopishta, Llozova, Studeniçani dhe disa NJVL të tjera që përmbushin më pak se 25% të treguesve të Indeksit të Hapjes. Rezultati më i ulët mesatar është regjistruar në fushën e ndërgjegjësimit (24%), që tregon dobësi serioze në planifikim, monitorim dhe vlerësim të politikave publike.
Rajoni i Pollogut mbetet më i mbylluri me 32.3%, ndërsa rajoni i Vardarit ka shënuar regres për shkak të rënies drastike të nivelit të hapjes së Demir Kapisë. Këtë gjendje e pasqyron hulumtimi “Vlerësimi i qeverisjes së mirë në njësitë e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes Indeksit të Hapjes për vitin 2025” i realizuar nga Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.
“Hulumtimi i vitit 2025 krahasuar me vitin 2024 tregoi një rritje të lehtë të transparencës së vetëqeverisjes lokale, gjë që lë shumë hapësirë për përmirësim. Krahasuar me vitin 2024, kur vetëqeverisjes lokale përmbushi mesatarisht 37% të treguesve të transparencës, në vitin 2025 mesatarja e transparencës arriti në 40%, që është një rritje prej 3% në një vit. Edhe pse përpjekjet e disa komunave për të rritur transparencën e tyre janë të dukshme, kjo përqindje ende tregon një nivel të ulët të transparencës në punën e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në hulumtim.
Ashtu si në vitin 2024, edhe në vitin 2025, NJVL-të kanë rezultatin më të lartë mesatar në fushën e transparencës (49%), ndërsa rezultatin më të ulët mesatar në fushën e ndërgjegjësimit (24%). Progresi më i madh vërehet në fushat e transparencës, ndërgjegjësimit dhe integritetit, pra një rritje prej 3%.
Transparencë me “doza”: Qeveria e RMV-së e hapur vetëm aty ku i konvenon
Në pamje të parë Qeveria e Maqedonisë së Veriut duket e hapur: njofton për aktivitete, shpërndan komunikata dhe deklaron përkushtim ndaj Strategjisë për Transparencë 2023–2026. Por, pas fasadës së hapjes fshihet një praktikë selektive: institucionet vetë vendosin cilat pika të rendit të ditës të publikohen, cilat dokumente të vonohen dhe cilat të mbahen të mbyllura. Gazetarët flasin për barriera serioze në qasjen në informacione kyçe, ndërsa sektori civil paralajmëron se transparenca e dobët gërryen demokracinë dhe zvogëlon llogaridhënien.
Rastet e mosdhënies së procesverbaleve edhe pas vendimeve detyruese të Agjencisë për Qasje të Lirë, ilustron qartë këtë hendek mes premtimeve dhe praktikës. Mirëpo ekzekutivi, natyrisht nuk e pranon dhe thotë se është i hapur, por se procesverbalet dhe dokumentet nuk mund të publikohen menjëherë sepse duhet së pari të përgatiten, të verifikohen dhe të miratohen në një seancë pasuese, dhe se deri atëherë publiku njoftohet vetëm me komunikata të përgjithshme.
Gazetarët thonë se transparenca e Qeverisë është kryesisht fasadë: ajo vetë zgjedh çfarë informacioni të ndajë dhe kështu u kufizon qasjen në të dhëna kyçe. Sipas tyre, kjo pengon gazetarinë hulumtuese, vonon procesin e marrjes së dokumenteve dhe ul mundësinë për të zbuluar abuzime apo parregullsi.
Mungesa e transparencës, shton ajo, është një terren pjellor për zhvillimin e korrupsionit dhe një nga mënyrat për të promovuar transparencën është përmes digjitalizimit të proceseve dhe se digjitalizimi imponohet pikërisht si një mjet për të luftuar korrupsionin, gjë që tregon se praktikat korruptive tani manifestohen më lehtë në kushte të transparencës së ulët.
Qeveria dhe Ministritë e kanë për detyrim që t’i publikojnë dokumentet dhe seancat që mban, kjo sipas Strategjisë për transparencë 2023-2026, mirëpo praktika tregon se gazetarët, për informacionet që nuk publikohen aktivisht, duhet të përdorin mekanizmat ligjorë për qasje në informacion me karakter publik dhe madje edhe pas kësaj injorohen.
Sidoqoftë, situata tani, krahasuar me dhjetorin 2024 dhe qershor 2025, kur Portalb.mk e ka trajtuar si temë këtë çështje ku mungesa e procesverbaleve në gjuhën shqipe ishte e dukshme, por edhe në atë maqedonase, aktualisht ka një përmirësim të lehtë. Edhe pse mungojnë ende, pjesa dërrmuese e procesverbaleve janë publikuar edhe në shqip. Megjithatë, mungesa e përkthimeve të plota dhe vonesat në publikimin e dokumenteve vazhdojnë të jenë shqetësuese, duke treguar se ende ka hapësirë për përmirësim në transparencën dhe zbatimin e ligjit në institucionet shtetërore.
- LEXO: Metamorfozis publikoi matjet: Luftimi i korrupsionit bëhet vetëm përmes rritjes së transparencës së institucioneve
- LEXO: Transparencë me “doza”: Qeveria e RMV-së e hapur vetëm aty ku i konvenon
- LEXO: Qeveria e RMV-së jotransparente në punën e saj, në shqip s’bëhet fjalë po as në maqedonisht, arsyetimi: Jemi cak i hakerëve
- LEXO: “Ka ligj, por ka edhe Maliq”, Presidenca e RMV-së “nuk e njeh” shqipen, Qeveria pjesërisht, ndërsa Kuvendi po
- LEXO: Procesverbalet “nga dje” nuk janë në gjuhën shqipe, Mexhiti nuk e thotë të vërtetën dhe pamjet e dëshmojnë këtë (VIDEO)
- LEXO: Fetai sikurse Mexhiti: Procesverbalet e Qeverisë së RMV-së “janë edhe shqip”, por faktet i përgënjeshtrojnë (Video)