Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka paguar 18,6 milionë denarë ose rreth 303.320 euro për shpenzime rrugore që i kanë kërkuar deputetët gjatë një periudhe prej 13 muajsh, tregojnë të dhënat e siguruara nga Radio Evropa e Lirë (REL) përmes qasjes së lirë në informacion me karakter publik, transmeton Portalb.mk.
Të dhënat tregojnë se shuma prej 303.320 eurosh – nga të cilat 26.717 për pagesat rrugore dhe 276.603 për karburant – u është paguar 65 nga 120 deputetët në përbërjen aktuale parlamentare dhe i referohet periudhës nga dita e seancës konstituive – 28 maj të vitit 2024 deri më 30 qershor të vitit 2025.
Gjatë së njëjtës periudhë nëntë deputetë e kanë shfrytëzuar të drejtën e marrjes me qira të një apartamenti, për çka janë shpenzuar 44.522 euro.
Të dhëna të tilla tregojnë se jo të gjithë deputetët që jetojnë jashtë Shkupit e shfrytëzojnë të drejtën e kompensimit për shpenzimet rrugore ose për qiranë për apartamente, si dhe se shuma është më e ulët krahasuar me disa vite paraprake kur nga buxheti çdo vit “shpenzoheshin” 700-800 mijë euro.
Sa më larg Shkupit, aq më të larta shpenzimet rrugore
Nga përbërja aktuale parlamentare, ashtu si edhe në ato paraprake, më shumë para për shpenzime rrugore marrin deputetët që kanë “kilometrazhin më të madh” ose jetojnë më larg nga Shkupi. Shuma më e lartë për këto 13 muaj i është paguar deputetit të VMRO-DPMNE-së Kire Bozhinovski nga Prespa. Ai ka marrë rreth 13.200 euro (810.897 denarë) ose mesatarisht nga 1.000 euro në muaj.
Bashkëpartiaku i tij nga Prilepi, Petar Risteski zë vendin e dytë në listë me 12.000 euro (741.375 denarë).
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, i cili vjen nga Struga, ka marrë rreth 10.800 euro (661.892 denarë).
Rreth 10.000 euro (603.631 denarë) ka marrë edhe një deputet nga Struga, Jovan Mitreski nga LSDM-ja.
Nga rreth 9.150 euro u janë paguar edhe deputetëve të VMRO-DPMNE-së Zoranço Jovançev nga Kavadari (562.459 denarë) dhe Julija Tushevska nga Vallandova (561.568 denarë).
Në mesin e atyre që kanë marrë më shumë para është edhe ish-deputeti Selim Sulejmani nga Aleanca për Shqiptarët krahu i udhëhequr nga Arben Taravari, i cili ka marrë 9.000 euro (552.154 denarë). Sulejmani dha dorëheqjen në muajin maj, pothuajse në të njëjtën kohë kur Таravari e lëshoi koalicionin VLEN, për çka publikisht e kritikoi për “afrim me BDI-në“.
Me shpenzime rrugore prej 500.000 denarësh, përkatësisht mbi 8.000 euro në përbërjen aktuale parlamentare janë edhe dy deputetë nga Prilepi – Dejan Prodanoski nga VMRO-DPMNE-ja dhe Mile Taleski nga LSDM-ja. Ata kanë marrë nga rreth 8.800, përkatësisht 8.300 euro.
Deri më 400 euro për qira për një apartament
Krahas mundësisë që deputetët të marrin kompensim për shpenzimet rrugore, përkatësisht për karburant, pagesa rrugore dhe amortizim të automjetit, nga viti 2018 u prezantua mundësia e marrjes me qira të një apartamenti për një shumë prej deri në 400 euro në muaj, e cila i paguhet drejtpërdrejt qiradhënësit.
Deputetët që e zgjedhin këtë opsion kanë të drejtë për kompensim vetëm për katër udhëtime në muaj nga dhe drejt vendbanimit të tyre.
Megjithatë, me sa duket ky opsion është më pak tërheqës për deputetët duke pasur parasysh se vetëm nëntë deputetë nga përbërja aktuale parlamentare kanë vendosur të marrin me qira një apartament në Shkup.
Qiraja që është paguar për apartamentet gjatë 13 muajve të fundit sillet nga 4.000 deri në 5.000 euro, ose mesatarisht nga 300 dhe 400 euro në muaj.
Tentativa për reduktimin e shpenzimeve
Shpenzimet rrugore të zyrtarëve vazhdimisht shkaktojnë reagime të ashpra tek opinioni.
Kështu, në një përpjekje për të mos “shtrydhur” mijëra euro nga buxheti për këtë qëllim, në vitin 2018, përveç opsionit të marrjes me qira të një apartamenti, u bënë ndryshime të tjera në përllogaritjen e shpenzimeve rrugore. Ndër to ishte ulja e kompensimit nga 30 në 20 përqind për kilometër të çmimit të shitjes së një litri karburant për automjetin që përdoret.
Përpjekja e fundit ishte në muajin shkurt të këtij viti, kur grupi parlamentar i partisë E Majta dorëzoi një propozim-ligj për kufizimin shpenzimeve rrugore dhe për përllogaritjen e tyre sipas çmimit të tregut prej 6,5 litrash për çdo 100 kilometra të përshkuara. Por, propozimi nuk u pranua dhe as nuk u vu në rend të ditës.
Tre milionë euro për pesë vjet, dyshime për keqpërdorime
Shumë e ngjashme për shpenzime rrugore si për 13 muajt e kaluar është shpenzuar edhe në vitin 2023. Siç publikoi atëkohë agjencia “Meta”, në këtë vit janë paguar 366 mijë euro.
Përbërja e mëparshme e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK) në vitin 2020 doli me një analizë ku thuhej se për pesë vjet – nga viti 2015 deri në vitin 2019, deputetët kanë marrë tre milionë euro për shpenzime rrugore.
Më konkretisht shumat sipas viteve ishin si vijon: në vitin 2015 – 770 883 euro; në vitin 2016 – 698 797; në vitin 2017 – 512 000; në vitin 2018 – 522 930; dhe vitin 2019 – 390 993 euro.
Antikorrupsionerët e atëhershëm shprehën dyshime edhe për abuzime nga deputetët që kanë apartamente ose apartamente në emër të anëtarëve të familjes së tyre të ngushtë në Shkup, por sërish kërkojnë shpenzime rrugore.
KShPK atëkohë kërkoi që rregulloret për këtë çështje të jenë në përputhje me mundësitë dhe nevojat reale, si dhe të ketë kritere më të sakta për kompensimet që i marrin deputetët.
Lidhur me shpenzimet rrugore të deputetëve për shkak të dyshimeve për mashtrim deri më tani është zhvilluar vetëm një proces gjyqësor, por edhe ai përfundoi me aktgjykim lirues. Bëhet fjalë për rastin “Drumarina” të cilin e ngriti ish Prokuroria Speciale Publike (PSP) kundër ish-deputetes së VMRO-DPMNE-së nga Strumica, Sillvana Boneva.
Prokuroria pretendonte se ajo kishte dorëzuar fatura fiskale të rreme nga pagesat rrugore, gjegjësisht nga persona të tjerë dhe në këtë mënyrë kishte dëshmuar se kishte bërë 904 udhëtime nga Strumica në Shkup për të marrë pjesë në seancat në Kuvend. Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë ajo në mënyrë të paligjshme kishte marrë rreth 100.000 euro për shpenzime rrugore gjatë një periudhe prej pesë vitesh, ndërsa nga ana tjetër ka pasur apartamente në kryeqytet dhe nuk ka udhëtuar për secilën seancë.
Boneva i mohoi akuzat, duke pretenduar se akuza ishte e pavërtetë dhe arbitrare. Pas më shumë se tre viteve që nga fillimi i procesit gjyqësor, Gjykata Themelore Penale në Shkup në muajin shkurt të vitit 2024 solli aktgjykim lirues sepse konstatoi se prokuroria “nuk e dëshmoi përtej çdo dyshimi të arsyeshëm krimin për të cilin akuzohej e pandehura”.
- LEXO: RMV, deputetët në Kuvend nuk pranuan uljen e shpenzimeve për udhëtimet e tyre
- LEXO: Deputetët e RMV-së vitin e kaluar morën edhe nga 1.000 euro në muaj për shpenzime rrugore (Infografik)
- LEXO: Deputetët shqiptarë që harxhuan më shumë para të qytetarëve për shpenzime rrugore në 2023 (Infografik)