Në Tetovë në çdo cep të qytetit krijohen mini deponi nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Një ndër to është edhe deponia me mbetje ndërtimore dhe jo vetëm e cila gjendet në hyrje të qytetit nga ana e stadiumit, pak më poshtë se stadiumi i vjetër i qytetit. Për këtë problem zgjidhje u kërkua edhe në këshillin komunal të Tetovës, ndërkaq nga Sektori për Veprimtari Komunale thanë se e njëjta do pastrohet pas asfaltimit të rrugës që kalon nën deponinë, e cila është në plan të bëhet këtë vit, shkruan Portalb.mk.
Sapo mbaron bulevardi “Bllagoja Toska” nga ana e Kazermës së qytetit deri te rrethrrotullimi ku rruga më tej është e paasfaltuar, mbi këtë rrugë, nën stadiumin e vjetër të qytetit gjendet një deponi e krijuar me mbetje ndërtimore dhe mbeturina të tjera, madje aty janë rritur edhe kullosat dhe disa mbetje kanë ngelur nën kullosa.
Këtë çështje në Këshillin Komunal e ngriti edhe këshilltari nga Alternativa – Faton Selami i cili kërkoi që të pastrohet e njëjta.
“Kur do largohet kjo deponi me mbetjet inerte? Pasi që siç e dimë, nëse nuk gaboj vitin e kaluar në muajin mars, Inspektorati Komunal pati një prezantim ku në atë prezantim u premtua se do largohet ajo deponi, mirëpo deri sot nuk ka zhvillime aty dhe ende ekziston ajo deponi”, tha Selami.
Për këtë problem, nga Komuna e Tetovës, udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Komunale – Memet Jonuzi tha se vitin e kaluar është ndërhyrë në atë pjesë, ku ndërmarrjet që paraprakisht i kishin pasur të deponuara në atë pjesë mbetjet e tyre inerte që kanë punuar gjatë vitit 2021, ata i bartën pjesën që ishte e tyre. Megjithatë, aty prapë janë hedhur mbetje.
Jonuzi sqaroi se mbetjet inerte dhe mbeturinat do të pastrohen pasi të asfaltohet rruga e cila kalon afër Kazermës. Ai tha se kjo rrugë e cila është edhe pjesë e “Bllagoja Toskës” që kap gjatësinë prej 450 metrash është në përfundim të projektit, ai përmendi se me punë planifikohet të fillohet pas muajit korrik-gusht.
“Kur të vijë në radhë që të realizohet, mendojmë që me depërtimin e kësaj rruge do të na jepet mundësi”, tha Jonuzi.
Kur jemi te kjo rrugë, e njëjta është në gjendje të keqe të paasfaltuar dhe përbën problem për banorët tani e disa dekada. Ata në fund të vitit të kaluar protestuan që e njëjta të rregullohet. Ndërkaq nga komuna patën thënë se e njëjta është në plan për vitin 2023 për tu realizuar.