Mickoski nga Berlini: BE duhet të mbështesë vendet që tregojnë pjekuri dhe bashkëpunim

Kryeministri, Hristijan Mickoski, gjatë qëndrimit të tij në Berlin, theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të mbështesë vendet që demonstrojnë pjekuri dhe angazhim për qëllime të përbashkëta. Ai nënvizoi se Maqedonia po bën shumë në këtë drejtim dhe se është e rëndësishme që të ketë mbështetje nga BE për avancimin e proceseve integruese, transmeton Portalb.mk.

Mickoski theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat tregojnë një nivel të lartë bashkëpunimi dhe angazhimi në reforma, meritojnë vëmendje dhe përkrahje për të avancuar më tutje në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ai shprehu optimizmin se Maqedonia është në një pozicion të favorshëm për të kontribuar në stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

Kryetari i VMRO-DPMNE tha gjithashtu se është e nevojshme që BE të përmbushë premtimet e saj për të ofruar një perspektivë të qartë për anëtarësim për vendet e rajonit, duke përfshirë Maqedoninë, për të forcuar bashkëpunimin dhe paqen në Ballkan.

Në Berlin sot filloi takimi i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të Berlinit. Në samit erdhën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i Serbisë, Milos Vuçeviq, i Malit të Zi, Milojko Spajiq, i Kroacisë, Andrej Plenkovic, i Shqipërisë, Edi Rama, i Kosovës, Albin Kurti, i Hungarisë, Viktor Orban dhe Presidenti i Këshilli i Ministrave të BeH, Borjana Kristo, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nikoqir është kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, së bashku me Ministrin për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski, Ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe Ministrin për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot dhe nesër janë në vizitë të Berlinit, Republika Federale e Gjermanisë, ku do të zhvillohet takimi i krerëve të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit”, njoftuan nga Qeveria e RMV-së.

Pjesëmarrës në takim janë tradicionalisht siç e përmendëm edhe më lartë, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vendet mbështetëse të tyre Austria, Franca, Italia, Sllovenia, Kroacia, Britania e Madhe, Polonia dhe nga viti 2019 edhe Greqia dhe Bullgaria, si dhe presidenca e rradhës së Këshillit të BE, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA dhe Zyra Rajonale Rinore (RYCO).

Parashikohen edhe takime të tjera bilaterale të kryeministrit Mickoski.

Kujtojmë se Samiti i Procesit të Berlinit, vitin e kaluar u zhvillua në Tiranë, për herë të parë, në një shtet joanëtar të Bashkimit Europian, në Shqipëri.

Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, synon të rrisë bashkëpunimin mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimin ekonomik të tyre. Kjo iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, nëpërmjet ish-kancelares Angela Merkel dhe ish-ministrit të Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, synon lehtësimin e zhvillimit në drejtim të “pajtimit, stabilizimit, sektorit energjetik, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut dhe të shtet-ndërtimit” mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë).

Hristijan Mickoski HristianKonferenca Samiti Procesi i Berlinit