Debat publik për draft Strategjinë për transparencë: Nëse korrupsioni është sëmundje, transparenca është ilaçi

Në Veles u mbajt debati i dytë publik për draft Strategjinë për Transparencë 2023-2026, organizuar nga Kabineti Qeveritar për Politika të qeverisjes së mirë, në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, në debatin publik u drejtua me një citim të ish-sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan: “Nëse korrupsioni është sëmundje, transparenca është pjesë qendrore e trajtimit të tij. “

Me këtë ilustroi rëndësinë e jashtëzakonshme të transparencës, si parim i mirëqeverisjes, në përballjen e dukurive shkatërruese korruptive në shoqëri.

“Forcimi i transparencës në të gjitha nivelet në sistem është një nga parakushtet më të rëndësishme për parandalimin e korrupsionit dhe për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të institucioneve, të cilat duke inkorporuar dhe zbatuar në mënyrë konsekuente këtë parim bëhen më të përgjegjshme, më të ndërgjegjshëm dhe më efikase në kryerjen e funksionit të tyre si shërbim ndaj qytetarëve”, theksoi Gërkovska.

Ajo iu referua faktit se në vitet e fundit transparenca e institucioneve është përmirësuar dukshëm dhe kjo për shkak të vendosmërisë për të krijuar mekanizma, miratimin e legjislacionit përkatës dhe zhvillimin dhe zbatimin e politikave. Kjo, sipas Gërkovskës, ka rezultuar në forcimin e disiplinës fiskale me hapjen e thesarit, e cila i mundësoi opinionit të ketë një pasqyrë të shpenzimeve, por edhe duke i hapur institucionet për publikun dhe duke mundësuar qasje më të lehtë në informata.

Dançe Danilovska-Bajdevska, drejtoreshë programore në Fondacionin Metamorfozis, tha se fondacioni ka punuar për gati dy dekada për të forcuar vetëdijen dhe kapacitetet e qytetarëve dhe shoqërisë civile në mënyrë që ata të marrin plotësisht rolin e aktivistëve për demokracinë, duke mbështetur autoritetet në përmbushjen e rolit të tyre demokratik për të punuar për të mirën e shoqërisë.

“Metamorfozis ka kryer kërkime përmes Indeksit të Hapjes për shtatë vite me radhë dhe sugjeron se në shumë raste prania e politikave përkatëse të hapjes nuk ka kontribuar në rritjen e ndjeshme të hapjes dhe transparencës së të gjitha institucioneve të pushtetit ekzekutiv. Është vërejtur mungesa e një qasjeje strategjike ndaj hapjes në vend”, tha Danilovska-Bajdevska.

Prandaj, në këtë mënyrë, Metamorfozis ofron një proces gjithëpërfshirës nga të gjithë aktorët për të përcaktuar drejtimin strategjik për funksionimin transparent të institucioneve. Përmes dokumentit, angazhimi është që të vendoset një kulturë e funksionimit transparent të institucioneve, në mënyrë që të parandalohet ndikimi i zyrtarëve në transparencën e institucioneve.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është një nga vendet e pakta që përgatit dokumente strategjike siç është Strategjia për transparencë dhe hapat e mëtutjeshëm synojnë ruajtjen e hapjes, pa u tërhequr nga ajo që është arritur deri më tani, dhe institucionet që po shkojnë prapa duhet të arrijnë nivelin e atyre që kanë bërë përparimin më të madh në aspektin e transparencës.

Sipas Irena Bojaxhievskës, eksperte që ka punuar në këtë strategji, praktikat e qeverisjes së mirë dhe qeverisjes së hapur duhet të bëhen standard në punën e përditshme.

Strategjia e Transparencës 2023-2026 dhe Plani i Veprimit shoqërues, të cilat sot ishin objekt i një seance të dytë publike, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe medias, parashikojnë një qasje strategjike që duhet të forcojë ndjeshëm ndërgjegjësimin, por edhe veprimin proaktiv të kësaj fushe.

Debat publikFondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)Slavica Grkovska SllavicaTë dhëna të hapuraTransparencë institucionale