Tregjet globale tashmë po i ndiejnë efektet e Luftës së Gjirit, për momentin për shkak të ndërprerjes së dërgesave të naftës, por rreziku i vërtetë i një tronditjeje çmimesh vjen nga ndërprerja e furnizimit me plehra. Transporti i ndërprerë, veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit, përbën kërcënim serioz për një valë të re rritjesh të çmimeve të ushqimeve, transmeton Racin.
Problemi kryesor është se ky rajon është një “grykë bllokimi” për industrinë bujqësore në botë. Rreth 25-35% e tregtisë globale të plehrave azotike dhe lëndëve të para kryesore kalon përmes Hormuzit, i cili tani është pjesërisht i bllokuar ose i pasigurt për transport.
Në të njëjtën kohë, Reuters analizon se sulmet ndaj objekteve të energjisë dhe industrisë po zvogëlojnë prodhimin e uresë – plehu më i përdorur gjerësisht në botë.
Në një artikull të titulluar Çmimet e ushqimeve do të shpërthejnë deri në fund të vitit, Bloomberg Adria paralajmëron se rreziku për bujqësinë po rritet për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, i cili është gjithashtu thelbësor për transportin e lëndëve të para për prodhimin e plehrave.
Konkretisht, Lindja e Mesme është eksportuesi më i madh i këtyre lëndëve të para, për shembull, në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2025, Shtetet e Bashkuara shpenzuan 5 miliardë dollarë për importe nga vendet e Gjirit, dhe mbi gjysma e shumës përfundoi në Katar. Ekonomitë e Gjirit Persik eksportuan plehra azotike me vlerë 50 miliardë dollarë gjatë së njëjtës periudhë.
“Pa plehra, rendimentet ulen. Nëse rendimentet ulen, atëherë ka më pak drithëra, oriz ose ndonjë ushqim në treg”, tha Philip Sunderland, një tregtar plehrash në kompaninë Aquafert. “Mund të ketë vonesë prej gjashtë deri në nëntë muajsh midis kohës kur të korrat e gjelbra nxirren nga toka dhe kur ushqimi arrin në tryezën tuaj. Por inflacioni mund të pritet të shpërthejë rreth Krishtlindjeve”, thotë ai.
Efektet e para janë tashmë të dukshme. Sipas The Economic Times, çmimet e plehrave po rriten me 10-40% në afat të shkurtër, dhe në disa tregje kërcimet po arrijnë mbi 30%.
Ndërkohë, Reuters njofton se ka parashikime për një dyfishim të mëtejshëm nëse kriza zgjatet.
Kjo rritje po ndikon drejtpërdrejt në ushqim. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, çdo rritje prej 1% e çmimeve të plehrave mund të rrisë çmimet e ushqimeve me rreth 0.45%. Kjo do të thotë që rritjet aktuale dyshifrore të çmimeve tashmë po krijojnë bazën për një valë të re inflacioni në bujqësi.
Një rrezik shtesë është koha. Kriza po ndodh pak para sezonit të mbjelljeve të pranverës në hemisferën veriore. Fermerët përballen me një dilemë: të paguajnë ndjeshëm më shumë për inputet ose të përdorin më pak plehra, duke çuar në rendimente më të ulëta dhe presion të ri mbi çmimet, thekson The Guardian.
Për ekonomitë e vogla dhe të varura nga importi si Maqedonia, efekti mund të jetë i dyfishtë:
- goditje e drejtpërdrejtë në çmimet e ushqimeve (përmes importit të produkteve bujqësore më të shtrenjta)
- presion indirekt mbi prodhimin vendas, i cili varet nga plehrat dhe energjia e importuar
Nëse bllokada dhe paqëndrueshmëria në Gjirin Persik vazhdojnë, plehrat mund të bëhen një “katalizator” për inflacion të ri global të ushqimit me efekte që do të ndihen edhe nga familjet në Ballkan.
Kriza aktuale e çmimeve të karburanteve lidhet ngushtë me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi i konfliktit ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregjet globale të energjisë. Ky tension ka shkaktuar pasiguri në furnizimin me naftë dhe rritje të çmimeve në bursat ndërkombëtare, duke reflektuar më pas edhe në vendet e rajonit. Si pasojë, shumë shtete janë përballur me rritje të kostove të importit të karburanteve, çka ka detyruar qeveritë të ndërhyjnë me masa fiskale dhe rregullatore për të zbutur ndikimin tek qytetarët.
- LEXO: Çmimet e naftës vazhdojnë të rriten, duke tejkaluar 112 dollarë për fuçi
- LEXO: Vendet e Ballkanit Perëndimor: Si janë çmimet në RMV, Kosovë, Bosnjë, Mal të Zi dhe Serbi?
- LEXO: Lufta në Iran përvëlon tregjet: Agjencia e Energjisë liron 426 milionë fuçi naftë për të ndalur çmendurinë e çmimeve
- LEXO: Çmimet e naftës rriten, rajoni me masa, Qeveria e Maqedonisë mendohet