Deri në fillim të qershorit 2026, në listën e zezë amerikane ishin vendosur 131 individë dhe subjekte nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, raporton Radio Evropa e Lirë. Numri më i madh i sanksioneve lidhet me Serbinë (49), pasuar nga Kosova (29), Bosnje e Hercegovina (26), Maqedonia e Veriut (12), Shqipëria (8) dhe Mali i Zi (7).
Vendimet për sanksione i merr Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja, shkurt OFAC, e cila vepron në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit.
Bëhet fjalë për një listë individësh dhe biznesesh që SHBA-ja i sanksionon – në rastin e Ballkanit Perëndimor, kryesisht për shkak të dyshimeve për lidhje me krimin e organizuar, korrupsionin ose destabilizimin rajonal.
Po ashtu, në mesin e të sanksionuarve në Ballkan ka edhe persona dhe subjekte që lidhen me aktivitete terroriste ose me ndikimin ketë Rusisë.
SHBA-ja vendosi sanksione për Ballkanin Perëndimor midis viteve 2001 dhe 2004, për shkak të krimeve të luftës, destabilizimit të vendeve dhe cenimit të paqes pas përfundimit të luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 1991-1999.
Sanksionet u rikthyen në vëmendje një dekadë më vonë, kur nisën të vendoseshin për shkak të korrupsionit, trafikimit të narkotikëve, terrorizmit, si dhe cenimit të paqes dhe stabilitetit.
Që nga viti 2022, në mesin e të sanksionuarve janë edhe persona dhe subjekte që mbajnë lidhje me Rusinë, e cila është izoluar për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Vendimi për zgjatjen e vlefshmërisë së mekanizmit ligjor që u mundëson SHBA-së vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor — “masat e gjendjes së jashtëzakonshme” — u zgjat zyrtarisht më 22 qershor 2026 edhe për një vit.
Kur bëhet fjalë për gjashtë shtetet e Ballkanit, në listë janë 71 subjekte dhe 60 individë, ndërsa subjektet e sanksionuara juridike janë kryesisht të lidhura me individë të sanksionuar.
Sanksionet e targetuara mund të përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe kufizime financiare, deri te kufizimet tregtare dhe ngrirja e pasurisë.
Qëllimi është izolimi i individëve ose subjekteve juridike, në mënyrë që t’u kufizohet qasja në burime politike ose ekonomike.
Programi i sanksioneve të OFAC-ut
OFAC-u ka më shumë se 30 programe aktive sanksionesh, të orientuara drejt mbrojtjes së sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për 71 subjektet e evidentuara në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sanksionet janë vendosur në bazë të 11 programeve.
Mbi çfarë baze janë sanksionuar në Ballkanin Perëndimor?
Në listën e sanksioneve të OFAC-ut, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – ndodhen 71 subjekte juridike.
Ato janë pjesë e 11 programeve të sanksioneve.
Ato janë sanksionuar mbi bazën e:
Pasurisë së individëve në Listën e Personave të Përcaktuar Posaçërisht dhe të Bllokuar (Specially Designated Nationals and Blocked Persons List, SDN): Janë bllokuar e gjithë pasuria dhe interesat në pasuri të personave të përcaktuar, që bien nën juridiksionin e SHBA-së.
Rregullit prej 50 për qind: Nënkupton se bllokohet automatikisht çdo subjekt që është në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të një apo më shumë personave të bllokuar, me 50 për qind ose më shumë të pronësisë.
Transaksioneve të ndaluara: Personave nga SHBA-ja dhe të gjithë atyre që kryejnë transaksione brenda ose përmes Shteteve të Bashkuara u ndalohet bashkëpunimi me subjektet e sanksionuara. Kjo vlen për të gjitha subjektet juridike dhe fizike amerikane, degët e tyre jashtë vendit, shtetasit e huaj me qëndrim në SHBA, si dhe për çdo transaksion që përdor sistemin financiar amerikan, përfshirë pagesat në dollarë amerikanë.
Rrezikut nga sanksionet dytësore: Institucionet financiare dhe kompanitë jashtë SHBA-së që kryejnë transaksione të rëndësishme me palë të sanksionuara rrezikojnë të përballen me sanksione dytësore ose me masa për zbatimin e ligjit amerikan.
Lista e subjekteve të sanksionuara sipas shteteve të Ballkanit Perëndimor
Subjektet nga lista nuk hiqen asnjëherë automatikisht vetëm pse kanë pushuar së ekzistuari ose janë likuiduar.
Siç përcakton OFAC-u, që një organizatë të hiqet nga lista e sanksioneve, nevojitet një kërkesë formale ligjore — peticion — në të cilën dëshmohet “ndryshimi i rrethanave” ose ndërprerja e veprimtarisë kontestuese.
Për këtë arsye, në listën e të sanksionuarve vazhdojnë të jenë edhe subjektet e shuara, të cilat kanë ndërprerë veprimtarinë.
Maqedonia e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut në listën e zezë ndodhen gjashtë entitete:
1. SISTINA LAJF KEAR SENTAR SKOPJE DOOEL
Lokacioni: Shkup
Programi: BALKANS-EO14033
Veprimtaria: Kompania është e regjistruar për mbrojtje shëndetësore dhe sociale, si dhe për kujdesin ndaj të moshuarve dhe personave të pafuqishëm në objekte banimi. Megjithatë, sipas gjetjeve të organeve gjyqësore të Maqedonisë së Veriut dhe hetimeve të Ministrisë së Financave të SHBA-së, roli real i kësaj kompanie ka qenë ndërmjetësim financiar, transfer dhe pastrim parash për individë të sanksionuar të lidhur me korrupsion në Ballkanin Perëndimor.
Sanksionet ndaj kompanisë u vendosën për shkak të lidhjes me biznesmenin Jordan Kamçev, i cili më parë ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.
Data e sanksionimit: 16 nëntor 2023.
2. BET CITY INTERNATIONAL D.O.O. SKOPJE
Lokacioni: Shkup
Programi: BALKANS-E014033
Veprimtaria: Bastore sportive.
Kompania është e lidhur me biznesmenin Sergej Samsonenko, i cili ka shtetësi të dyfishtë të Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, si dhe me Jordan Kamçevin. Të dy janë përfshirë më herët në listën e sanksioneve të OFAC-it.
Data e sanksionimit: 16 nëntor 2023.
3. ORKA HOLDING AD
Lokacioni: Shkup
Programi: BALKANS-EO14033
Veprimtaria: Orka Holding AD është një konglomerat i madh biznesi (kompani holding) që menaxhon një portofol të gjerë ndërmarrjesh dhe investon në sektorë të ndryshëm ekonomikë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajonin e Ballkanit.
Orka Holding AD është themeluar në vitin 1990, fillimisht në industrinë tekstile, por me kalimin e kohës u shndërrua në një shoqëri mëmë që ofron shërbime konsulence, juridike dhe financiare.
Kompania është identifikuar si një konglomerat i lidhur me biznesmenin maqedonas Jordan Kamçev, të cilin OFAC e kishte sanksionuar më parë për korrupsion dhe pastrim parash në Ballkanin Perëndimor.
Data e sanksionimit: 16 nëntor 2023.
4. CYTROX AD
Lokacioni: Shkup
Programi: CYBER2
Veprimtaria: Kompani teknologjike.
E njohur globalisht si zhvilluesja e softuerit komercial famëkeq për spiunazh (spyware) me emrin Predator. Kompania operon brenda një rrjeti më të gjerë të quajtur Intellexa Consortium, i themeluar nga ish-oficeri ushtarak izraelit Tal Dilian.
Sanksionet e OFAC-it zbatohen gjithashtu ndaj Cytrox Holdings ZRT (Hungari), si dhe ndaj anëtarëve të tjerë të konsorciumit Intellexa Consortium.
Data e sanksionimit: 5 mars 2024.
5. KAMCHEV KONSALTING SKOPJE DOOEL
Lokacioni: Shkup
Programi: BALKANS-EO14033
Veprimtaria: Kompani konsulence.
Sipas deklaratave të OFAC-it, kompania është sanksionuar për shkak të lidhjeve me rrjetin e Jordan Kamçevit, i cili akuzohet për aktivitete korruptive dhe destabilizuese në rajon.
Data e sanksionimit: 16 nëntor 2023.
6. ORKA FAJNANS SKOPJE DOOEL
Lokacioni: Shkup
Programi: BALKAN-EO14033
Veprimtaria: Është e regjistruar si kompani për konsulencë dhe shërbime biznesi.
OFAC e cilëson kompaninë si një entitet të lidhur me rrjete korruptive në Ballkanin Perëndimor. Ajo lidhet me Ratko Kunoski Kamçev dhe me Orka grupin, i cili nga ana e tij lidhet me Jordan Kamçevin.
Data e sanksionimit: 16 nëntor 2023.