Çfarë tentojnë të fshehin komunat në RMV nga sytë e qytetarëve tregon Indeksi i Hapjes

Krahasuar me vitin 2025 (40%), në vitin 2026 mesatarja e hapjes në pushtetin lokal është 39%, që paraqet një ulje të lehtë prej 1 pikë përqindjeje. Pavarësisht shembujve pozitivë në komuna të caktuara, ky rezultat tregon se vetëqeverisja lokale vazhdon të përballet me sfida të konsiderueshme në vendosjen e praktikave sistemore dhe të qëndrueshme të qeverisjes së mirë. Kjo ndër të tjera është një nga përfundimet e Indeksit të Hapjes për vitin 2026 i përgatitur nga Fondacioni Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2026, gjetjet e Indeksit të Hapjes tregojnë se njësia më e hapur e vetëqeverisjes lokale është sërish Kriva Pallanka (73%), e ndjekur nga Berova (69%), Demir Hisari (68%), Manastiri, Dellçeva dhe Koçani (67%), Velesi (65%), Karposhi (64%), Gazi Baba (61%), si dhe Kavadari, Kërçova dhe Gjevgjelia (58%). Në fund të listës së renditjes janë Studeniçani dhe Llozova (8%), ndërsa rezultate pak më të mira se ato kanë Bogovina (11%), Sopishtja (13%), Vrapçishti (14%), Çuçer Sandeva (16%), Çairi (18%) dhe Shuto Orizarja (19%). Dallimi prej 65 pikë përqindjeje ndërmjet komunave të renditura më lart dhe më poshtë tregon pabarazi të theksuara në zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë në nivel lokal.

Edhe në vitin 2026, njësitë e vetëqeverisjes lokale kanë vlerësimin mesatar më të lartë në fushën e transparencës (47,8%), ndonëse ai është ulur krahasuar me vitin 2025 (49%). Më pas renditet integriteti me 40,1%, që paraqet një përmirësim të lehtë, ndërsa qasshmëria është 33,6% dhe shënon një përkeqësim të lehtë krahasuar me vitin 2025 (34%). Vlerësimin mesatar më të ulët vazhdon ta ketë fusha e ndërgjegjësimit (26%), ndonëse është shënuar një përmirësim minimal krahasuar me matjen e mëparshme (24%). Këto rezultate tregojnë se vetëqeverisjet lokale në vitin 2026 nuk kanë arritur të vendosin një trend rritës.

“Edhe pse ndryshimet në fusha të veçanta janë relativisht të vogla, rënia në transparencë dhe qasshmëri është shqetësuese, pasi këto fusha kanë ndikim të drejtpërdrejtë në informimin e qytetarëve, pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrjen lokale dhe llogaridhënien publike. Rezultatet sërish konfirmojnë se niveli i hapjes nuk varet ekskluzivisht nga madhësia e komunës, numri i banorëve ose burimet financiare në dispozicion, por në masë të madhe nga përkushtimi institucional, procedurat e vendosura të brendshme, udhëheqja aktive dhe publikimi proaktiv i informacioneve. Në një pjesë të NJVL-ve vazhdon të ketë periudha të gjata pa përditësim të ueb-faqeve, informacione jo të plota ose rubrika jofunksionale, si dhe disponueshmëri të pamjaftueshme të informacioneve në të gjitha gjuhët zyrtare”, thonë nga Fondacioni Metamorfozis.

Ata shtojnë se mungon një numër i konsiderueshëm dokumentesh, nuk përditësohen rregullisht ose publikohen në formate që e kufizojnë përdorshmërinë e tyre, ndërsa nevojitet që sa më shumë të dhëna të publikohen në format të hapur.

Indeksi e vlerëson performancën e vetëqeverisjes lokale në fushën e qeverisjes së mirë përmes katër parimeve:

  1. Transparenca i referohet politikave, aktiviteteve dhe masave që NJVL-të i ndërmarrin për t’i informuar qytetarët e tyre për punën e tyre,
  2. Ndërgjegjësimi i referohet cilësisë së planifikimit, programimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikave që zbatohen nga autoritetet lokale,
  3. Qasshmëria i referohet mënyrës se si vetëqeverisja lokale komunikon me qytetarët dhe i përfshin ata gjatë përgjigjes ndaj kërkesave të tyre dhe përmbushjes së nevojave të tyre,
  4. Integriteti shqyrtohet në funksion të respektimit konsekuent të vlerave etike, parimeve dhe normave që synojnë t’i japin përparësi interesit publik ndaj atij privat.

Njëkohësisht, në të katër parimet analizohet një fushë e përbashkët, të dhënat e hapura.

Me qëllim të përmirësimit të hapjes, në kuadër të vlerësimit rekomandohet që njësitë e vetëqeverisjes lokale:

  • Të vendosin procedura të brendshme për publikimin në kohë të të gjitha informacioneve që lidhen me ushtrimin e kompetencave të tyre, të përditësojnë rregullisht ueb-faqet dhe të sigurojnë funksionalitetin dhe disponueshmërinë e informacioneve në të gjitha gjuhët që janë në përdorim zyrtar në NJVL;
  • Të publikojnë në mënyrë proaktive dhe drejtpërdrejt në ueb-faqet e tyre të gjitha informacionet që burojnë nga puna e tyre, puna e kryetarit/es së komunës, këshillave dhe organeve dhe komisioneve të tyre të punës, si dhe e ndërmarrjeve publike, duke përfshirë programet vjetore, raportet, buxhetet, furnizimet publike, të dhënat për financimin e projekteve, punësimet, rrogat e funksionarëve dhe kompensimet e këshilltarëve/eve;
  • Të hartojnë dhe publikojnë dokumente strategjike dhe programore të vetëqeverisjes lokale që përmbajnë qëllime dhe rezultate të përcaktuara qartë, me implikime buxhetore dhe tregues për matjen e rezultateve, si dhe të publikojnë rregullisht raporte për zbatimin e tyre;
  • T’i planifikojnë paraprakisht dhe t’i bëjnë të parashikueshme proceset e hartimit të politikave përmes publikimit të kalendarëve vjetorë për konsultimet e planifikuara në ueb-faqet. Nevojitet publikimi i rregullt i thirrjeve për konsultime dhe debate publike, si dhe i raporteve të detajuara pas konsultimeve, me komente dhe përgjigje. Njëkohësisht, nevojitet që sa më shumë të dhëna të publikohen në format të hapur dhe grupet e të dhënave të jenë të disponueshme si në ueb-faqet e NJVL-ve, ashtu edhe në Portalin Kombëtar për të Dhëna të Hapura.

Përmes Indeksit të Hapjes për vitin 2026, Fondacioni Metamorfozis dhe Koalicioni Rural përgatitën Vlerësimin e qeverisjes së mirë në njësitë e vetëqeverisjes lokale (NJVL) në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Vlerësimi paraqet një analizë të thelluar të punës së vetëqeverisjes lokale dhe ofron një pasqyrë të performancës së tyre të përgjithshme, të shoqëruar me një udhërrëfyes rekomandimesh për përmirësimin e gjendjes. Hulumtimi u zhvillua në periudhën nga 1 shkurti deri më 30 qershor 2026.

Më shumë detaje nga analiza dhe gjetjet e Indeksit të Hapjes së Vetëqeverisjes Lokale për vitin 2026 mund të gjenden në analizën e plotë e cila gjendet KËTU.

Fondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)Të dhëna të hapuraTransparencë institucionale