Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra, ose një në tetë në mbarë botën, kanë qenë viktima të përdhunimit ose sulmit seksual para moshës 18 vjeçare. Ky numër rritet në 650 milionë, ose një në pesë, kur merren parasysh edhe format “jo kontaktuese” të dhunës seksuale, si abuzimi në internet ose ai verbal, vlerësoi Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në hulumtimin e parë global të këtij problemit. Kjo nënvizon nevojën urgjente për parandalimin dhe strategjitë mbështetëse gjithëpërfshirëse që do të trajtojnë në mënyrë efektive të gjitha format e dhunës dhe abuzimit, vlerësojnë ata, raporton Radio MOF.
“Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është një njollë në ndërgjegjen tonë morale. Ajo shkakton trauma të thella dhe të qëndrueshme, shpesh nga dikush që fëmija e njeh dhe i beson, në vende ku duhet të ndihet i sigurt”, tha Catherine Russell, Drejtore Ekzekutive e UNICEF-it.
Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është e përhapur, duke kapërcyer kufijtë gjeografikë, kulturorë dhe ekonomikë, tregojnë të dhënat.
“Vlerësimet e para globale dhe rajonale të dhunës seksuale ndaj fëmijëve zbulojnë një prevalencë alarmante, me një ndikim shkatërrues tek fëmijët. Ato zbulojnë shkallën e shkeljes në botë, veçanërisht për vajzat adoleshente, shpesh me implikime të përjetshme”, theksojnë nga UNICEF-i.
Në mjedise të brishta siç janë shtetet me institucione të dobëta, forcat paqeruajtëse të OKB-së ose një numër i madh refugjatësh që ikin nga krizat politike ose të sigurisë, vajzat përballen me rrezik edhe më të madh, me një mbizotërim të përdhunimit në fëmijëri dhe sulmeve seksuale pak më shumë se një në katër vajza.
“Fëmijët në kushte të brishta janë veçanërisht të cenueshëm ndaj dhunës seksuale. Ne jemi dëshmitarë të dhunës së tmerrshme seksuale në zonat e konfliktit, ku përdhunimi dhe dhuna me bazë gjinore përdoren shpesh si armë lufte”, shtoi Russell.
Sipas të dhënave, shumica e dhunës seksuale në fëmijëri ndodh gjatë adoleshencës, veçanërisht në moshën 14-17 vjeç. Hulumtimet tregojnë se fëmijët që përjetojnë dhunë seksuale kanë më shumë gjasa të përjetojnë abuzime të përsëritura.
“Ndërhyrja gjatë adoleshencës është çelësi për të ndërprerë këtë cikël dhe për të zbutur efektet afatgjata të një traume të tillë. Të mbijetuarit shpesh bartin traumën e dhunës seksuale në moshë madhore, duke u përballur me rreziqe më të larta të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, abuzimit të substancave, izolimit social dhe problemeve të shëndetit mendor si ankthi dhe depresioni, si dhe sfidat në krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme. Provat tregojnë se ndikimi shtohet më tej kur fëmijët prolongijnë zbulimin e përvojave të tyre, ndonjëherë për periudha të gjata, ose e mbajnë abuzimin plotësisht të fshehtë”, thekson UNICEF.
Edhe pse më shumë vajza dhe gra janë të prekura dhe përvojat e tyre janë më të dokumentuara, djemtë dhe burrat janë gjithashtu të prekur, tregojnë të dhënat. Vetëm 1 në 6 vende në botë ka të dhëna nacionale për përvojat e dhunës seksuale të djemve dhe 4 në 10 vende nuk kanë të dhëna nacionale për përvojat e vajzave.
“Zbrazëtirat e vazhdueshme në të dhëna, veçanërisht në përvojat e djemve dhe format pa kontakt të dhunës seksuale, nxjerrin në pah nevojën për rritjen e investimeve në mbledhjen e të dhënave për të kapur shtrirjen e plotë të dhunës seksuale ndaj fëmijëve”, thekson Agjencia.
Ndër të tjera, UNICEF bën thirrje për ndryshimin e normave sociale dhe kulturore që lejojnë shfaqjen e dhunës seksuale dhe dekurajojnë fëmijët të kërkojnë ndihmë. Për më tepër, t’i ofrohet çdo fëmije informacion i saktë, i arritshëm dhe i përshtatshëm për moshën për të njohur dhe raportuar dhunën seksuale, por edhe për t’i mundësuar çdo fëmijë viktimë të ketë qasje në shërbimet që mbështesin drejtësinë, rimëkëmbjen dhe reduktojnë rrezikun nga dëmtimet e mëtejshme.
“Gjithashtu, forcimi i ligjeve dhe rregulloreve për të mbrojtur fëmijët nga të gjitha format e dhunës seksuale, duke përfshirë në organizatat që punojnë me fëmijët. Investimi në njerëzit, burimet dhe sistemet e nevojshme për t’i zbatuar ato dhe ndërtimi i sistemeve më të mira kombëtare të të dhënave për të gjurmuar progresin dhe për të siguruar llogaridhënien duke zbatuar standarde ndërkombëtare si klasifikimi ndërkombëtar i dhunës kundër fëmijëve. UNICEF-i bën thirrje për intensifikimin e veprimeve globale për të luftuar dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për fëmijët në mbarë botën”, tha organizata.
Përndryshe, muajin e ardhshëm në Kolumbi do të mbahet në Konferenca Globale Ministrore për Dhunën ndaj Fëmijëve. Në të do të marrin pjesë liderë qeveritarë, qytetarë, aktivistë, viktima dhe të rinj të prekur.