Deputetët bullgarë njëzëri me 178 vota “pro” dhe pa debat miratuan një deklaratë “në lidhje me shkatërrimin sistematik dhe metodik të dialogut ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe Republikës së Bullgarisë dhe deklaratave provokuese dhe fyese ndaj Bullgari nga faktorët politikë në pushtet në RMV”, transmeton Portalb.mk nga Radio Evropa e Lirë.
Në deklaratë, Parlamenti Kombëtar i Bullgarisë konfirmon synimin dhe aspiratën politike për të përfunduar ndërtimin e Korridorit 8 Pan-Evropian nga ana bullgare dhe i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që t’i qaset me përgjegjësi dhe mirëbesim të gjitha detyrimeve dhe marrëveshjeve të ndërmarra me qëllim ndërtimin në kohë të seksioneve të gjurmës së korridorit në territorin e tij.
Parlamenti bullgar insiston në kthimin e dialogut pozitiv të ndërprerë nga RMV-ja dhe ndalimin e fushatës antibullgare dhe deklaratave provokuese ndaj Bullgarisë në RMV.
Deklarata konfirmon vullnetin e shtetit dhe institucioneve bullgare për organizimin e festimeve të përbashkëta të ngjarjeve dhe personaliteteve të përbashkëta historike, duke pasur parasysh historinë e pasur të përbashkët të dy vendeve.
Parlamenti gjithashtu nuk pajtohet fuqishëm me mohimin e historisë së përbashkët të RMV-së dhe Bullgarisë nga anëtarët e qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe beson se kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Bullgarisë dhe RMV-së.
Preambula e deklaratës apelon tek institucionet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në frymën e vlerave dhe lirive evropiane, “të përmbahen nga vendimet dhe veprimet që do të dëmtonin rëndë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe qytetarëve të tyre”.
Deklarata u miratua me sugjerimin e partisë pro-ruse “Rilindja”.
Marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje janë përkeqësuar, pasi pas vizitës së fundit të presidentes maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova në Sofje, ajo është fotografuar së bashku me kolegun e saj bullgar Rumen Radev pa flamurin maqedonas, por vetëm pranë flamurit të BE-së dhe Bullgarisë.
- LEXO: Radev për ndarjen e Shkupit dhe Tiranës në rrugën e BE-së: Pasojë logjike e politikave të Maqedonisë së Veriut
- LEXO: Siljanovska-Davkova: Marrëveshjes me Bullgarinë mund t’i qasemi në mënyrë tjetër, duke filluar nga e drejta kushtetuese e BE-së
- LEXO: Krizë e re në marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë