Botë shëmbëllesash

Është zvogëluar bota. Janë afruar shtetet. Kudo janë të njëjta dhembja e gëzimi, dashuria e trishtimi, urrejtja e malli, xhelozia e mirësia…

Njeriu s’mund të zbulojë ndjenja të reja. Ato lindën me njeriun dhe janë vetë njeriu.

Njeriu nuk shpiku tema të reja. Të njëjtat u shtjelluan ndër epoka dhe në shumë variante, qoftë nga artistët e dobët, qoftë nga artistët gjeni.

Njeriu bëri edhe shpikje që e egërsuan botën dhe e bënë më të frikshme…

Rrotullohemi rreth botës. Stinët ikin dhe vijnë. E harrojmë botën me ciklopë, cerberë, nimfa, kroesusë, midas, erini apo me ndonjë sfinks të ri; me ndonjë Ajaks, Akil, Odise, Priam, Parid a Hektor; me ndonjë Orest, Kreont, Medea apo Antigonë, që mund t’i fusim në rrëfime të reja, se e ndodhura dikur, ndodh edhe në kohën tonë…

E kemi harruar edhe kafshëzbutësin Orfe. Asnjë kënge dhe akord i tij. Herë pas here shfaqen përbindësha të zi. Dhe zogj metalikë që fluturojnë mbi re…

Gjithkund është njësoj. Nuk ka asnjë vend të fshehtë, ku mund të fshihemi nga vetvetja dhe të çlirohemi nga pesha e boshësisë sonë…

Jemi udhëtarë që rendim drejt hiçit dhe lëmë pas vetes një botë më të egër, më të trishtë, më të errët…

Dhe bota më nuk është botë. Ngjarjet nuk janë ngjarje. Lajmet nuk janë lajme. Njerëzit e kanë humbur botën prej së vërteti.

Bota e shëmbëllesave, pa përmasa, pa metafora, sundohet nga banalja. Është botë cektësie, me ligje plebeu, me hije kalimtare dhe pa virtyte dhurimi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu