Bllagoja Toska assesi të del në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, vonohen punimet (Video)

Punimet për daljen e bulevardit “Bllagoja Toska” të Tetovës për në lagjen Drenovec ku lidhet me rrugën Tetovë – Jazhincë po vonohen, edhe pse objektet që pengonin depërtimin tani janë rrënuar, raporton Portalb.mk 

Shpronësimi i disa pronave pengoi për mbi një vit hapjen e bulevardit. 

Katër parcela kanë qenë në procedurë eksproprijimi dhe tashmë kjo është përfunduar plotësisht, siç thonë nga Komuna e Tetovës, përfshirë edhe pagesat. 

Megjithatë edhe pasi është arritur marrëveshje dhe objektet janë rrënuar, punimet nuk kanë filluar ende.  

“Aktualisht terreni është i hapur dhe jemi në fazën e tenderimit për vazhdimin e punimeve. Paralelisht po bashkëpunojmë me EVN për largimin e shtyllave elektrike që pengojnë vijimin e projektit”, thonë nga Komuna e Tetovës. 

Ata shtojnë se është porositur edhe projekti për ndërtimin e rrethrrotullimit, ku do të bëhet lidhja me rrugën Tetovë–Jazhincë. 

Megjithatë nuk tregojnë se kur konkretisht pritet që kjo rrugë të përfundojë përfundimisht.

Komuna e Tetovës me 15 janar 2024 përzgjodhi Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve. Kontrata u nënshkrua me 8 shkurt 2024, ndërsa punimet në terren filluan më 19 shkurt 2024.

Kjo rrugë prej rreth 450 metrave ishte e lënë në gjendje kritike për shumë gjatë, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë, sidomos gjendja më e keqe është kur ka reshje të shiut apo bores.

Me asfaltimin e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësohet komunikacioni për hyrje dhe dalje nga qyteti.

Banorët e kësaj lagjeje shumë herë janë ankuar për gjendjen e keqe e rrugës dhe kanë kërkuar asfaltimin e saj.  

Pavarësisht premtimeve nga autoritetet, në terren nuk u ndërmor asgjë me vite. Madje në fund të vitit 2022 banorët e kësaj lagjeje dolën edhe në protestë. 

Bulevardi “Bllagoja Toska” TetovëKomuna e TetovësRikonstruimi i rrugëve - të dëmtuara - gropaVideo Lajme