Bislimoski: Lufta midis Izraelit dhe Iranit do të ndikojë në çmimin e naftës në vend

Lufta midis Izraelit dhe Iranit do të ketë ndikim edhe në çmimin e naftës në Maqedoni, paralajmëron kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimovski, por nuk pret ndikim në çmimet e produkteve të tjera, transmeton Portalb.mk.

Pas sulmeve të Izraelit ndaj Iranit mbrëmë, ai theksoi se sot çmimi i naftës në bursat botërore u rrit me rreth dhjetë dollarë. Rritja, sipas Bislimovskit, është gjashtë deri në shtatë dollarë.

“Patjetër që do të ketë ndikime, le të shohim se si do të reflektohet në ditët në vijim. Nuk besoj se do të ketë ndonjë ndikim drastik javën e ardhshme kur të marrim vendimin, por vetëm më tej nëse ky trend i çmimeve të larta për derivatet e naftës vazhdon. Patjetër që do të ketë ndikim në çmimin që do të paguajnë përdoruesit në Maqedoni”, tha Bislimovski.

Ai shprehu shpresë se pas kulmit, çmimet do të stabilizohen, duke treguar shembullin e luftës në Ukrainë kur çmimi i naftës arriti në 110 dollarë për fuçi.

Mëngjesin e sotëm, Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në të gjithë Iranin, duke deklaruar se kanë shënjestruar “zemrën” e programit bërthamor iranian.

Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet kanë shkaktuar vrasjen e Hossein Salami, komandant i Gardës Revolucionare Islamike – një degë shumë e fuqishme e forcave të armatosura iraniane – si dhe disa shkencëtarëve bërthamorë.

Çmimi i naftësIraniIzraeliKomisioni Rregullator për Energji (KRRE)Nafta