BDI edhe sot ka përsëritur kërkesën, premtim i saj dikurshëm, për veting, por ky zotim ka mbetur i parealizuar gjatë gjithë kohës sa ka qenë në pushtet. Prej viteve, ideja për pastrim të politikës, gjyqësorit e prokurorisë është rikthyer në retorikë publike, por asnjëherë nuk u konkretizua në veprime, as nga vetë kjo parti. Madje edhe nismat e ndërmarra, si ato për masa ndaj personave të shpallur “non-grata”, u lanë në gjysmë dhe u tërhoqën pa rezultat. Kjo e bën kërkesën e sotme të të kësaj partie të tingëllojë si përsëritje e premtimeve të vjetra, më shumë për pikë politike sesa për reformë reale, transmeton Portalb.mk.
“BDI nuk i frikësohet drejtësisë së pavarur dhe as transparencës. Përkundrazi, ne ofrojmë zgjidhje konkrete: vetting me monitorim ndërkombëtar, që të pastrohet skena politike dhe publike nga çdo ndikim korruptiv. Le të hetohet pasuria e çdo politikani dhe çdo partie politike. Le të hetohet procesi më i madh korruptiv në vend – privatizimi – i cili krijoi oligarkë të paprekshëm me monopole në sektorë kyç të ekonomisë, që sot bëjnë gjithçka për ta penguar integrimin europian, nga frika e konkurrencës së ndershme. BDI kërkon që hetimi të shtrihet edhe mbi institucionet e sigurimit shtetëror dhe punonjësit e tyre që nga viti 1945 e deri më sot, sepse vetëm kështu mund të mbyllet një kapitull i errët i së kaluarës dhe të ndërtohet një shtet ku askush nuk është mbi ligjin. Ata që nuk kanë çfarë të fshehin, e pranojnë vetingun”, thonë nga BDI.
Por, BDI dështoi me vetingun, edhe pse erdhi në pushtet me premtimin e madh parazgjedhor të vetingut për politikanë, gjykatës dhe prokuror. Por, premtimin e parealizuar nuk e harroi dhe që në ditët e para si parti opozitare e kërkon nga Qeveria aktuale dhe këtë kërkesë e përsëriti edhe sot.
- LEXO: RMV, vetingu i realizueshëm vetëm në premtimet parazgjedhore të partive politike, utopik në realitet
Kujtojmë se ish-ministri nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, propozoi ligj që kërkonte që çdo personi të shpallur non-grata nga ShBA-ja apo Mbertëria e Bashkuar t’i pamundësohet kandidimi dhe ushtrimi i funksioneve publike. Për personat juridik (bizneset), kërkohej që t’iu ndalohet pjesëmarrja në prokurime publike.
Gjithashtu, për personat që do të gjenden në listën e zezë amerikane ose të Mbretërisë së Bashkuar, propozoheshin procedura të menjëhershme penale pranë prokurorisë publike kompetente si dhe iniciativë për masën e përkohshme të sigurisë.
Me këto propozime parashihej zgjerimi i qëllimeve të ligjit dhe si bazë për të ndërmarrë masa kufizuese shtohej edhe “lufta kundër korrupsionit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe kërcënimet hibride kundrejt shtetit”.
Asokohe, Bujar Osmani deklaronte që ligji do të mundësojë që edhe shteti, përkatësisht Qeveria e Maqedonisë t’i ndëshkojë menjëherë personat veçse të ‘ndëshkuar’ nga ShBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar duke i shpallur si të padëshiruar.
Mirëpo, menjëherë pas shpalljes në listën e zezë amerikane, më 30 janar të vitit 2023 qeveria vendosi ta tërheqë nga procedura parlamentare, duke mos dhënë asnjë arsyetim se pse e bënë këtë.
Përndryshe, vetingu, në formë të shkruar si propozim ka gjetur vend edhe të koalicioni shqiptar VLEN, partneri aktual qeverisës i VMRO-DPMNE.
Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut është thuajse sektori më i kritikuar në çdo raport ndërkombëtar . Pushteti aktual deri tani ka paralajmëruar disa herë masa ‘rigoroze’ kundër gjykatësve të korruptuar por asgjë nuk është ndërmarrë.