BDI ngre dilemë, pse (nuk) do të shfuqizoheshin emrat e rrugëve në Tetovë po të zbatohej neni 73?

Zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, ka ngritur dilemë në opinion se nëse Gjykata Kushtetuese dhe Komuna e Tetovës do të merrnin parasysh nenin 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, nuk do të shfuqizohej vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë i vitit 2007 i cili u soll duke u bazuar në Ligjin për përcaktimin e emrave të rrugëve. Sot pritet që Gjykata Kushtetuese ta publikojë vendimin e plotë, transmeton Portalb.mk.

Ajo thotë nge pyetjen se pse Komuna e Tetovës dhe Qeveria nuk ia dorëzuan dosjen e lëndës Gjykatës Kushtetuese edhe pse kjo e fundit katër herë kërkoi nga komuna dhe tre herë nga Qeveria.

“Sepse sikur ta dorëzonin, do të rezultonte se në vitin 2007 Komuna e Tetovës ka dërguar Kërkesë për pëlqim paraprak deri te Qeveria kurse Qeveria nuk është përgjigjur”, tha Bilalli Zendeli.

Arta Bilalli Zendeli. Foto: Printscreen nga BDI

Ajo thotë se në rast të mospërgjigjes, gjen zbatim dispozita e nenit 73 e Ligjit për vetëqeverisje lokale.

“Nga webfaqja e Gjykatës Kushtetuese, rezulton se Gjykata kushtetuese gjatë shqyrtimit të lëndës, pasi që nga Komuna e Tetovës ka pranuar vetëm Listën e emrave të rrugëve dhe shesheve, ka konstatuar se nuk ekziston Kërkesa dhe me këtë konstatim ka eliminuar nga zbatimi paragragin 2 të nenit 73 të Ligjit për pushtet lokal”, tha Bilalli Zendeli.

Çfarë thotë neni 73 i Ligjit për vetëqeverisje lokale?

(1) Nëse gjatë sjelljes së dispozitës së komunës kërkohet pëlqim paraprak nga organ tjetër, organi pëlqimin e jep më së voni në afat prej 60 ditësh nga dita kur i është dorëzuar propozim dispozita.

(2) Nëse pëlqimi paraprak nuk merret në afat nga paragrafi (1) i këtij neni, dispozita konsiderohet si e pranuar ashtu siç ka qenë e propozuar nga komuna.

Megjithatë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese bazohet tjetër ligj, në Ligjin për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave deh objekteve tjetra infrastrukturore, konkretisht në nenin 5, paragrafi 2, sipas të cilit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për miratimin e vendimi për ndryshimin e emrave kërkohet pëlqimi paraprak i Qeverisë, ku nuk përcaktohen afate.

Portalb.mk kërkoi sqarime të detajuara nga Gjykata Kushtetuese për këtë dilemë, megjithatë nga aty na thanë se sot do të publikohet vendimi i plotë me detaje.

Portalb.mk kërkoi sqarime shtesë edhe nga Komuna e Tetovës se pse nuk ia kanë dorëzuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për pëlqim e cila është dorëzuar në Qeveri atë kohë në vitin 2006/2007 dhe me çfarë date konkrete i është dorëzuar qeverisë së atëhershme ky propozim, por nuk morëm përgjigje.

As nga Qeveria dhe Ministria e Transportit nuk u përgjigjën nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007.

Nga ana tjetër, profesori i juridikut, Bashkim Selmani për Portalb.mk vlerëson se në aspektin juridiko-administrativ, rregullat procedurale duhet të shërbejnë për funksionalitetin dhe sigurinë juridike të sistemit, e jo të shndërrohen në mekanizma që pengojnë ushtrimin e kompetencave të njësive të vetëqeverisjes lokale.

“Pikërisht për këtë arsye, ligjvënësi ka paraparë edhe institutin e pëlqimit të prezumuar pas kalimit të afatit, për të shmangur bllokimet administrative. Megjithatë, kur bëhet fjalë për çështje që prekin të drejtat kolektive ose identitare të shqiptarëve, lind përshtypja se zgjidhjet ligjore shpesh krijojnë hapësira për interpretime të ndryshme dhe konteste të panevojshme. Kjo ngre një dilemë legjitime juridike: a janë këto paqartësi rezultat i teknikës së dobët legjislative, apo pasqyrojnë një vullnet të ligjvënësit që në këto raste të lërë mundësi për pengesa procedurale? Kjo është një çështje që meriton debat serioz juridik dhe institucional”, thotë Selmani.

Bashkim Selmani. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ai thekson se thelbi i dilemës nuk është nëse një ligj është “mbi” tjetrin, sepse të dy kanë të njëjtën fuqi juridike, por si harmonizohen sipas parimeve të interpretimit juridik.

“Nëse plotësohen kushtet e nenit 73, mund të argumentohet se pëlqimi konsiderohet i dhënë me kalimin e afatit. Nëse ligji special kërkon akt të shprehur të Qeverisë pa lejuar pëlqim të prezumuar, atëherë mbizotëron ai regjim i veçantë”, thotë Selmani.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi emrat e vitit 2007 të disa rrugëve në Tetovë, për shkak se procesi ishte kryer gjysmak, duke mos e respektuar ligjin, konkretisht marrjen e pëlqimit nga Qeveria. Pas kësaj BDI dhe VLEN kishin akuza dhe kundërakuza, BDI-ja madje doli edhe në protestë. Megjithatë edhe BDI sa ka qenë në pushtet lokal dhe qendror, por edhe VLEN tani, kanë pasur mundësi që të sjellin vendim për emrat e rrugëve duke respektuar procedurat ligjore dhe me këtë do të parandalohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Kronologjia e ngjarjes

Në opinion kanë vërshuar reagimet dhe akuzat pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Por si qëndron e vërteta, si filloi gjithçka dhe pse u shfuqizuan këto emra, Portalb.mk sjell një kronologji të të gjithë procesit ndër vite.

Gjithçka nisi në 2007

Më 24.04.2007 në kohën kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga BDI-ja, kur kryetar ishte Hazbi Lika, Këshilli Komunal solli vendim për ndryshimin e emrit të sheshit dhe disa rrugëve nga emrat periudhës së komunizmit në emra të tjerë.

Sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht, edhe atë si vijon:

  • Sheshi i qytetit “Marshall Tito” u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘Marshall Tito’ u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘JNA’ prej Kullës në rrugën ‘Ilindenska’ deri te udhëkryqi i rrugës ‘Bllagoja Toska’ u emërua ‘Dervish Cara’.
  • Pjesa nga rruga ‘JNA’ prej udhëkryqit në rrugën ’Bllagoja Toska’ deri në fund të rrugës ‘JNA’ u emërua ‘Solunski Atentatori – Geminxhii’.
  • Rruga ‘29 Nëntori’ u emërua ‘Mehmet Pashë Deralla’.
  • Rruga ‘I.R.Llolla’ deri te Shkolla e Muzikës u emërua ‘Kongresi i Manastirit’..
  • Pjesa nga rruga ‘I.R.Llolla’ nga Shkolla e Muzikës deri te udhëkryqi te Stadiumi i qytetit u emërua ‘Krushevska Republika’.
  • Pjesa e rrugës ‘I.R.Llolla’ nga udhëkryqi te Stadiumi i qytetit deri në Poroj-Xhepçisht u emërua ‘Dëshmorët e Kombit’.
  • Rruga ‘Boris Kidriç’ u emërua ‘Metodi Andonov Çento’.
  • Rruga ‘R.Coniq’ u emërua në ‘Abdyl Frashëri’.
  • Rruga ‘Lenin’ u emërua në ‘Sami Frashëri’.

Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ky proces duhej të merrte pëlqim nga Qeveria.

Megjithatë ky vendim nuk mori pëlqim nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH.

Si rezultat, emrat e ri të rrugëve nuk figuruan në Kadastër dhe në Regjistrin Qendror, por u përdorën vetëm nga Komuna e Tetovës.

Nga institucionet qendrore vazhduan me vite të përdoren emrat e vjetër.

Në 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga LNA-ja e kontestoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese

Më 11.02.2025, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve, gati dy dekada më vonë.

Sipas pretendimeve në iniciativë, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese e pranoi nismën dhe hapi lëndë

Më 04.03.2026, Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin hapi lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë.

Qershor 2026, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin

Më 17.06.2026, me 5 vota “për” nga gjykatësit maqedonas, dhe votim ‘kundër’ nga dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin u bënë ndryshimet e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të qytetit.

Çili është arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese?

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emrat e rrugëve të vitit 2007 në Tetovë:

Gjatë procedurës, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit të plotë, Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës që të dorëzonte të gjithë dokumentacionin që i kishte paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar. Megjithatë, nga ana e Komunës nuk u dorëzua as pëlqimi dhe as kërkesa për pëlqim që ishte dërguar te Qeveria, por vetëm Lista e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, e miratuar më 30.11.2006.

Më tej, Gjykata Kushtetuese në tri raste kërkoi nga Qeveria që të dorëzonte pëlqimin e kërkuar, por ai nuk u dorëzua.

Si rrjedhojë, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se Komuna e Tetovës nuk kishte paraqitur kërkesë pranë Qeverisë për marrjen e pëlqimit të nevojshëm dhe as nuk ekzistonte akt me të cilin Qeveria kishte dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Për këtë arsye, Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk ishte përmbushur.

Sipas nenit 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për miratimin e vendimi për ndryshimin e emrave kërkohet pëlqimi paraprak i Qeverisë.

Me miratimin e vendimit pa pëlqimin e nevojshëm të Qeverisë, Komuna e Tetovës ka shkelur parimin e sundimit të ligjit, të përcaktuar në nenin 8, paragrafi 1, alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Komuna e Tetovës pati mundësi ta parandalonte shfuqizimin e vendimit

Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës e udhëhequr nga VLEN ka pasur mundësi që ta parandalojë Gjykatën Kushtetuese që të mos e shfuqizojë vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit, pasi BDI-ja në vitin 2007 e zhvilloi procedurën duke mos e respektuar në tërësi ligjin, por udhëheqësia komunale aktuale nuk veproi.

Nëse pas dorëzimit të nismës (shkurt 2025) dhe hapjes së lëndës (mars 2026) në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli Komunal i Tetovës do të sillte vendim me të cilin vendimi i vitit 2007 do të shpallej i pavlefshëm dhe të votonte vendim të ri me pëlqimin e Qeverisë, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte bazë për ta vazhduar procedurën të cilën e hapi në mars. Sipas Nenit 39 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, procedura do të ndërpritej. Por kjo nuk ndodhi dhe gjykata e shfuqizoi vendimin e vitit 2007, me çka rikthehen emrat e vjetër nga periudha e komunizmit.

Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.

Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete.

Albi Qamili, i cili është kryetar i këtij grupi punues tha se po punohet intenzivisht dhe se procesi është në fazën finale, ku janë pranuar 600 propozime për riemërimn e rrugëve.

Ai tha se me procesin për riemërimin e rrugëve, këto emra si që kanë qenë në vendimin e vitit 2007 do të barten në vendimin e ri, pra, do të mbeten.

“Nuk mund të jap afate, ajo që jam i sigurt është se brenda këtij viti do përfundojë si proces”, tha Qamili.

Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.

BDIEmrat e Institucioneve - RrugëveGjykata Kushtetuese RMVKomuna e Tetovës