BDI: Ligji për përfaqësim nuk garanton kuota për komunitetet, është bërë sipas apetiteve të Karakamishevës

BDI ka reaguar edhe njëherë ndaj miratimit të Propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e quajtur atë një farsë institucionale që nuk garanton kuota për komunitetet. Sipas BDI-së, ligji relativizon të drejtat kolektive, ka mekanizma të pafuqishëm zbatimi dhe mungesë përgjegjësie juridike. Ata e konsiderojnë ligjin si produkt i Karakamishevës dhe jo në interes të qytetarëve, duke theksuar se ky qasje dëmton besimin në institucione dhe bie ndesh me Marrëveshjen e Ohrit, transmeton Portalb.mk.

“Më skandaloze është fakti që edhe anëtari shqiptar i grupit punues, prof. dr. Mersim Maksuti, ka refuzuar publikisht këtë ligj, duke dhënë një mendim të ndarë dhe profesional, në të cilin e vlerëson këtë propozim si skandaloz, antikushtetues dhe jopraktik. Ligji nuk garanton kuota për komunitetet më pak të përfaqësuara, siç e kërkon Kushtetuta dhe Amendamenti VI, por i relativizon të drejtat kolektive me pretekste si “profesionalizëm” dhe “kompetencë”.  Mekanizmi i zbatimit është i paralizuar që në start, pasi i lë të gjitha përgjegjësitë një “Trupi Koordinues” pa kompetencë mbikëqyrëse, pa drejtim politik të garantuar, dhe pa fuqi për të propozuar masa ndëshkuese ndaj institucioneve që nuk e zbatojnë ligjin”, thonë nga BDI.

BDI akuzon se ligji është bërë sipas apetiteve të Karakamishevës, e jo në përputhje me nevojat reale të qytetarëve të pambrojtur nga diskriminimi. Ata shtojnë se i njëjti është miratuar vetëm për t’u dërguar në Komisionin e Venecias, dhe jo për të hyrë në Kuvend për debat demokratik.

“Ky propozim shmang sanksionimin ligjor të moszbatimit, duke mos parashikuar asnjë formë përgjegjësie institucionale apo juridike për shkelësit e tij. Kjo e kthen në një dokument propagandistik, pa vlerë ligjore dhe efekt praktik. Duke u fshehur pas një interpretimi të diskutueshëm të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria shmang qëllimisht afirmimin e kuotave dhe përfaqësimit të drejtë si aksion afirmativ i garantuar me Kushtetutë. BDI e konsideron këtë Propozim-ligj si ligji i Karakamishevës dhe jo si ligj i qytetarëve të RMV-së. Një ligj i tillë, në vend që të afrojë komunitetet, i largon ato edhe më shumë nga besimi në institucionet shtetërore”, thonë nga BDI.

Ndryshe, Mersim Maksuti, anëtar i grupit punues rreth Ligjit për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, dje ka publikuar një raport me vërejtjet rreth ligjit të propozuar.

“Vërejtja ime bazë është se ky, Propozim Ligj, me gjithë mangësitë që ka, nuk ofron garancë për zbatimin e tij efektiv në praktikë, ngase kjo çështje është lënë vetëm në vullnetin politik të një Trupi Koordinativ pranë Qeverisë së RMV-së, i cili do të ndjek dhe analizojë gjendjen në raport me përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik”, shkruan Maksuti, duke shtuar se “ky Trup Koordinativ nuk është përcaktuar të udhëhiqet nga zv.kryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së”.

Maksuti theksoi se ky Trup nuk ka juridiksion të mbikëqyrë apo kontrollon organet kompetente për zbatim të këtij Ligji.

“Ky Trup Koordinativ nuk është përcaktuar të udhëhiqet nga zv.kryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së (por nga njëri nga zëvendës kryeministrat) dhe se nuk ka juridiksion të mbikëqyrë apo kontrollojë organet kompetente për zbatim të këtij Ligji, dhe as të propozojë masa përpara Qeverisë së RMV-së për thirrjen në përgjegjësi politike ndaj bartësve të institucioneve publike, për mos zbatim të këtij Ligji”, sqaroi Maksuti.

Ai theksoi se këto vërejtje janë paraqitur gjatë grupit punues, por nuk janë përfshirë në përmbajtjen e tij.

“Realizimi i tij, paraqitet në formë të kushtëzuar dhe të kufizuar, nëpërmjet respektimit të parimit të barazisë, profesionalizmit, kompetencës dhe inkluzivitetit. Kjo lë hapësirë që në konkurset publike për punësime dhe avancime të qytetarëve në emër të profesionalizmit të mos pranohet askush si pjesëtarë i një bashkësie etnike më pak të përfaqësuar”, duke e numëruar si vërejtje të dytë.

Vërejtja e tretë, sipas Maksutit, ka të bëjë në lidhje me atë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese po ndikojnë në përpilimin e ligjeve dhe funksionimin e Kuvendit, duke e vlerësuar se kushtetuesja është shndërruar në legjistlativ.

“E treta, Ky Propozim Ligj, duket se është mjaft padrejtësisht i ndikuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilën vlerëson si antikushtetues të drejtën e deklarimit të detyrueshëm të përkatësisë etnike të kandidatëve në kuotat e parapara në konkurset publike (i referohet Metodologjisë së punësimit e njohur si balansuesi)”, deklaroi Maksuti.

Në reagimin e tij, ai vlerësoi se ky propozim-ligj nuk do të ketë efekte juridike të dëshiruara, pasi do të ketë mungesë të sanksioneve juridike ndaj zyrtarëve publik.

“E katërta, Propozim Ligjit në fjalë, i mungon komponenta shumë e rëndësishme mbrojtja juridike e tij, që nënkupton në radhë të parë, parashikimin e sanksioneve juridike kundërvajtëse ndaj zyrtarëve publikë që janë kompetentë për zbatimin e këtij Ligji si dhe mbrojtjen gjyqësore të tij”, deklaroi Maksuti.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 24 qershor e miratoi Propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, me këtë ligj hapet një kapitull i ri i profesionalizmit në sektorin publik.

Kujtojmë se, VLEN për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka dhënë premtime pa afatePortalb.mk, në vazhdimësi ka kujtuar për vonesën e ligjit dhe për anëtarët e grupit të punës.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike. 

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit. 

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Ligji për përfaqësim të drejtë - BalancuesiQeveria e Maqedonisë së Veriut