Bashkimi Demokratik për Integrim në mbledhjen e mbajtur sot në Tetovë, ka “zyrtarizuar” marrëveshjen e koalicionit me Ziadin Selën edhe Arben Taravarin për zgjedhjet lokale, transmeton Portalb.mk.
“Njoftojmë opinionin se nga Aleanca për Shqiptarët, të z. Ziadin Sela, presim propozime për kandidatë për kryetarë në komunat Strugë, Haraçinë dhe Dibër, ndërsa nga z. Arben Taravari, presim propozime për Gostivarin, Vrapçishtin, Tearcën dhe Sarajin”, njoftoi BDI-ja pas mbledhjes.
Kjo parti i vlerësoi këto zgjedhje si referendum, duke ofruar paralajmëruar oferta gjithëpërfshirëse dhe program të fuqishëm.
Ziadin Sela dhe Arben Taravari, dikur ishin bashkë në subjektin politikë Aleanca për Shqiptarët (ASH), por tani janë palë në proces gjyqësor rreth “vulës” së partisë. Ndërkohë, ata pritet të jenë në “koalicion” në zgjedhjet e ardhshme lokale, sikurse është paralajmëruar edhe koalicionimi mes VLEN-it, VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it.
Arbër Ademi sot (21 korrik) përmes një deklarate për media ka njoftuar se Bujar Osmani do të jetë kandidat i BDI-së për kryetar në Komunën e Çairit, kandidat për Komunën e Tetovës të jetë Bajram Rexhepi, ndërsa për Zhelinën do të jetë Emir Sulejmani.
Bartës liste në Gostivar do të jenë Valdet Xhaferi, ndërkaq në Strugë Faton Pollozhani.
Kujtojmë se, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se zgjedhjet lokale pritet të shpallen në gjysmën e parë të muajit gusht. Të njëjtat pritet të mbahen në tetor 2025.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut pritet që së shpejti t’i shpallë zgjedhjet lokale. Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.