Bashkimi Demokratik për Integrim, sot në mëngjes njoftoi se Grupi Parlamentar i Frontit Evropian do të kërkojë sot zyrtarisht krijimin e një Komisioni Parlamentar të posaçëm për të hetuar, siç thonë ata, qasjen selektive dhe të njëanshme të sistemit të drejtësisë “së kontrolluar nga qeveria” në trajtimin e tragjedisë në Koçan, transmeton Portalb.mk.
“Ky komision duhet të ngrihet menjëherë dhe të përfshijë përfaqësues të OSBE-së, si dhe përfaqësues nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në cilësinë e vëzhguesve me qëllim garantimin e një hetimi të drejtë, të pavarur dhe transparent. Drejtësia selektive ka tronditur çdo qytetar të këtij vendi dhe ka krijuar një situatë të paprecedentë që rrezikon themelet e shtetit të së drejtës dhe të besimit qytetar ndaj institucioneve”, thonë nga BDI.
BDI shton se mosveprimi ose instrumentalizimi politik i drejtësisë për qëllime të ngushta cenon jo vetëm të drejtat themelore të qytetarëve, por edhe stabilitetin demokratik dhe perspektivën evropiane të vendit.
“Grupi Parlamentar i Frontit Evropian do të bëjë sot një kërkesë zyrtare për këtë çështje dhe pret që Kuvendi të veprojë me përgjegjësi dhe seriozitet maksimal për të siguruar një hetim të pavarur, të besueshëm dhe gjithëpërfshirës. BDI mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe forcimin e shtetit të së drejtës në vend”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Për hetim selektiv prej ditësh akuzon edhe LSDM. Jo më larg se dje, nga kjo parti thanë se tragjedia në Koçan kërkon hetim jo selektiv, të plotë dhe gjithëpërfshirës që do të përcaktojë të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë. Kushdo që është përgjegjës, shtojnë ata – qoftë ish-zyrtar apo aktual – duhet të sillet para drejtësisë. Nga kjo parti, sikurse edhe BDI, e shohin me shqetësim rrjedhën aktuale të hetimit.
“Të gjitha analizat nxjerrin në pah përshtypjen se rrjedha aktuale e hetimeve është selektive dhe e drejtuar ekskluzivisht ndaj ish-funksionarëve dhe zyrtarëve”, thotë LSDM.
“Deri më tani nuk ka asnjë zyrtar aktual, edhe pse tragjedia ka ndodhur pikërisht në kohën kur ata ishin në pozitat e përgjegjësisë. Drejtësia selektive nuk është drejtësi. Pse asnjë zyrtar aktual nuk është i përfshirë në hetimin e Koçanit? Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, dy ish-drejtorë të ISHT-së janë përfshirë në hetim për mosveprim të pretenduar. Por logjikisht shtrohet pyetja: pse drejtori aktual i ISHT-së, Vlatko Stojkoski nuk është pjesë e hetimeve? A nuk është i detyruar të përgjigjet për kompetencat e ISHT-së dhe punën e shërbimeve të inspektimit para dhe në momentin e tragjedisë?”, pyesin nga LSDM.
- LEXO: Drejtësia selektive nuk është drejtësi, pse asnjë zyrtar aktual nuk është përfshirë në hetim, pyet LSDM
- LEXO: Partitë kryesore të opozitës për hetimin e diskotekës Puls: Drejtësia selektive dhe persekutimi politik
- LEXO: LSDM pyet: Pse drejtori aktual i Inspektoratit të Tregut nuk është përfshirët në hetimin e Koçanit?
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Ndryshe, Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.