Derisa sot u jepej lamtumira e fundit viktimave të zjarrit në Koçan, prokuroria ndau listën e moshës së viktimave. Në mesin e 59 të vdekurve, 17 te gjinisë femërore dhe 42 meshkuj, vërehet se gjashtë janë të mitur, tre 16 dhe tre të tjerë 17 vjeçar, raporton Portalb.mk.
Katër prej viktimave janë 18 vjeçar dhe një 19 vjeçar.
Personat tjerë që kanë ndërruar jetë janë mbi 20 vjeçar.
Numri më i madh i të vdekurve janë të moshës 24 dhe 26 vjeçare, edhe atë nga 7 të vdekur, pason mosha 21 vjeçare me gjashtë viktima.
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar edhe emrat e viktimave dhe kërkon të mos spekulohet me informacione të pavërteta.
“Shprehim ngushëllimet më të thella për familjet dhe lutemi për paqen e shpirtrave të tyre. Lavdi atyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kujtojmë se Ile Gocevski, shofer i ambulancës nga Koçani, pas tragjedisë në diskotekën “Puls” ka vdekur poashtu dhe dyshohet se shkak i vdekjes së tij ka qenë sulmi në zemër i shkaktuar nga stresi ekstrem emocional. Ai ka punuar tërë natën pa pushim duke i transportuar të lënduarit dhe viktimat që kryesisht ishin persona të mitur dhe adoleshentë. Pas 40 orësh pune gjatë së cilës kishte parë skena që do të hynë në histori si tragjedia më e madhe në vendin tonë, ai është kthyer në shtëpi për të pushuar – por zemra e tij nuk ka duruar.
- LEXO: Familjarë, miq e bashkëqytetarë po u japin lamtumirën e fundit të vdekurve nga zjarri në Koçan
Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.