Banja e Tetovës vazhdon të mbetet e lënë pas dore nga ana e autoriteteve. Ndonëse e frekuentuar shumë nga qytetarët, rruga dhe lokaliteti lartë janë plot mbeturina, qen endacakë, lopë dhe parregullsi të tjera, shkruan Portalb.mk.
Përgjatë rrugës e cila të çon në Banjën e Tetovës vërehen një sërë parregullsish, mbeturina të shumta, kullosa të pakositura, jashtëqitje kafshësh, qen endacakë, dëmtime të karrigeve dhe të tjera.
Problemet e njëjta janë edhe në lokalitetin lartë, madje dje gjatë kohës që gazetari i Portalbit ishte në terren, aty u panë disa lopë që shëtisnin lirshëm në lum dhe fusnin kokën në shportat e mbeturinave.
“Javën e fundit kam dalë çdo ditë për ecje, por të vjen të vjellësh kur e sheh se në çfarë gjendje është shndërruar kjo pjesë, nuk ka rend dhe mirëmbajtje”, tha një qytetar.
“Qytetarët e pandërgjegjshëm i kanë fajet që me sjelljet e tyre e shkatërrojnë këtë terren, por për çfarë janë institucionet, ata duhet të marrin masa”, tha një qytetare.
Lidhur me këto probleme, sot kryetari i Komunës së Tetovës, Biall Kasami së bashku me ekipin e NPK-së, pastruan një pjesë të rrugës për në Banjë, megjithatë mungon zgjidhja sistematike.
Edhe pse Kasami thotë se punëtorët e NPK-së çdo ditë bëjnë pastrimin e kësaj hapsire, pamjet në terren flasin ndryshe.
“Për shkak të frekuentimit të lartë të asaj pjese, përsëri ajo pjesë nuk është e pastër si që duhet. Sa i përket inspektimeve, duke pasur parasysh se ajo pjesë frekuentohet gjatë gjithë ditës, nuk mundet punëtorët e ndërmarrjes apo inspektorët 24 orë t’i kontrollojnë qytetarët”, tha Kasami.
Ai tha se ende nuk është zgjidhur çështja me instalimin e kamerave në hapsirat publike sepse janë çështje të komplikuara, megjithatë nuk dihet se kur pritet të përfundojë. Kasami tha se kjo procedurë pritet të zgjasë.
Viteve të fundit, shoqata Eko Life në mënyrë vullnetare ka bërë mirëmbajtjen e rrugës dhe hapsirës së Banjës, megjithatë ata ankohen se nuk kanë marrë përkrahje nga ana e autoriteteve komunale.
“Falënderojmë shoqatën për aktivitetin që është në interes publik, me shpalljen e fundit në kuadër të komunës të përkrahjes së shoqatave joqeveritare ne kemi paraparë që një përkrahje financiare t’i dedikohet edhe kësaj shoqate, por sipas informatave që i kemi ata nuk janë të kënaqur me shumën”, tha Kasami.
Por nga shoqata Eco Life për Portalb.mk thanë se edhe pse prej vitesh si shoqatë e kanë pastruar rrugën e Banjës, hapësirën në Banjën e qytetit, rrugët anësore të Banjës, Kalanë e qytetit dhe disa vendet piknike në Malin Sharr, asnjëherë nuk kanë marrë përkrahje nga komuna, edhe pse kanë bërë kërkesa të shumta.
“Është e qartë se mungesa e interesimit nga institucionet ka sjellë këtë gjendje. Ne do të vazhdojmë punën tonë, por kërkojmë që Komuna të marrë përgjegjësinë që i takon. Është qesharake dhe njëkohësisht tragjike që ndihma e ndarë nga Komuna për shoqatën tonë nuk mjafton as për një javë aktivitet, duke pasur parasysh shpenzimet reale (transporti i mbeturinave, nafta, mjetet e punës, ushqimi dhe angazhimi i aktivistëve). Ky është një skenar i pastër politik-parazgjedhor, të cilin ne si aktivistë të natyrës nuk e pranojmë dhe nuk biem pre e mashtrimeve të tilla”, thanë nga Eco Life.
Kryetari i Komunës së Tetovës tha se për këtë vit, komuna ka ndarë 1.5 milionë denarë për shoqatat joqeveritare me theks të veçantë në fushën e mjedisit jetësor.
Kujtojmë që Banja e Tetovës me vite të tëra përballet me këto probleme, ndërsa nuk është gjetur zgjidhje afatgjate.
Ndryshe, i parealizuar mbetet edhe premtimi për rregullimin e stazave natyrore dhe hapja e shtigjeve të reja për rekreacion nga qyteti deri te Kalaja dhe Banja e Tetovës,