Ballkani për më shumë se një dekadë ka humbur mbi 2.400 kilometra lumenj të paprekur, ndër to edhe pjesë të Vardarit

Një vlerësim i ri gjithëpërfshirës i kushteve hidromorfologjike në të gjithë Ballkanin ka nxjerrë në pah një përkeqësim dramatik dhe të përshpejtuar të gjendjes të rrjedhave ujore të paprekura në rajon. Vlerësimi i parë rajonal komparativ për më shumë se një dekadë e dokumenton përkeqësimin e gjendjes së lumenjve të fundit të egër në Evropë, me ç’rast që nga viti 2012 gjendja e pjesëve të paprekura është pakësuar nga 30 në 23 përqind, një humbje e madhe kjo prej 2.450 kilometrash lumorë. Gjendja e lumenjve në Shqipëri është përkeqësuar më shpejt se në çdo vend tjetër të Ballkanit, kryesisht për shkak të hidroenergjisë dhe rregullimit të lumenjve, transmeton Portalb.mk.

Raporti për gjendjen hidromorfologjike të lumenjve në Ballkan për vitin 2025 i porositur nga ЕuroNatur dhe Riverwatch si pjesë e fushatës “Shpëtoni zemrën e kaltër të Evropës”, bën vlerësimin e 83.824 kilometrave lumenj në njëmbëdhjetë vende, duke nxjerrë në pah se përqindja e lumenjve natyrorë ka rënë nga 30 përqind në vitin 2012, në vetëm 23 përqind në vitin 2025 ose 2.450 kilometra lumorë, ndërsa pjesët lumore të ndryshuara rëndë kanë shënuar rritje.

Nga lumenjtë më të mëdhenj të vlerësuar vetëm 23 përqind mbeten pothuajse natyrorë, ndërsa 43 përqind kanë pësuar modifikime të vogla. Lumenjtë e ndryshuar mesatarisht deri në masë ekstensive përbëjnë 27 përqind, ndërsa pjesët e ndryshuara rëndë, kryesisht me ndërhyrje, përfaqësojnë 7 përqind të rrjetit. Ndryshimet më të rëndësishme janë vënë re në pellgun e Drinës, Neretvës, Vardarit, Devollit dhe Drinit. E rëndësishme është ajo që edhe pse kjo rënie është alarmante, përqindjet e mbetura të lumenjve pothuajse natyrorë dhe pak të ndryshuar mbeten dukshëm më të larta se në pjesën tjetër të Evropës, duke e theksuar statusin unik të Ballkanit si bastionin e fundit të madh të lumenjve të paprekur në kontinent.

“Trendet afatgjata të dokumentuara në këtë studim tregojnë për një rënie të qartë të pjesëve lumore pothuajse natyrore në të gjithë Ballkanin, të shkaktuara kryesisht nga ndërhyrjet dhe modifikimet e mëdha të lumenjve. Edhe pse rajoni ende ruan një përqindje relativisht të lartë të lumenjve të paprekur, këto trende tregojnë për një devijim në rritje midis praktikave aktuale të zhvillimit dhe standardeve ekologjike të kërkuara sipas kornizave për anëtarësim në BE dhe parimeve për menaxhimin e qëndrueshëm të lumenjve”, thotë autori i studimit, Dr. Ulrich Schwarz nga Fluvius, Vjenë.

Shqipëria: Rënia më madhe në Ballkan

Studimi konkludon se asnjë vend tjetër ballkanik nuk ka humbur aq shumë pjesë lumore të paprekura ose pak të ndryshuara në dekadën e fundit sa Shqipëria. Zhvillimi i hidroenergjetikës, rregullimi i pakontrolluar i lumenjve, nxjerrja e ujit dhe ndryshimi i gjerë i fushave përmbytëse i kanë transformuar peizazhet lumore të Shqipërisë me një shpejtësi marramendëse.

“Edhe pse Shqipëria e mbrojti me sukses Vjosën dhe disa nga degët e saj, gjatë dekadës së fundit në të u degraduan më shumë pjesë lumore se sa në çdo vend tjetër ballkanik. Këto gjetje duhet të shërbejnë si një thirrje për zgjim për qeverinë shqiptare që t’i mbrojë lumenjtë në mbarë vendin, jo vetëm në një pellg, sidomos duke pasur parasysh aspiratat e vendit për anërarësim në Bashkimin Evropian”, tha Ulrich Eichelmann, drejtor ekzekutiv i Riverwatch.

Raporti thekson se përpjekjet e fundit për ruajtje kanë mbrojtur me sukses rreth 900 km² duke i ndaluar projektet hidroenergjetike, duke vendosur zona të reja të mbrojtura dhe duke prezantuar politika për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël. Shpallja e Parkut Kombëtar Lumi i Egër Vjosa mbetet arritja më e rëndësishme për ruajtjen e rajonit.

Bazuar në këto gjetje organizatat për mbrojtjen e natyrës EuroNatur dhe Riverwatch bëjnë thirrje për veprim urgjent dhe të koordinuar për përforcimin e mbrojtjes kombëtare dhe të BE-së: mbrojtjen e lumenjve të mbetur të paprekur përmes legjislacionit dhe politikave kombëtare dhe ndërkombëtare, zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe zbatimin e tyre rigoroz, ndalimin e zhvillimit destruktiv të hidroenergjetikës: sidomos në Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, ku degradimi i lumenjve po rritet me shpejtësi më të madhe, vendosjen e monitorimit sistematik: të gjitha vendet ballkanike duhet të zbatojnë vlerësime hidromorfologjike të harmonizuara si parakusht për anëtarësim në BE, restaurimin e lumenjve të dëmtuar: përfshirë heqjen e barrierave, rilidhjen e fushave përmbytëse, reduktimin e shterimit të shtretërve të lumenjve dhe masat e restaurimit bazuar në natyrë, si dhe dhënien e prioritetit qëndrueshmërisë së natyrës dhe klimës: kalimin nga rregullimi i lumenjve me infrastrukturë të rëndë drejt menaxhimit të përmbytjeve dhe thatësirave bazuar në ekosistem.

“Përderisa lumenjtë në këtë rajon vazhdojnë ta humbasin karakterin e tyre natyror, dritarja për mbrojtje domethënëse po mbyllet shpejt”, thotë Anette Spangenberg, udhëheqëse e programit për ujërat e ëmbla në EuroNatur, dhe thekson se në Ballkan ndodhen disa lumenj të fundit të egër në Evropë, por mbrojtja e tyre tani kërkon guxim politik, vendimmarrje të bazuar në shkencë dhe një shmangie të qartë nga praktikat destruktive.

Ballkani PerëndimorLumenjMjedisi jetësorShqipëria