Në kuadër të përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në muajin tetor, Prokuroria Themelore Publike dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kanë zhvilluar takim pune, ku u njoftua formimi i Komisionit të përkohshëm për ndjekjen e parregullsive eventuale në zgjedhjet lokale, transmeton Portalb.mk.
“Të dy institucionet janë dakorduar që të përforcojnë koordinimin ndërinstitucional në kuadër të përgjegjësive ligjore për organizmin dhe ndjekjen e procesit zgjedhor për zgjedhjet lokale”, deklaroi KSHZ-ja, duke vlerësuar se janë duke punuar për zgjedhje fer dhe efikase.
Në këtë takim ka marrë pjesë prokurori publik, Lupço Kocevski, kryetari i Komisionit për parregullsi zgjedhore në Prokurorinë Publike, Xhelal Bajrami, kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, zëvendësi Abdush Demiri dhe anëtarët, Svetlana Karapetrova dhe Aleksandër Dashtevski.
“Qytetarët, organizatat qytetarë, organizatat e tjera, partitë politike, institucionet vendase dhe ndërkombëtare dhe të gjithë ata që konsiderojnë se në ndonjë procedurë ka tregues për vepër penale të kryer në lidhje me procesin zgjedhor, do të mund të dorëzojnë një parashtresë/raport te Komisioni për monitorimin e parregullsive zgjedhore në adresën elektronike izbori@jorm.mk, i cili do të jetë aktiv edhe për këtë proces zgjedhor”, sqaruan nga KSHZ-ja.
Ndryshe, Deklarata për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike e propozuar nga kryetari i Kuvendit, e cila do të jetë në rendin e ditës të seancës plenare të planifikuar për datën 12 të këtij muaji, nuk është nënshkruar vetëm nga grupi parlamentar i “Levica”.
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.