Asistent digjital në ueb-faqen e Kuvendit të RMV-së për personat me aftësi të kufizuar

Në ueb-faqen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut janë integruar teknologji të avancuar të aksesueshmërisë që garantojnë përdorim më të lehtë dhe të barabartë për personat me aftësi të kufizuara, njofton Portalb.mk.

Nga pres-shërbimi i Kuvendit informuan se platforma digjitale ofron mekanizëm që e lehtëson qasjen për persona me aftësi të kufizuara vizuale, motorike dhe njohëse, duke e bërë informacionin parlamentar më të kuptueshëm, më të navigueshëm dhe më pranë qytetarit.

“Ky investim, që është në përputhje me Direktivën Evropiane EN 301 549 dhe standardet WCAG 2.1, ndjek praktikat më të mira të qeverisjes digjitale dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Prandaj I njejti, nuk është vetëm përmirësim teknik, por një shprehje e qartë e angazhimit për transparencë, digjitalizim, inkluzivitet qytetar dhe demokraci më funksionale. Kur informacioni është i qasshëm, edhe institucionet bëhen më të hapura dhe më të besueshme”, thuhet në njoftimin nga Kuvendi.

Potencojnë se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdon të ndërtojë ura komunikimi me qytetarët, duke dëshmuar se transformimi digjital merr kuptim të plotë vetëm atëherë kur është gjithëpërfshirës.

Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutPersona me nevoja të posaçme - veçanta - aftësi të kufizuara