Disa popuj e shkruajnë historinë në libra. Shqiptarët, në shumë raste, e kanë shkruar edhe në këngë. Kënga popullore shqiptare është një gjuhë e koduar në melodi, e mbushur me simbolikë, me rrëfime, me dhimbje e dashuri, me trimëri e mall. Arta Haziri Nuhiu muzikologe profesioniste, tekstshkruese e këngëve për fëmijë dhe drejtoreshë e Festivalit “Mollëkuqet”, në një bisedë për Portalb.mk, foli për këngën shqipe si trashëgimi, për vlerat që ajo mbart dhe për nevojën që ta trajtojmë jo si “folklor për raste”, por si identitet që duhet studiuar, dokumentuar dhe përcjellë me dinjitet.
Portalb.mk: Pse është e rëndësishme të studiohet muzika jo vetëm si art, por si kulturë dhe identitet?
Arta Haziri Nuhiu: Muzika nuk është vetëm argëtim, ajo është gjuha e brendshme e një populli. Në secilën këngë, në secilin ritëm, ka histori, zakone, kujtesë kolektive. Kur e studiojmë muzikën si kulturë dhe identitet, kuptojmë se çfarë kemi ruajtur, çfarë kemi humbur dhe çfarë mund t’u lëmë brezave të ardhshëm.
Portalb.mk: A po vdes muzika tradicionale shqiptare, apo po vritet nga ne? A jemi duke e ruajtur folklorin apo vetëm duke e shitur si dekor për festivale?
Arta Haziri Nuhiu: Muzika tradicionale nuk vdes vetë ajo vdes vetëm nëse nuk jeton brenda nesh. Sot, rreziku është që folklorin po e përdorim si pamje estetike, në vend që ta kultivojmë si pjesë të përditshme të edukimit dhe kulturës.
Portalb.mk: Kush është fajtori kryesor: publiku që s’e do, mediat që s’e transmetojnë, apo institucionet që s’e mbrojnë?
Arta Haziri Nuhiu: Asnjëri veçmas dhe pak nga të gjithë. Publiku nuk e kërkon sepse nuk ia ofrojmë si duhet. Mediat nuk e transmetojnë sepse nuk e shohin si komerciale. Institucionet shpesh e trajtojnë si detyrë, jo si mision.
Portalb.mk: A ka një politikë shtetërore reale për ruajtjen e muzikës burimore, apo gjithçka është me projekte “për sy e faqe”?
Arta Haziri Nuhiu: Shpesh shohim projekte të bukura në letër, por pa rezultat afatgjatë. Ruajtja e muzikës burimore duhet të jetë strategji shtetërore e qëndrueshme: edukim, arkivim, mbështetje për bartësit e trashëgimisë.
Portalb.mk: Kur një këngë tradicionale modernizohet, ku mbaron krijimtaria dhe ku fillon shkatërrimi?
Arta Haziri Nuhiu: Modernizimi është i natyrshëm, por duhet respektuar thelbi origjinal. Krijimtaria mbaron aty ku humbet identiteti i këngës. Po, ka raste kur modernizimi shndërrohet në deformim dhe kjo mund të konsiderohet edhe humbje identiteti.
Portalb.mk: Si lindi dashuria juaj për muzikën për fëmijë?
Arta Haziri Nuhiu: Dashuria ime për muzikën për fëmijë erdhi natyrshëm. E pashë si një thirrje shpirtërore për t’u dhënë fëmijëve muzikë të pastër, të edukuar dhe të gëzueshme. Muzika është mënyra e parë me të cilën ata kuptojnë botën.
Portalb.mk: Çfarë e dallon një këngë të mirë për fëmijë nga një këngë e zakonshme?
Arta Haziri Nuhiu: Një këngë për fëmijë duhet të jetë e sinqertë, me fjalë të qarta dhe ritëm që ndihmon zhvillimin e tyre. Ndjej përgjegjësi të madhe, sepse sot fëmijët mësojnë shumë përmes muzikës që dëgjojnë.
Portalb.mk: A mendoni se këngët për fëmijë kanë rol edukativ më të madh sesa e kuptojmë ne të rriturit?
Arta Haziri Nuhiu: Po. Muzika edukon më shpejt se çdo mjet tjetër, sepse hyn natyrshëm në mendje. Fëmijët imitojnë ritmin, tekstin dhe energjinë e këngës.
Portalb.mk: A është muzika tradicionale dëshmi e historisë sonë më shumë se librat e historisë?
Arta Haziri Nuhiu: Shpesh po. Librat shkruhen nga individë, por këngët lindin nga populli. Ato mbartin emocionin e epokave dhe janë dëshmi e gjallë e jetës së të parëve tanë.
Portalb.mk: A janë kompozitorët sot të nënvlerësuar, apo vetë nuk dinë të kërkojnë vendin e tyre?
Arta Haziri Nuhiu: Të dyja. Kompozitorët shpesh nënvlerësohen, sepse vëmendja përqendrohet te interpretuesi. Por edhe vetë krijuesit duhet të jenë më të pranishëm dhe më kërkues për vlerësimin e punës së tyre.