Arlinda Hajrullahu ia dedikon një ekspozitë Gostivarit në Galerinë ”Kult”, qytetit që e strehoi gjatë luftës në Kosovë

Aktivitetet e Galerisë ‘’Kult’’ tashmë kanë filluar. Kësaj radhe vjen me ekspozitë piktorja nga Kosova Arlinda Hajrullahu që dikur kishte qenë refugjate në qytetin e Gostivarit, ndërsa sonte këtij qyteti i dhuron art në shenjë mirënjëhjeje duke ia kushtuar këtët ekspozitë. Ekspozita titullohet “Tjetri dhe unë”, ndërsa hapja bëhet sonte, pra e shtunë, në orën 20.00, njofton Portalb.mk.

Ekspozita ”Tjetri dhe Unë”- afishe

“Tjetri në vizionin e Arlinda Hajrullahu është shprehje e vlerës së diversitetit, është ndjenja e plotësimit të boshllëkut shpirtëror dhe krahu mbrojtës në lundrën e pasigurisë- shprehet kështu kuratorja e ekspozitës Vlora Demiri.

Njëra nga pëkufizimet më esenciale të artit është ajo që me anë të tij thehet rutina e mendimit dhe këtë e dëshmon pikërisht kjo ekspozitë e titulluar “Tjetri dhe Unë”, ku artistja Arlinda Hajrullahu nëpërmjet tendencës për të krijuar dialog na fut në kompleksitetin delikat të marrëdhënieve njerëzore.”

Piktorja në fjalë eksploron me dimensionet njerëzore. Në këtë  ekspozitë shumë të veçantë do të kërkohet dhe përfshirja e shikuesit. Do të jetë si kombinim mes instalacionit dhe pikturës.

Piktorja Arlinda Hajrullahu ka zgjedhur pikërisht Gostivari për tu prezantuar për herë të parë në Maqedoni dhe arsyeja është sepse me këtë qytet e lidhin kujtime jo shumë të mira, pasi në kohën e luftës në Kosovë ishte strehuar si e ikur nga lufta, kësaj radhe do të jetë më ndryshe, vjen për t’i sjell gjëra të bukura qytetit të Gostivarit . Dhe këtë ekspozitë ia kushton këtij qyteti bujar.

Koncepti i ekspozitës ‘’TJETRI DHE UNË ‘’

Në koordinatat e ekzistencës, Unë dhe Tjetri janë dy pika që përplasen në thellësinë e mendimeve dhe perceptimeve. Përplasja e tyre krijon një paradoks që sa më fuqishme të jetë ajo, ekzistenca e tyre është më e përjetshme. E gjithë kjo, është inicim i brendshëm i njeriut që pretendon të krijojë dhe përcaktojë vendin dhe superioritetin e vetes në mes llojit të tij. Në këtë proces vetë krijimi, tjetri është rezultat i ndarjes dhe i nxjerrjes në pah të gjithçkaje që nuk është unë. Tjetri është gjithçka përveç vetes. Tjetri është e ndryshmja, i panjohuri, i largëti, i përuluri, i pa kuptimti, i ardhuri, e bardha, e zeza, Lindja, Perëndimi…

Ngërçi i përcaktimit të vetes në shoqëri ka bërë që ky konflikt i brendshëm të krijojë monolog në të cilin përjashtohet çdo tentativë empatie, bashkëbisedimi dhe tolerance. Kjo mungesë e dialogut ka krijuar gjithmonë një tjetër, të cilin e perceptojmë si kufi, kundërshtar dhe mbi të gjitha burim konflikti.

Njëra nga përkufizimet më esenciale të artit është ajo që me anë të tij thehet rutina e mendimit dhe këtë e dëshmon pikërisht kjo ekspozitë e titulluar “Tjetri dhe Unë”, ku artistja Arlinda Hajrullahu nëpërmjet tendencës për të krijuar dialog na fut në kompleksitetin delikat të marrëdhënieve njerëzore. Ajo i jep mundësi tjetrit që ta njeh, përkundrejt tjetërsimit të vazhdueshëm të bërë nga unë; dhe në këtë rast thyen kufijtë e përgjithshëm në mes përcaktimit të këtyre dy koncepteve. Veprat e saj janë emëruesi i përbashkët i kësaj afërsie. Tjetri në vizionin e Arlindës është shprehje e vlerës së diversitetin, është ndjenja e plotësimit të boshllëkut shpirtëror dhe krahu mbrojtës në lundrën e pasigurisë. Tjetri i Arlindës nuk është një entitet i ndryshëm dhe i jashtëm, por një pjesë integrale e vetes.

Veprat e Arlindës janë të papërfunduara, ato “i përfundon” shikuesi me inkuadrimin e tij. Përkundrejt artit tradicional ku distanca fizike në mes veprës dhe shikuesit është e pa definuar, këtu atij i kërkohet edhe përfshirja fizike. Arti i saj krijon eksperiencën e përjetimit nëpërmjet involvimit. Veprat e kësaj ekspozite janë proçes ripërtrirës; ato kanë një mbarim, por nuk kanë një fund sepse përballja e çdo shikuesi është një fillim i ri.

Elementi veçues i veprave të saj është përdorimi i pasqyrave nëpërmes të cilave Arlinda then teorinë e Narcisit. Në këtë kuptim, pasqyra lëviz nga sfera singulare e simbolizmit, për t’u bërë një objekt ndërveprues. Ne shikohemi në pasqyrë jo vetëm për të parë se si dukemi, por mbi të gjitha për të ‘rregulluar’ veten, për të krijuar imazhin se si do të donim të dukeshim. Kurse pasqyra e Arlindës përmes vetes na e prezanton tjetrin! Secili që del para saj, kërkon tjetrin në vete dhe nuk lejon ndërhyrje për ta ndryshuar. Ajo tenton ta lërë tjetrin ashtu siç është, duke njohur dhe prezantuar pasurinë njerëzore tek diversitetin, tek Uni i çdokujt. Kuratorja Vlora Demiri

GostivariKultura shqiptareKulturë lajme