Eurovizion 2024: Këto shtete kaluan gjysmëfinalen e parë, shqiptarja Foureira e hapi mbrëmjen, Saade me mesazh pro Palestinës

Eurovizioni i këtij viti filloi sonte me gjysmëfinalen e parë, nga 15 shtete konkurruese vetëm 10 u kualifikuan në finale. Këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira hapi festivalin këtë vit. Në hapje këngëtari nga Suedia me origjinë palestineze, Eric Saade dha mesazh pro Palestinës përmes “shallit palestinez”, shkruan Portalb.mk.

Shtetet të cilat siguruan vende në finale janë: Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qipro, Kroacia, Irlanda dhe Luksemburgu.

Për këtë vit garën e ndërprenë: Polonia, Australia, Islanda, Moldavia dhe Azerbajxhani.

Sonte performuan edhe Gjermania dhe Britania e Madhe të cilët janë finalistë automatik si dhe nikoqiri i festivalit Suedia.

Eurovizioni i sivjetshëm u hap nga Eleni Foureira si e ftuar speciale, artistja me origjinë shqiptare e cila ka përfaqësuar Qipron në Eurovizion me këngën hit ‘Fuego’. Bashkë me të performuan edhe Eric Saade nga Suedia dhe Chanel nga Spanja.

Saade, i cili është me prejardhje palestineteze mbante një shall (keffiyeh) të mbështjellë rreth kyçit të dorës, i cili paraqet një simbol palestinez që përdoret shpesh në protestat pro-palestineze dhe anti-izraelite.

Flamujt që nuk i përkasin vendeve pjesëmarrëse nuk lejohen në sallë, megjithatë shallet palestineze nuk bien ndesh me rregullat e Eurovizionit.

Eric Saade në hapjen e Eurovizionit 2024. Foto: Printscreen nga Eurovision Song Contest (Youtube)

Gjysmëfinalja e dytë do të mbahet të enjten (9 maj) ku do të konkurrojnë 16 shtete. Ndërsa finalja e madhe mbahet të shtunën (11 maj) ku do të performojnë 26 shtete.

Maqedonia e Veriut për herë të dytë radhazi nuk merr pjesë në festival.

Shqipëria këtë vit në Eurovizion përfaqësohet nga Besa Kokëdhima me këngën ‘Titan’ dhe në skenë do të ngjitet gjysmëfinalen e dytë, e dyta me radhë.

As Kosova nuk merr pjesë në Eurovizion pasi  transmetuesi i tyre publik RTK nuk është anëtar i Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU).

Eurovizioni këtë vit mbahet në Malmo të Suedisë pasi Loreen vitin e kaluar fitoi me këngën ‘Tattoo’, e cila edhe në vitin 2012 Suedisë i solli fitoren me këngën ‘Euphoria’, kështu duke u bërë artistja e dytë në historinë e festivalit që fitoi dy herë.

Eurovizioni sivjet realizohet në masa të mëdha sigurie nga anknesat për pjesëmarrjen e Izraelit për shkak të bombardimit të Gazës. Në Evropë janë bërë thirrje të ndryshme për të përjashtuar Izraelin nga gara.

Eurovizion - EurosongFestival muzikorMalmoSuedia
Comments (1)
Add Comment