Ansambli Muzikor në Tetovë, të mërkurën më (15 tetor) me fillim nga ora 20:00, në Qendrën për Kulturë në Tetovë, do të vë në skenë koncertin e radhës. Ky koncert do të bashkojë në një skenë emra të njohur të muzikës shqiptare. Programi i mbrëmjes do të përfshijë përzgjedhje të veprave më të bukura nga muzika klasike dhe ajo shqiptare, duke ofruar një udhëtim artistik që ndërthur traditën me profesionalizmin dhe emocionin, shkruan Portalb.mk.
Në këtë koncert do të performojë violinisti me karrierë ndërkombëtare Xhafer Xhaferi, së bashku me pianistin Shkëlzen Baftiarin dhe orkestrën nën dirigjimin e Agona Çupi.
Për publikun e Tetovës do të interpretohet Mendelssohn’s Concerto in D minor for Violin, Piano, and Strings, një kryevepër me tre kohë:
- Allegro
- Adagio
- Allegro molto
Në program përfshihet gjithashtu edhe krijimi bashkëkohor “Folk Suita” nga kompozitori Drinor Zymberi, që ndërthur motive tradicionale shqiptare me elemente moderne të muzikës orkestrale.
Blerim Qamili drejtor i Ansamblit Muzikor në Tetovë për Portalb.mk tha se Ansambli Muzikor në Tetovë është dera e të gjithë artistëve që duan të ndajnë artin dhe pasionin e tyre me publikun.
“Ky koncert synon të afirmojë skenën muzikore të Tetovës si një hapësirë të hapur për artistët tanë me karrierë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dëshmuar se skena e Ansamblit Muzikor në Tetovë është dera e të gjithë artistëve që duan të ndajnë artin dhe pasionin e tyre me publikun. Repertori është përzgjedhur nga Këshilli Artistik në bashkëpunim me Xhafer Xhaferin. Është një përzgjedhje e bukur që sjell në skenë elegancën dhe ndjeshmërinë e kompozitorit Felix Mendelssohn, tipare këto karakteristike të periudhës së Romantizmit në muzikë”, tha Qamili.
Ai edhe më tej shtoi se përzgjedhja e veprave të kompozitorëve shqiptar është një strategji për afirmimin e krijuesve tanë.
“Vendosja e veprave të kompozitorëve shqiptar është një “strategji” për afirmimin e krijuesve tanë. Tingujt e folklorit shqiptar përpunohen dhe ruhen në veprat e tyre, duke e bërë kulturën tonë të jetojë në përjetësi. Me talentin dhe kreativitetin e tyre, ata kanë arritur të ndërthurin folklorin me muzikën profesionale një gjë vërtet e mrekullueshme”, tha Qamili.
Qamili shtoi se Ansambli ka një rëndësi të veçantë për publikun shqiptar.
“Ne po mundohemi me çdo kusht ta mbajmë gjallë Ansamblin Muzikor-Tetovë, gjithmonë me synimin për ta rritur dhe për ta forcuar institucionalisht dhe profesionalisht. Mendoj se IN. Ansambli ka një rëndësi të veçantë për jetën kulturore të shqiptarëve në RMV. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë kapacitet artistik për të krijuar një ansambël profesional të mirëfilltë. Dalëngadalë, ansambli po krijon audiencën e vet. Duhet ta kemi parasysh se kemi muzicientë të shkëlqyer, të cilët kanë performuar shpesh në skenën e Tetovës dhe jo vetëm, edhe përpara krijimit të ansamblit. Artistët që sot janë pjesë e Ansamblit Muzikor e kanë krijuar tashmë publikun e tyre dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë me përkushtim. Jam shumë i lumtur për këtë fakt, sepse ata po kontribuojnë në mënyrë të jashtëzakonshme në zhvillimin e ansamblit në të gjitha aspektet”, tha Qamili.
Ai shtoi se ktualisht ansambli funksionon përmes projekteve të financuara nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, ku në shumicën e rasteve janë angazhuar artistët e rinj, veçanërisht ata vendas.
“Për fat të keq, ende nuk kemi marrë përgjigje lidhur me kërkesën për punësimin e 24 artistëve, gjë që do të përbënte një themel të fortë dhe një shpresë të madhe për ne si institucion, për artistët e rinj dhe për publikun tonë”, përfundoi Qamili.