ANALIZË: Shpenzimet kapitale në RMV në “infuzion”, realizim prej 40,1% për nëntë muaj

Vetëm katër ministri kanë realizuar më shumë se 60% të investimeve kapitale të planifikuara për nëntë muaj. Tre ministritë e sapoformuara, për sport, për energji dhe për administratën publike, edhe pse kanë një shumë më të madhe të mjeteve për investime kapitale, tani për tani kanë realizim zero. Sipas të dhënave të reja të Ministrisë së Financave, Ministria e Punëve të Brendshme ka sasinë më të madhe të fondeve të shpenzuara për investime publike, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Disa nga ministritë me buxhete më të mëdha realizuan përqindje “zvarritëse” të investimeve kapitale…

Nga ministritë që disponojnë me buxhete më të mëdha, Ministria e Punëve të Brendshme për nëntë muaj ka realizuar 16,7 milionë euro ose 83.02% të shpenzimeve kapitale të planifikuara. Ministria e Ekonomisë dhe e Punës ka shpenzuar 73,21% nga afro 347.000 eurot e planifikuara, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka realizuar 70,2% prej 96,2 milionë eurove të planifikuara. Ministria e Bujqësisë nga buxheti i sivjetmë në vlerë prej 5,9 milionë euro për shpenzime kapitale, për nëntë muaj ka realizuar 63,17%. Të gjitha ministritë e tjera kanë realizim të shpenzimeve kapitale më të ulët se 55%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ministria e Financave – funksionet e shtetit (nëpërmjet të së cilës bëhen pagesat në baza të ndryshme) deri në fund të tremujorit të tretë ka realizuar 50,46% nga 173,1 milionë eurot e planifikuara për shpenzime kapitale, ndërsa rreth gjysmën e mjeteve të planifikuara kanë shpenzuar edhe Ministria e Arsimit, e cila realizoi 50,97% të 33,9 milionë eurove dhe Ministria e Shëndetësisë, e cila për nëntë muaj shpenzoi 50,42% të afro 11,1 milionë eurove për shpenzime kapitale.

Disa ministri për nëntë muaj kanë realizim të shpenzimeve kapitale më të ulët se 30%. Në veçanti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë nga 317.600 euro të planifikuara për shpenzime kapitale ka shpenzuar 16,91%, Ministria e Financave nga 9,1 milionë euro në dispozicion ka realizuar 22,95%. Ministria e Transportit, e cila ka në dispozicion një shumë tepër të lartë prej 191,4 milionë euro për shpenzime kapitale, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti ka realizuar vetëm 16,17% të mjeteve të planifikuara. Edhe një ministri tjetër, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila ka një shumë të lartë prej 7,1 milionë eurosh për shpenzime kapitale, deri në fund të tremujorit të tretë ka pasur një realizim prej 25,02%.

Ministria e Kulturës nga 1 milion euro në dispozicion ka shpenzuar 38,57%, ndërsa një realizim fare të vogël prej 1,36% ka pasur Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.

Një pjesë e ministrive në këtë vit zgjedhor, deri në fund të muajit të nëntë, patën një realizim simbolik të shpenzimeve për investime publike. Kështu, për shembull, Ministria e Sistemit Politik edhe pse ka një shumë të parëndësishme prej rreth 3.000 eurosh për këtë qëllim, nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga këto mjete.

Në grupin e ministrive me realizim zero (0) të shpenzimeve kapitale janë edhe ato të rejat, Ministria e Energjisë, për të cilën këtë vit janë planifikuar 4,3 milionë euro mbi këtë bazë, Ministria e Sportit, e cila ka një buxhet prej 6,5 milionë eurosh, si dhe Ministria e Administratës Publike me buxhet prej 14.400 euro.

Të dhënat tregojnë se institucionet me shuma “simbolike” për shpenzime kapitale kanë arritur të realizojnë një pjesë më të madhe të planit. Kështu, për shembull, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka shpenzuar gati 78% të 5.000 eurove të planifikuara, Komisioni Shtetëror për Ankesa për Furnizimet Publike prej 4,000 eurove ka realizuar 86%, kurse mjetet për investime kapitale në Inspektoratin Shtetëror për Inspektim Teknik, Agjencinë për Investime të Huaja, Gjykatën Kushtetuese janë shpenzuar pothuajse tërësisht.

Në fund të tremujorit të tretë, realizimi i shpenzimeve kapitale është 40,01% ose janë shpenzuar 281,5 milionë euro.

Analiza Ekonomike e PortalbitEkonomia e shtetit - Lajme ekonomiHarxhime - Shpenzime