Punimet në terren për ndërtimin e ri të Spitalit të Kërçovës dhe rikonstruimin e Spitalit të Tetovës pritet të fillojnë diku nga muaji shtator apo tetor, këtë e bëri të ditur sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, transmeton Portalb.mk.
Qeveria e RMV-së në seancën e djeshme miratoi informacionin për rekonstruktimin dhe ndërtimin e dy pavijoneve të reja (gjinekologji dhe onkologji) në spitalin e Tetovës, spitalin e ri në Kërçovë, si dhe modernizimin e spitalit në Shtip, ku i gjithë ky investim pritet të kushtojë 205 milionë euro.
I pyetur se kur konkretisht do të bëhen në terren këto projekte, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu theksoi se dje në qeveri kaloi buxhetimi për këto projekte.
“Procedura është si vijon, ne kemi kaluar këtë kornizën buxhetore, tani presim nga institucionet financiare në botë që të aplikojnë për këtë kërkesën që ne e bëjmë si shtet, kjo zgjatën dy javë, pas dy javëve do të kemi nga të gjithë institucionet pastaj do të shohim kush është oferta më e përshtatshme për shtetin, do të lidhet kontratë dhe do të fillohet diku pas shtatorit-tetorit do të jenë më procedurat e mbyllura dhe do mund të fillojmë në terren me aktivitetet”, tha Aliu.
Kujtojmë që një objekti i spitalit të ri të Kërçovës, filloi të ndërtohet që nga vitet e 90-ta. Kërçovarët vazhdojnë t’i marrin shërbimet shëndetësore në hapësirat e spitalit të vjetër, pavarësisht se autoritetet lokale dhe qendrore disa herë u kanë premtuar spital me kushte moderne. Spitali, i cili do të duhej t’u shërbente pacientëve, sot është bërë vendstrehim për qentë endacakë. Në vend të tij, do të ndërtohet objekt tjetër i ri nga themeli.
- LEXO: Spitali i ri i Kërçovës me dekada mbetet ‘prioritet’ i ministrave, refrenin e përsëriti edhe Azir Aliu
- LEXO: Miliona euro shkuan kot, Spitali i Kërçovës s’do të përfundohet, do të ndërtohet një i ri nga themeli
- LEXO: Taravari harroi çka premtoi, i ndryshoi fjalët për Spitalin e Kërçovës (Video)
- LEXO: Spitali i Kërçovës do fillojë të ndërtohet në fillim të vitit 2025 dhe për dy vite do të jetë gati, paralajmëroi Taravari
- LEXO: “Spitali i ri i Kërçovës”, i hapur për qentë në vend të pacientëve që enden në spitalin e vjetër (FOTO)