Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup aktakuzë kundër tre personave, të cilët akuzohen se kanë kryer nga një vepër penale – Shkaktim të falimentimit të bankës, si dhe propozim-akuzë kundër një personi për veprën penale – Punë të pakujdesshme në shërbim, transmeton Portalb.mk.
Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë, në cilësinë e kryetarit të Bordit Drejtues dhe anëtarit të Bordit të Kredive, i akuzuari i dytë, si kryetar i Bordit të Kredive, dhe i akuzuari i tretë, si kryetar i Bordit për Menaxhimin e Rreziqeve dhe anëtar i Bordit Drejtues, gjatë periudhës nga viti 2013 deri në gjysmën e dytë të vitit 2019, kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Bankat dhe aktet e brendshme të bankës.
Përmes miratimit të kredive për persona juridikë të paaftë për kreditim dhe persona juridikë të lidhur, pa analiza të përshtatshme dhe pa sigurime të mjaftueshme, duke fshehur gjendjen reale financiare dhe rreziqet, si dhe përmes raportimit të pasaktë ndaj Bankës Popullore, ata kanë kontribuar në përkeqësimin e ndjeshëm të gjendjes financiare të Eurostandard Bank AD Shkup.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, ata kanë kontribuar që banka të futet në falimentim, ndërsa kreditorët të dëmtohen në vlerë prej 1.662.417.664 denarësh.
Sipas propozim-akuzës, i akuzuari i katërt, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të Eurostandard Bank AD Shkup, gjatë periudhës nga viti 2013 deri në vitin 2019, përmes ushtrimit të pakujdesshëm të kompetencave të tij dhe moskryerjes së mbikëqyrjes së nevojshme, ka vepruar në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara me Ligjin për Bankat.
Me këtë, sipas Prokurorisë, ai ka mundësuar miratimin e kredive jofunksionale, marrjen e rreziqeve të tepërta kreditore, paraqitjen e pasaktë të gjendjes financiare të bankës dhe mosrespektimin e procedurave ligjore dhe të brendshme gjatë kreditimit.
Këto veprime, sipas akuzës, kanë kontribuar në krijimin e paaftësisë së dukshme për pagesë, uljen e mjeteve të veta të bankës dhe futjen e saj në falimentim sipas ligjit.