Aishe Emini: Megjithëse ka kuadër ligjor që mbron të drejtat e grave në RMV, zbatimi shpesh mbetet i mangët

Gratë, veçanërisht në zonat rurale, përballen me shumë sfida që ndikojnë në cilësinë e jetesës dhe mundësitë e tyre për zhvillim. Pasiguria Sociale është një ndër problematikat kryesore me të cilat ato ballafaqohen. Kështu u shpreh për Portalb.mk Aishe Emini, kryetare e Asociacionit për Afirmimin e Gruas. 

Portalb.mk: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen gratë në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në zonat rurale, dhe si ndikon Asociacioni për Afirmimin e Gruas në përmirësimin e kësaj gjendjeje?

Aishe Emini: Në Maqedoninë e Veriut, gratë, veçanërisht në zonat rurale, përballen me shumë sfida që ndikojnë në cilësinë e jetesës dhe mundësitë e tyre për zhvillim. Pasiguria Sociale është një ndër problematikat kryesore me të cilat ato ballafaqohen. Shpesh kanë pasiguri sociale për shkak të varësisë financiare nga partnerët ose familja dhe ky fakt i privon ata që të ndërmarrin çfarëdo lloj aktiviteti me vetiniciativë.

Si rezultat, shfaqet pabarazia ekonomike ku shpesh gratë kanë qasje të kufizuar në tregun e punës dhe kanë normat më të ulëta të pagave. Arsimi dhe aftësitë e ndryshme profesionale janë prezentë në disa raste, jo gjithkund pasi që tashmë vetëdijesimi për arsimim është më i lartë se në të kaluarën mirëpo sidoqoftë në disa vende nivelet e arsimit janë të ulëta, si rezultat i traditave kulture që akoma e injorojnë edukimin e vajzave.

Mungesa e pjesëmarrjes në vendimmarrje, ku gratë nuk janë të përfshira sa duhet dhe kanë pak përfaqësim në pozita vendimmarrëse, me çka u kufizohet mundësia për të bërë ndryshime si në familje, shoqëri në vendin e punës, etj. Dhuna dhe diskriminimi janë gjithashtu fenomene ku gratë përballen me forma të ndryshme të dhunës dhe diskriminimit, duke përfshirë dhunën në familje dhe atë ekonomike. Mungesa e mundësive për punësim, ku gratë shpesh janë të përjashtuara nga pozita të mira punësimi si dhe mungesa e infrastrukturës dhe resurseve është veçanërisht e dukshme në zonat rurale.

Asociacioni për Afirmimin e Gruas ka luajtur një rol të rëndësishëm në adresimin e këtyre çështjeve duke përfshirë: aktivitete edukative, aftësuese, trajnime psiko-sociale, seminare të ndryshme vetëdijesuese, projekte edukative për të rritur nivelin e arsimit dhe aftësive të grave, me fokus në trajnime profesionale, si trajnime javore, mujore dhe semestrale duke përfshirë fusha të ndryshme të cilat i kërkon nevoja.

Trajnimin aftësues që e kemi realizuar së fundmi për rrobaqepësi ka qenë një trajnim i suksesshëm ngaqë kanë pasur mundësi ta ndjekin gra të profileve të ndryshme. Programi më i fundit që e kemi realizuar për prindërimin pozitiv “Për një familje solide” ku kemi ofruar këshillime dhe seanca psikoterapie për të gjithë pjesëmarrësit, ka qenë gjithashtu shumë i mirëpritur ngaqë ka arritur të përfshijë gratë e disa qyteteve si: Kumanovë, Shkup, Tetovë e Kërçovë. Së fundmi, avokatia është një projekt të cilin e kemi në planin tonë strategjik mirëpo akoma nuk e kemi implementuar, shpresojmë që ta implementojmë në një kohë të shkurtër dhe të jetë përfitues për shumë gra që kanë interes të jenë pjesëmarrëse në lobim për ndërrimin e ligjeve dhe politikave për të mbrojtur të drejtat e grave.

Fotografi nga aktivitetet e AAG-së. Foto: Aishe Emini

Portalb.mk: Si e vlerësoni mbështetjen institucionale dhe ligjore për të drejtat e grave në Maqedoninë e Veriut, cilat ndryshime mendoni se janë të nevojshme?

Aishe Emini: Megjithëse ka një kuadër ligjor që mbron të drejtat e grave, zbatimi i tij shpesh mbetet i mangët. Mendojmë se këto institucione duhet të rishikojnë legjislacionin, të sigurojnë që ligjet ekzistuese të aplikohen në praktikë si dhe të kenë më shumë bashkëpunim më organizatat përkatëse joqeveritare në vend dhe rajon. Gjithashtu mendojmë se këto mangësi do të kishin një përmirësim më të madh me pjesëmarrje më aktive të grave në vendimmarrje në politikë gjë e cila do të ndihmonte në adresimin e çështjeve gjinore.

Portalb.mk: Cilat janë sfidat dhe arritjet e AAG-së, çfarë projekte keni paraparë gjatë këtij viti, sa ka interes që gratë të jenë pjesë e kësaj shoqate?

Aishe Emini: Sfidat kanë ekzistuar gjithmonë dhe do të jenë prezent gjithmonë përderisa kemi të bëjmë me punë dhe veprimtari me shoqërinë në përgjithësi, mirëpo për këtë periudhë e kisha veçuar si sfidë më të madhe mungesën e resurseve njerëzore. Në të kaluarën puna vullnetare dhe aktivizmi me bazë vullnetare kanë qenë më të theksuar ndërsa në këtë kohë dinamike që po jetojmë popullata në përgjithësi po edhe gratë në veçanti janë më të angazhuar gjë që e cenon kohën dhe shoqëria janë çdo ditë e më të zënë dhe më të ngarkuar për t’u marrë me punë vullnetare.

Interesi për t’u bashkuar me AAG është rritur, falë aktiviteteve të vazhdueshme dhe fushatave për ndërgjegjësim dhe vetëdijesim. AAG është aktive gati 14 vite në këtë nën qiell andaj është bërë një derë e hapur për të gjitha gratë të cilat dëshirojnë të jenë aktive, të ngritën, të bashkëveprojnë mund ta gjejnë veten aty.

Portalb.mk: Cilat janë disa nga arritjet më të rëndësishme të Asociacionit për Afirmimin e Gruas deri më tani, dhe si kanë ndikuar ato në fuqizimin e grave?

Aishe Emini: Mund ta them me krenari që arritja më e madhe AAG është bashkëpunimi dhe ndërveprimi i saj me institucione të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, universitete nga vendi dhe jashtë si dhe gra të profileve të ndryshme.

Fotografi nga aktivitetet e AAG-së. Foto: Aishe Emini

Portalb.mk: Si mund të përmirësohet bashkëpunimi midis organizatave joqeveritare dhe institucioneve shtetërore për të adresuar çështjet e pabarazive gjinore?

Aishe Emini: Duke bashkëpunuar midis veti më tepër edhe atë nëpërmjet aktiviteteve të cilat janë në interes të përbashkët, pra aktivitete që na bashkojnë dhe jo që na ndajnë, në sferën e veprimtarisë së gruas në shoqëri.

Portalb.mk: Cilat janë ngecjet më të mëdha për gratë në Maqedoninë e Veriut në aspektin ekonomik dhe social?

Aishe Emini: Nga ngecjet më të mëdha sipas meje janë mundësitë reale jo të barabarta në shoqëri si P.SH. sot nuk kemi asnjë kryetare partie, rektore universiteti, vetëm një kryetare komune në Qytetin e Shkupit dhe aspak më tepër, numri i kufizuar i biznesmenëve me influencë serioze në shoqëri etj. Mendoj se duhet një mbështetje më serioze në këtë aspekt, që sadopak të arrihet një ekuilibër më serioz në këto çështje.

Fotografi nga aktivitetet e AAG-së. Foto: Aishe Emini

Portalb.mk: Cili do ishte një mesazh i juaja deri te lexuesit tanë?

Aishe Emini: Fuqizimi i grave është i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. Të gjithë kemi përgjegjësinë për të krijuar një ambient ku gratë do të kenë mundësi të barabarta për të arritur potencialin e tyre, duke kontribuar kështu në një shoqëri më të drejtë e të barabartë për të gjithë. Kjo qasje e integruar dhe e përbashkët është thelbësore për adresimin e pabarazive gjinore në Maqedoninë e Veriut dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Barazi gjinoreGra të suksesshmeKultura shqiptareKulturë lajme