Nuk mendoj se është e dobishme dhe produktive të mbash anë për ndonjë çështje, përfshirë një çështje aq të rëndësishme sa migrimi, vetëm për të fituar pikë politike. Këtë e deklaroi në një intervistë për TV Sitel mbrëmë ambasadorja e SHBA-së në vend, Angela Ageler, duke komentuar temën e migrimit të ngritur nga kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, duke e paraqitur atë si një çështje të madhe sigurie dhe politike, transmeton Portalb.mk.
Sipas Ageler, duhet të zhvillohen diskutime serioze dhe produktive për një çështje kaq të rëndësishme.
“Është vërtet një shërbim i keq ndaj qytetarëve nëse kjo reduktohet vetëm në një çështje politike”, tha ambasadorja e SHBA-së në intervistë për Sitel.
Ageler tha se migrimi është një problem i madh në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ajo vlerësoi se është normale që të ketë diskutime me vendet aleate për këto çështje.
“Dhe ne po zhvillojmë këto biseda me shumë vende. Kjo është normale. Pra, vetëm pse ka një bisedë nuk do të thotë se do të ketë edhe politika të tilla. Sigurisht, nuk mund të flas për bisedat që ka zhvilluar Mbretëria e Bashkuar. Por supozoj se ata, ashtu si ne, po zhvillojnë biseda me të gjitha llojet e vendeve. Kjo është një temë me të cilën vendet po përballen. Dhe kështu, sigurisht, ju po flisni me miqtë, aleatët dhe partnerët tuaj se si do ta trajtojmë këtë së bashku”, tha Aggeler.
Sa i përket rrugës eurointegruese amnasadorja thotë se pavarësisht nëse negociatat e pranimit kanë filluar apo jo, është e qartë se çfarë duhet bërë për të përmbushur kriteret.
“Pavarësisht nëse negociatat e pranimit kanë filluar apo jo, është e qartë se çfarë duhet bërë për të përmbushur kriteret. Udhërrëfyesi është aty dhe të gjithë do të donim të shihnim më shumë përparim në këtë drejtim”, tha ambasadorja e SHBA-së në Maqedoni, Angela Ageler, duke folur për integrimin evropian të vendit.
Kujtojmë se kohët e fundit, LSDM dhe VMRO janë përplasur për çështjen e migrantëve në Maqedoninë e Veriut, me LSDM-në që akuzon VMRO-në për tentativa të supozuara për të sjellë emigrantë dhe për manipulime politike, duke paralajmëruar madje protesta dhe duke u larguar nga seanca parlamentare mbi rezolutën kundër migrimit të paligjshëm. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE së bashku me koalicionet VLEN dhe ZNAM paraqitën një rezolutë që dënon “manipulimet e opozitës” dhe konfirmon politikat kundër migrimit të paligjshëm, duke mohuar negociatat për pranimin e migrantëve në vend. Debati politik lidhet edhe me raportimet ndërkombëtare dhe përpjekjet e Bashkimit Evropian për përshpejtimin e riatdhesimeve dhe ndërtimin e kornizave të reja për azil, si dhe me shqetësime për sigurinë dhe integrimin e emigrantëve.
- LEXO: Deputetët e LSDM-së u larguan nga seanca për pyetje deputetësh dhe rezolutën e qeverisë kundër migrimit të paligjshëm
- LEXO: VMRO, VLEN dhe ZNAM paraqitën “Rezolutë që dënon manipulimet e opozitës” në lidhje me migrantët
- LEXO: LSDM paralajmëron protestë të madhe kundër emigrantëve, Mickoski: Do të tërhiqem nga politika nëse Filipçe gjen një migrant, në të kundërtën të kërkojë falje
- LEXO:Filipçe: Nuk do të lejojmë që të ashtuquajturit patriotë nga VMRO-DPMNE të sjellin migrantë në vendin tonë