Një shpenzim administrativ prej gjithsej 16.588 denarësh (rreth 270 euro) është shuma që para dy vjetësh Komuna e Gostivarit duhej t’ia paguante Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për t’i miratuar kërkesën për rrjetin e ujësjellësit, tregojnë dokumentet e komunikimit zyrtar ndërmjet NP “Komunalec” Gostivar dhe NP për Rrugët Shtetërore. Mospagesa e kësaj shume e bllokoi procedurën, ndërsa mbetet e paqartë se si për dy vjet askush nuk reagoi për ta zhbllokuar atë. Nëse Komuna e Gostivarit do ta kishte paguar faturën, helmimi i mbi 5.000 personave në Gostivar mund të ishte shmangur, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Nga NP “Komunalec” Gostivar, përmes një komunikate të publikuar dje, pretenduan se për lidhjen e plotë funksionale të sistemit të ri të ujësjellësit kishin mbetur të realizoheshin punime në rreth 600 metra të trasesë, por për këtë ishte e domosdoshme miratimi nga NP për Rrugët Shtetërore. Edhe pse kërkesa për pëlqim ishte dorëzuar para rreth dy vjetësh, ajo ende nuk ishte miratuar.
Sipas NP për Rrugët Shtetërore, është e vërtetë se në shkurt të vitit 2024 Komuna e Gostivarit kishte dorëzuar një kërkesë për rrjet ujësjellësi, për të cilën ndërmarrja kishte përgatitur faturën që në fund të prillit 2024. Fatura ishte në vlerë prej 16.588 denarësh, të cilën Komuna e Gostivarit duhej ta paguante, ndërsa pikërisht mospagesa ishte arsyeja pse nuk u realizua miratimi.
“Më pas, në mars të vitit 2024, Komuna e Gostivarit ka dorëzuar kërkesë për tubacion të ujësjellësit, për të cilën është përgatitur procesverbal nga organi mbikëqyrës i NP për Rrugët Shtetërore, por komuna nuk ka dorëzuar dokumentacionin teknik të nevojshëm për marrjen e lejes”, thuhet në reagimin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore.
Nga kjo ndërmarrje shtojnë se, që nga fillimi i këtij viti, procedurat administrative zhvillohen plotësisht në mënyrë elektronike dhe se që atëherë nuk kanë pranuar asnjë kërkesë të re nga Komuna e Gostivarit lidhur me ujësjellësin.
Lidhur me këtë reagoi dje edhe mikrobiologu, prof. dr. Nikolla Panovski, përmes një postimi në Facebook.
“NP ‘Komunalec’ tashmë dy vjet nuk e ka paguar faturën për këtë shërbim në vlerë prej 16.500 denarësh. Gjatë kësaj periudhe është ndërruar edhe pushteti qendror edhe ai lokal. Përfundoj se për 250 euro është bllokuar një projekt prej 7 milionë eurosh, ndërsa epidemia do të ishte shmangur dhe Gostivari do të kishte ujë të pastër me presion. Për 250 euro burokratike vuan një qytet i tërë, mijëra njerëz, ndërsa kostot janë shumë më të mëdha se 7 milionë euro. E pabesueshme, por e vërtetë”, shkroi Panovski.
Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.
Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.
Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.
Çdo ditë qindra qytetarë të Gostivarit kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të problemeve me stomakun. Dje, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se në qytet është siguruar ujë teknik, ndërsa tha se do të duhet një periudhë më e gjatë që sistemi i ujësjellësit të furnizojë sërish qytetarët me ujë të pijshëm.
- LEXO: Klekovski mjekëve amë në Gostivar: Monitoroni sëmundjet ngjitëse që mund të shfaqen pas epidemisë
- LEXO: Pavarësisht rënies së rasteve, në Gostivar vazhdojnë të paraqiten rreth 130 pacientë në ditë me enterokolit
- LEXO: Gjykata shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre udhëheqësit e Komunalecit për ndotjen e ujit në Gostivar
- LEXO: Mbetet në fuqi ndalimi i përdorimit të ujit në Gostivar, institucionet kërkuan përgjegjësi ndërsa hetimet vazhdojnë