Gjithsej 37 zjarre janë regjistruar në territorin e shtetit gjatë 24 orëve të fundit, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) në raportin e mëngjesit, i cili i referohet situatës me zjarret deri në orën 7:30, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve, pesë zjarre janë aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa 31 të tjerat janë shuar.
Ekipet kundër zjarrit vazhdojnë të luftojnë me flakët pranë fshatit Çanisht, në territorin e Komunës së Prilepit, ku zjarri përhapet në katër drejtime – drejt fshatrave Krushevicë dhe Lopaticë, një drejt Lumit Crna, ndërsa zjarri ka përfshirë edhe një drejtim që shkon kah fshati Orle, në Komunën e Novacit. Kryesisht po digjet vegjetacion i ulët, ndërsa në shuarjen e zjarrit janë angazhuar ekipe nga disa njësi zjarrfikëse, si dhe ekipe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH).
Siç njoftoi mbrëmë drejtori i DMSH-së, Stojançe Angellov, në shuarjen e këtij zjarri, i cili është më i madhi në territorin e shtetit këtë vit, do të ndihmojnë edhe ekipet nga Negotina dhe Brigada e Zjarrfikësve e Shkupit, të cilat do të angazhohen për mbrojtjen e fshatit Krushevicë. Ai shtoi se për herë të parë këtë verë, në mënyrë parandaluese, do të angazhohen edhe pjesëtarë të Armatës, detyra e të cilëve do të jetë të ndihmojnë banorët lokalë nëse zjarri afrohet drejt fshatit.
Përveç këtij, aktive janë edhe zjarret në territorin e komunave Studeniçan, Makedonski Brod, Kërçovë dhe Mogillë.
Pranë fshatrave Moranë, Vrtekicë dhe Ramni Gabër, në Studeniçan, po digjet pyll i përzier, ndërsa në Makedonski Brod, në zonën e Vidushit, si dhe pranë fshatrave Dragov Dol dhe Lokvicë, zjarri ka përfshirë vegjetacion të ulët, pyje me drunj të ulët dhe shkurre.
Në territorin e Kërçovës, pranë fshatit Tajmishte, në vendin e quajtur Darda, zjarri ka përfshirë pyll ahu me drunj të lartë, ndërsa pranë fshatit Mojno, në Komunën e Mogillës, po digjet vegjetacion i ulët.
Zjarri që shpërtheu para disa ditësh në deponinë në Dellçevë, sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, është vënë nën kontroll.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar disa zjarre në territorin e Komunës së Sarajit, si dhe në lokacione në Manastir, Strumicë, Veles, Ohër, Debarcë, Gjevgjeli, Kërçovë, Jegunovcë, Tetovë, Tearcë, Gostivar, Kumanovë, Likovë, Zhelinë, Koçan, Strugë, Zelenikovë, Komunën e Haraçinës dhe Krushevë.
Në shumicën e këtyre komunave janë djegur vegjetacion i ulët, mbeturina, ara të braktisura, pyje të përziera, shkurre dhe kashtë të mbetura pas korrjes.
Ndryshe, nëse vërehet zjarr, ai duhet të raportohet menjëherë në numrin 112.
Kujtojmë se Qeveria ka shpallur gjendje të krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të gushtit për shkak të rritjes së rreziqeve dhe kërcënimeve nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut, viteve të kaluara është përballur me shumë zjarre. Gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit të kaluar u raportuan një sërë zjarresh.