Gjatë 24 orëve të fundit, 198 pacientë të rinj janë kontrolluar në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, njoftoi drejtori i spitalit, Emri Bajrami, ndërsa në qytet vazhdon epidemia me numër të shtuar të personave që paraqiten me shqetësime gastrointestinale. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, një pacient është dërguar për trajtim në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Drejtori i spitalit të Gostivarit bëri të ditur se në Repartin e Sëmundjeve Infektive janë kontrolluar 111 pacientë, në Repartin e Pediatrisë 75 pacientë, ndërsa në Qendrën Urgjente 12 pacientë. Bajrami shtoi se tabloja klinike vazhdon të karakterizohet kryesisht me probleme në stomak dhe zorrë, ndërsa më rrallë me ethe dhe temperaturë të lartë trupore.
Ministria e Shëndetësisë dje njoftoi se është vërejtur një ulje fillestare e numrit të pacientëve të rinj të kontrolluar për shkak të shqetësimeve gastrointestinale në Gostivar.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi dje se që nga fillimi i situatës epidemiologjike janë regjistruar pothuajse 3.100 kontakte shëndetësore nga Shtëpia e Shëndetit në Gostivar dhe Spitali i Përgjithshëm, përfshirë telefonatat dhe ndërhyrjet e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore. Kontrolli i parë është kryer më 14 korrik, ndërsa pesë ditë më vonë është shënuar për herë të parë rënie e numrit të pranimeve të pacientëve.
Ndryshe, në Gostivar është shpallur epidemi të problemeve gastrointestinale, pasi numri i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim vazhdon të jetë i lartë.
Pak ditë më parë, inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.
Prokuroria Publike mbrëmë rreth orës 22 doli me informacione për situatën me epideminë e ndotjes së ujit në Gostivar. Nga aty njoftuan se kanë filluar hetimet kundër tre zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Komunalec’ të cilët tani më janë të arrestuar. Ndërkaq, rezultatet e analizave tregojnë se në ujë ka 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.