1 Maji në Maqedoninë e Veriut, sindikatat përmes protestave kërkuan zgjidhje sistematike të problemeve

Në Maqedoninë e Veriut, për 1 maj – Ditën Ndërkombëtare të Punës, janë organizuar protesta nga subjektet e ndryshme sindikale. Ata kanë listuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre rreth punës, transmeton Portalb.mk.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) së bashku me disa organizata tjera sindikale, ka organizuar protesta për sot, duke filluar nga ora 11:00 nga Shtëpia e Punëtorëve. Marshit të tyre i janë bashkuar Sindikata e Pavarur e Policëve, Konfederata e organizatave sindikale të Maqedonisë (KOSM), punëtorët nga Pyjet e Maqedonisë, Postat, Gjykatën Administrative, Sindikata e Pavarur për Arsim dhe Shkencë, etj. Protestat e sotme u mbështetën edhe nga të punësuarit në Fondin për Shëndetësi, të cilët kanë paralajmëruar edhe grevë për muajin qershor.

“Në LSM janë regjistruar mbi 10 mijë ankesa për shkeljen e të drejtës së punës, numër që tregon për mosrespektimin e të drejtës së punëtorëve në përmasa të mëdha”, raportoi LSM-ja.

Ata kërkojnë zgjidhje sistematike për rritjen e rrogës, bazuar në gjendjen reale ekonomike, si zhvillimi ekonomik, inflacioni, shpenzimet dhe çmimet e produkteve bazë. Rroga minimale prej 450 euro në 100 ditët e para të qeverisë së re, është një nga kërkesat e marshuesve.

LSM-ja ndërkohë ka kërkuar edhe pagesa për shujta për të gjithë punëtorët në vlerë sa 20 % i rrogës mesatare. Ata kanë kërkuar edhe mbulimin e shpenzimeve për transport.

Ndër kërkesat e sindikalistëve është edhe transferimi i kontratës së punës nga koha e caktuar në kohë të pacaktuar, pas një viti pune. Në listën e kërkesave përfshihet edhe e drejta që e shtuna të merret si ditë jopune, ndërsa orari i plotë i punës të jetë 35 orë në javë.

Marshi i tyre protestues nën sloganin “Ne punëtorët”, filloi nga Shtëpia e Punëtorëve, duke kërkuar edhe anulimin e vendimit të gjyqësorit për marrjen e këtij objekti që deri tani është shfrytëzuar nga sindikatat.

Ndryshe, tradicionalisht edhe këtë vit, më 1 maj, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) organizoi protesta për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Agjencia për Punësim RMVDitë jopune - festë shtetëroreInspektorati shtetëror për punë RMVLidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM)PapunësiPapunësia te të rinjtëPunësime partiakePunëtor(e) PunëSindikataSindikata e Pavarur e Gazetarëve Maqedoni (SPGM)Sindikata për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SASHK) RMVTë drejtat e punëtorëve